E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Indeksi i Çmimeve të Konsumit u ul me 0.1 % në prill

TIRANE - Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin prill të këtij viti shënoi një ulje prej 0.1 % krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas statistikave të publikuara sot nga INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin prill është 1.6 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.1 %. Indeksi i grupit "ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një ulje prej 0.4 % krahasuar me muajin e mëparshëm. 

Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 5.2 % vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecave me 35.1 %, patëllxhaneve me 15.1 %, sallatës jeshile me 14.9 % , qepëve të njoma me 13.1 %, preshit me 7.4 %, specave me 3.2 %, etj.

Indeksi i nëngrupit "fruta" shënoi një rritje prej 3.4 %, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të manderinave me 12.6 %, bananeve me 7.8 %, portokalleve me 2.2 %, dardhëve me 0.7 %,etj. Çmimet kanë shënuar ulje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupin "sheqer e ëmbëlsira" me 0.2 %, nëngrupin "bukë e drithra" me 0.1 %, nëngrupin "vajra dhe yndyrna" me 0.1 % etj. Indeksi i grupit "veshje dhe këpucë" ka shënuar një ulje prej 0.1 %. Indeksi i grupit "qera ujë lëndë djegëse dhe energji" ka shënuar një rritje prej 0.4 %, ku mund të veçojmë rritjen e tarifave të ujit të pishëm me 6.9 %.

Indeksi i grupit "shëndeti" shënoi një rritje prej 1.0 %, brenda të cilit çmimet e medikamenteve shënuan një rritje prej 1.3 %. Në grupet e tjera ndryshimet varijojnë nga + 0.1 deri + 0.4 %.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›