INSTAT: Eksportet, rënie me 8,5 % në nëntor

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Eksportet e mallrave gjatë 11-mujorit të këtij viti arritën vlerën 347 miliardë lekë, duke shënuar ulje me 13,9 %, krahasuar me një vit më parë
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e tregtisë së jashtme, sipas të cilit ndryshe nga eksportet, importet e mallrave shënuan rritje me 2 %, duke arritur vlerën 816 miliardë lekë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 469 miliardë lekë, duke u rritur me 18 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Specifikisht për muajin nëntor, eksportet e mallrave arritën vlerën 30 miliardë lekë, duke u ulur me 8,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 2,8 %, në krahasim me tetor 2024.
Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike” me 5,2 pikë përqindje, tekstilet dhe këpucët me 4,8 pikë përqindje, dhe materialet e ndërtimit dhe metalet me 2,7 pikë përqindje.
Ndërsa grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit me 2,7 pikë përqindje, ushqimet, pijet, duhani me 1,2 pikë përqindje, etj.
Kanë ndikuar negativisht mineralet, lëndët djegëse, energjia elektrike me 1,2 pikë përqindje dhe tekstilet dhe këpucët me 0,9 pikë përqindje. /j.p/
