E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, ujësjellësi blen 15 milionë usd HEC-in e Lanabregasit

TIRANE- Hidrocentrali i Lanabregasit me fuqi të instaluar 5 MW në qarkun e Tiranës kaloi sot në pronësi të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Marrëveshja e privatizimit të paketës së plotë të aksioneve, me vlerë 15 milionë usd të këtij hidrocentrali, u firmos sot nga ministri i Ekonomisë, Nasip Naço dhe drejtori i shoqërisë së Ujësjellësit, Sahit Dollapi.

Naço vlerësoi se “ky privatizim do t’i shërbejë qytetarëve të Tiranës, pasi duke kaluar në pronësi të ujësjellësit ndikon në përmirësimin e furnizimit më ujë dhe në çmimin e tij”.
Ndërsa Dollapi cilësoi efektet pozitive ekonomike dhe sociale për ndërmarrjen e Ujësjellës-kanalizimeve dhe për furnizimin pa kufizim të qytetarëve me ujë. Ai e cilësoi si "investimin e parë shumë të rëndësishëm që realizon ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve".

Brenda 5 viteve, sasia e energjisë për këtë ndërmarrje nuk do të përfshihet në koston e ujit, ç'ka ndikon direkt tek konsumatorët. "Ky privatizim kalon në vartësi të ndërmarrjes, e vetmja kompani që realizon këtë blerje dhe do ndihmojë për plotësimin e nevojave me energji për gjithë pompat e ujit, linjat dhe impiantet e ndërmarrjes duke realizuar mundësinë që qytetarët të furnizohen me ujë pa ndërprerje", tha Dollapi.

Ujësjellës-kanalizimet paguajnë çdo vit 4 milionë usd për blerjen e energjisë, ç'ka nënkupton se këto investime do të kalojnë në përmirësimin punës së ndërmarrjes.

Qeveria miratoi vendimin Nr. 717, datë 20.10.2011 për transferimin 100% të aksioneve të shoqërisë “HEC Lanabregas” shoqërinë aksionere publike të Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë përmes një kontrate shitblerje.

Vlera e aksioneve u krye nga ekspertë vlerësues dhe kontabël të autorizuar të licencuar. Në vendim përcaktohet që objekti i veprimtarisë së HEC-it të Lanabregasit nuk do të ndryshojë pas transferimit të aksioneve. Të ardhurat nga transferimi i aksioneve do të derdhen në Buxhetin e Shtetit.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›