INPO, ngrohtores: Mos i lë të ngrihen qytetarët

Iniciativa për Progres (INPO), ka nxjerrë një kërkesë, duke iu drejtuar Komunës së Prishtinës dhe ngrohtores “Termokos”, që të bëjë zgjidhjen e problemeve të ngrohjes dhe të rrugëve gjatë stinës së dimrit.
INPO konsideron se njëri ndër problemet e shumta që kanë qytetarët e Prishtinës është edhe problemi me ngrohje gjatë stinës së dimrit. Temperaturat të cilat dita ditës po ulën, qytetarët do të jenë ata të cilët do ti vuajnë pasojat nga të ftohtit.
“Për ngrohjen e qytetit të Prishtinës është e obliguar Kompania “TERMOKOS”, kjo kompani me vite të tëra po ka probleme për të kryer punën e saj, për të cilën edhe është përgjegjëse. Duke u bazuar në vitin e kaluar, që kjo kompani nuk kishte arritur ta fillonte sezonin e dimrit me ngrohje në kohën e paraparë, edhe këtë vit nuk do mund të filloj sezonin e dimrit për të ngrohë qytetit”, vlerëson INPO.
INPO thotë se kjo kompani edhe pse ka me shumë se pesë muaj hapësirë për tu përgatitur për dimrin e ardhshëm as një lëvizje strategjike nuk është ndërmarr deri më tani.
“Është bërë tani më praktik e këtij institucioni që në momentin e fundit të reagoj që në shumtën e rasteve është dëshmuar si një dështim ende pa filluar mirë dimri”.
Iniciativa për Progres e vlerëson këtë si një problem shqetësues sepse mungesa e ngrohjes shkakton probleme të mëdha drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve.
INPO thotë se pasi që ngrohtorja “Termokos” është ndërmarrje publike komunale dhe qeveriset me sistemin e shoqërisë aksionare, në përputhje më ligjin për ndërmarrje publike, Komuna e Prishtinës duhet të merr përgjegjësinë e vet që i takon për shërbimet e qytetarëve.
INPO kërkon nga Komuna e Prishtinës dhe “Termokos” që të ndërmarrë të gjitha masat dhe të fillojë përgatitjet për sezonin e dimrit.
“Përpos përgjegjësisë që ka komuna kundrejt kësaj kompanie dhe qytetarëve të saj, ne kërkojmë nga komuna e Prishtinës që të filloj përgatitjet për pajisje më mjetet e nevojshme që rrugët e kryeqytetit mos të jenë të bllokuar apo të kalueshme më vështirësi gjatë këtij dimri. INPO kërkon nga komuna e Prishtinës dhe Ngrohtorja “Termokos” që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi dhe të ofrojnë qytetarëve shërbimet me ngrohje gjatë këtij dimri duke mos lenë anash edhe nevojën që kanë qytetarët për rrugë të kalueshme gjatë kësaj sezone dimërore që pritet të jetë shumë e ftohtë dhe më shumë të reshura të borës”, thuhet në këtë kërkesë të organizatës Iniciativa për Progres (INPO)./Indeksonline/