Çeku: Nuk ka misione të pamundura për njësitet e Task Forcës së FSK-së

Agim Çeku gjatë inaugurimit të Qendrës Regjionale të Task Forcës - Njësia me detyra të posaçme e FSK-së në Pomazatin të Sllatinës, theksoi se nuk ka asnjë mision të pamundur për FSK-në.
“Misionet e vështira i kryejmë menjëherë, misionet e pamundura marrin pak kohë që do të thotë nuk ka mision të pamundur për ju, në qoftë se dikujt i rrezikohet jeta duhet ta bëni të pamundurën”, tha ministri Çeku.
Kjo qendër e cila do të trajnojë pjesëtarët e FSK-së dhe ushtarët e vendeve të regjionit për fushat e Kërkim Shpëtimit është zhvilluar me përkrahje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton RTK.
Ndërkaq Komandanti i FSK-së Kadri Kastrati tha se Task Forca e kërkim shpëtimit është e aftë të për të reaguar në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar, prandaj sipas tij kjo njësi është një hap i madh drejt bashkimit me strukturat e NATO-s. Kastrati tha se FSK-ja ka në plan ta ndërtojë një qendër të trajnimit ku edhe shtetet e rajonit do të marrin shkathtësi të reja nga pjesëtarët e FSK-së.
“FSK-ja nuk është duke u përgatitur dhe trajnuar vetëm për vete, por ne jemi duke e dëshmuar që jemi të aftë të japim trajnime dhe shkathtësi edhe shteteve të rajonit”,tha Kastrati.
Task Forca e FSK-së e ka bërë përzgjedhjen e 95 pjesëtarëve të saj të cilët kanë shërbyer në njësi të ndryshme të FSK-së dhe kanë kaluar nëpër disa teste fizike dhe të inteligjencës për tu bërë pjesë e Task Forcës. Kjo forcë do të ketë gjithsejtë 127 pjesëtarë. Ndërkaq Qendra Regjionale do të ketë dislokim dhe kazermë të veçantë në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, në fshatin Pomozatin afër Sllatinës./Indeksonline/