E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Bie tregtia e jashtme, deficiti thellohet me 11.2 %



Shqipëria po del me humbje nga tregtia me vendet partnere. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë për rënie të mëtejshme të eksporteve dhe rritje të importeve, ç’ka ka çuar në thellim të deficitit tregtar. Kështu, gjatë muajit maj janë eksportuar 8.2 miliardë lekë mallra, ose 19 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë që importet vlerësohen në 37.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.8 për qind kundrejt majit 2008. Kjo situatë ka çuar në rritje të deficitit tregtar, tregues që ka arritur shifrat alarmante të 29.4 miliardë lekëve. Kundrejt muajit maj të vitit të kaluar, deficiti tregtar është thelluar me 11.2 për qind. Ajo që vihet re nga të dhënat e fundit të INSTAT-it është një rënie e importit të grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 10.9 për qind, ç’ka tregon se biznesi nuk po blen teknologji për të zgjeruar aktivitetin privat. Instituti i Statistikave ka evidentuar edhe rritjen e eksportit të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 18.8 për qind, si pasojë e shitjes së energjisë që ka bërë gjatë kësaj periudhe Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Biznesi, afat deri në 20 korrik për pagesën e detyrimeve

Pranë dyerve të Bashkisë është rritur numri i qytetarëve që po paguajnë taksat për biznesin. Kjo për shkak se kësti i dytë për likuidimin e detyrimeve që kanë ndaj pushtetit vendor është data 20 korrik. Subjektet e ndryshme që ushtrojnë aktivitetin në qytetin e Tiranës do të kenë më pak burokracira, por nuk do të presin as pranë dyerve të sportelit të drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore, pasi do të njoftohen nga sistemi postar për detyrimet tatimore që do të kenë ndaj Bashkisë së Tiranës. Detyrimi për taksën e biznesit të vogël është një detyrim vjetor, i cili është përllogaritur në mbështetje të deklaratës së pronarëve të biznesit të xhiros në vit. Për të gjitha subjektet që nuk kanë deklaruar xhiron vjetore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore deri më 1 mars, sipas afatit ligjor, parashikimi i nivelit të xhiros dhe përllogaritja e detyrimit është kryer sipas gjykimit më të mirë të zyrës së Taksave. Detyrimi tatimor mbi biznesin e vogël ndahet në 4 këste të barabarta dhe paguhet brenda këtyre afateve: Kësti i 1-rë deri më 20 prill 2009; kësti i 2-të deri më 20 korrik 2009, kësti i 3-të deri më 20 tetor 2009 dhe kësti i 4-t deri më 20 janar 2009.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›