E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Paloka: Miratohet rregullorja për primaret brenda PD, mbahen më 1 mars

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Primaret në Partinë Demokratike do të zhvillohen më 1 mars 2025, sipas vendimit të marrë sot nga Këshilli Kombëtar i kësaj force politike.

Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, në një komunikim për mediet, bëri të ditur se gjatë diskutimeve pati mendime të ndryshme lidhur me procesin e primareve, por në fund rregullorja dhe procedurat për zhvillimin e tyre u miratuan me 10 vota kundër.

“Pati mendime të ndryshme, kryesisht që primaret mund të mos zhvilloheshin për shkak të kohës dhe për të shmangur konfliktet dhe pakënaqësitë. Megjithatë, këto ishin propozime të pakicës dhe nuk u miratuan. Primaret janë një nga pikat kryesore të statutit të Rithemelimit dhe Sali Berisha është i vendosur që ato të zhvillohen”, u shpreh Paloka.

Ai theksoi se kryetari i PD, i zgjedhur nga e gjithë anëtarësia, ka të drejtën të vendosë për këtë çështje dhe se për të hequr primaret do të duhej ndryshimi i statutit, çka nuk ndodhi.

Gjatë mbledhjes, kryetari i PD, Sali Berisha propozoi edhe përfshirjen e 300 emigrantëve për çdo kandidat për deputet si një masë për të rritur ndikimin e votës së diasporës, propozim që nuk hasi kundërshtime.

“Të gjitha masat dhe propozimet e miratuara synojnë të sigurojnë rezultatin maksimal në zgjedhje,” përfundoi Paloka.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›