E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, Ines Nurja: Rezultati i Censusit, më 13 dhjetor

TIRANE - Ndërsa argumenton se të dhënat e Censusit të popullsisë kërkojnë një periudhë mjaft të gjatë, 2 deri 4-vjeçare për t’u përpunuar plotësisht, Drejtoresha e Institutit të Statistikave bën me dije se rezultati përfundimtar do të vijë në dhjetor të këtij viti. Deklarata e drejtoreshës së INSTAT u bë dje gjatë një interviste të dhënë për kanalin televiziv “Albanian Screen” në emisionit “Mëngjes me Endrin”, ku Nurja u zgjat edhe mbi pikat më të debatuara të Censusit, të cilat kanë të bëjnë me deklarimin e përkatësisë etnike dhe fetare të të anketuarve. “Duhet të kuptojmë diçka, që këto dy pyetje që janë bërë kanë qenë pyetje fakultative. Mua më vjen keq që i gjithë diskutimi për Censusin është bazuar tek këto dy pyetje, që për mua janë më pak të rëndësishmet”, tha Nurja gjatë intervistës.
Etnia dhe feja
E pyetur nga gazetarët Endri Xhafo dhe Thimi Samarxhi mbi të dhënat e Censusit, që kanë të bëjnë pikërisht me çështjen e përqindjeve të përkatësisë fetare dhe etnike të popullatës, Nurja i konsideroi të dyja si pika me rëndësi periferike në kuadrin e madh të anketimit të popullsisë, pavarësisht hapësirës mediatike që u është dhënë. Sipas saj, Censusi është një operacion shumë i kushtueshëm dhe qëllimi kryesor është për të parë ecurinë e popullsisë shqiptare. Pra, se si ka ndryshuar në 10 vjet, qoftë në numër, qoftë në nivel jetese, qoftë në nivel papunësie, gjithçka. “Dhe unë nuk them që këto dy pyetje nuk duhet të ishin bërë, apo që nuk kanë rëndësi, por këto dy pyetje janë më pak të rëndësishme në krahasim me përmbajtjen që ka pyetësori. Pyetësori ka pyetje të tjera që kanë të bëjnë me demografinë, nivelin e jetesës, me kushtet në të cilat banojmë, që janë pyetje shumë herë më të rëndësishme për ne, se sa pyetjet qoftë për etninë apo për fenë. Jam shumë dakord që duhet të marrim informacion për këto pyetje, por ato nuk janë pjesa më e rëndësishme e Censusit”, u tha Nurja gazetarëve.
2.8 milionë banorë
Gjatë intervistës drejtoresha e INSTAT konfirmoi rezultatin paraprak të Censusit, sipas të cilit aktualisht në Shqipëri numërohen 2.8 milionë banorë rezidentë. “Shifra qëndron” - tha Nurja pa dhënë shifra konkrete nën argumentin se të dhënat janë ende në përpunim e sipër, duke nënvizuar gjithsesi se nuk pritet ndonjë ndryshim i ndjeshëm me përpunimin përfundimtar të të dhënave. “Sigurisht që popullsia nuk do të ketë ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme nga shifra që kemi nxjerrë ne, sepse ajo është bazuar tek shumatorët e çdo anketuesi, i cili ka shënuar sa persona ka pyetur. Pra, sa persona ka pyetur, aq janë edhe në pyetësor, kështu që nuk pritet ndonjë surprizë e madhe në lidhje me numrin përfundimtar”, shpjegoi Nurja.
Rezultati më 13 dhjetor
Sa për rezultatin e shumëpritur të Censusit, Nurja shpjegoi se përpunimi i të dhënave kërkon shumë kohë, por se presioni i fortë e ka nxitur institucionin të përshpejtojë ritmet dhe publikimi i tij do të bëhet më 13 dhjetor të këtij viti. Sipas drejtoreshës së INSTAT, bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze. Janë pyetur mbi 2.8 milionë persona, që është dhe shifra totale e popullsisë, pra rreth 900 mijë familje. Çdo pyetësor ka pasur 25-30 faqe, ai është marrë e është skanuar dhe 6 muaj ka marrë vetëm kjo procedurë, sepse çdo pyetësor skanohet e kthehet në “data base”. Sipas saj, në vende të ndryshme Censusi i popullsisë kërkon 2 deri në 4 vjet për publikimin e të dhënave. “Mund të themi që jemi përpara kohe, sepse duke qenë se ka pasur një presion shumë të madh, duke qenë se të gjithë i presin me padurim këto rezultate, atëherë ne kemi punuar shumë fort për t’i nxjerrë ato dhe rezultatet përfundimtare do të nxirren më 13 dhjetor 2012", tha Nurja. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›