Shpesh i lë të lirë të kërkuarit nga gjykata

Drejtues të Gjykatës së Qarkut në Pejë kanë akuzuar policinë për mos efikasitet në sjelljen e të dënuarve në seanca gjyqësore.
Salih Mekaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Pejë, ka thënë se policia jo çdo herë i përfill kërkesat e këtij institucioni.
“Ka raste kur policia nuk është efikase, kur personi është në qytet e policia thotë se nuk është, e ndërsa kjo është e njohur për të gjithë se ai gjendet në liri. As pikat e kalimit kufitar nuk janë efikase, kur të kërkuarit me fletarrestim, në bazë të të cilit kërkohen për vepër penale nuk arrestohen, e arsyet e mosarrestimit të tyre janë dy. Një, është mosfreskimi i listave dhe dy, polica i lejon qëllimisht ”, ka thënë Mekaj, transmeton Koha.
Për Mekajn, bashkëpunimi me policinë është solid dhe pa pengesa siç ndodh në regjione të tjera.
Ai ka thënë se shpesh mbajnë takime me policinë e prokurorinë ku identifikohen problemet akute. Por përkundër këtij bashkëpunimi, Mekaj thotë se çalon puna te sjellja e të pandehurve në gjykatë.
“Problemi është se ata nuk veprojnë drejt, e kërkojnë, por e sjellin me vonesë të akuzuarin. Ata shkojnë e kërkojnë në shtëpi të akuzuarin në orën e njëjtë kur është caktuar koha e fillimit të seancës”, ka thënë ai./Indeksonline/