E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, Ambasada Italiane publikon emrat e 526 studentëve që duhet të fusin dokumentet për vizë



Jonida Tashi

Ambasada Italiane publikon emrat e 526 kandidatëve për student, që duhet të fusin dokumentet për vizë. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj ambasade, duke filluar nga data 16 korrik deri më datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2009 studentët e poshtë shënuar mund t’i drejtohen agjencisë më të afërt të Albanian Courier–Union Net, e cila pa asnjë pagesë do të merret me dërgimin në Ambasadën Italiane në Tiranë të dokumentacionit për lëshimin e vizës për studim/universitet dhe pasaportën.
Procedura
Në vijim, pas verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa e ambasadës, kjo e fundit, do të lëshojë vizat hyrëse për studim/universitet. Pasaporta do t’u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë universitetit në Itali (Dëftesën e Pjekurisë dhe Certifikatën e Maturës Shtetërore të legalizuara, diplomën CELI 3, etj). Për ridorëzimin e dokumenteve studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 300 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në Tiranë, 480 lekë (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera.
Afatet
Operacioni i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuar do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2009. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2009 deri më 31 janar 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë. Për të ditur zyrën e korrierit Albanian Courier–Union Net më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail albaniancourier@albaniancourier.al. Të gjithë modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë Ambasadës Italiane dhe zyrave të Albanian Courier–Union Net si dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit www///.ambtirana.esteri.it

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës për studim/universitet, që do të dorëzohen në agjencinë Albanian Courier–Union Net më të afërt, për tu dërguar më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë janë si më poshtë:
Formulari për kërkesë vize, i plotësuar dhe i firmosur, ngjitur në të një fotografi për dokumente. Duhet të shënoni një numër telefoni (fiks, celular) dhe nëse keni adresë e-mail-i;
Deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë;
Pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje të faqeve me viza të tjera Shengen;
Dokumentacion për vërtetimin e vendqëndrimit në Itali. Nëse do të qëndroni pranë personave privat: deklaratë strehimi, fotokopje të dokumentit të identitetit, të firmosur të ftuesit (për shembull nëse është shtetas i huaj, lejen e qëndrimit ‘soxhornon’ ose faturat për rinovim ‘riçevutat’; nëse është shtetas italian pasaportën ose kartën e identitetit);
Siguracionin për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2009 deri më 31.01.2010 (i stampuar);
Faturë bankare. Deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri (Banca Intesa San Paolo ose BIS Banca–Banca Italiana di Sviluppo), që vërteton derdhjen e pakthyeshme në favor të vetes të shumës 4500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Pathyeshmëria e derdhjes mund të anulohet vetëm në rast se: Ambasada Italiane deklaron refuzimin e vizës; tërhiqet kërkesa për vizë nga ana e klientit, e vërtetuar kjo nga ambasada.

Studentët nën 18 vjeç
Përveç dokumentacionit të kërkuar më lart, studentët që janë nën moshën 18 vjeç bashkë me kërkesën për vizë, duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar, dhe deklaratën noteriale për aprovim të prindërve mbi qëndrimin në Itali për studim të fëmijës, edhe kjo e përkthyer dhe e legalizuar.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›