INSTAT: KESH humbje rekord edhe sivjet
Humbjet në totale të KESH në rrjet janë pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me periudhën korresponduese të vitit paraardhës. Sasia e humbjeve totale për gjashtëmujorin e parë 2008 është 1,155 GWh. Ato përbëjnë 33.3 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Raporti vjen nga Instituti i Statistikave, duke deklaruar edhe njëherë se deklaratat e bëra nga ana e drejtuesve të KESH vlejnë vetëm për demagogji.Raporti i INSTAT bën të ditur se humbjet në shpërndarje zënë 91 për qind të sasisë së energjisë të humbur në rrjet. Përdorimi nga konsumatorët është rritur me 13.3 krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2007, ndërsa sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 2,097 GWh dhe përbën 60.4 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim.Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 10.9 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Ky sektor ka konsumuar 56.8 për qind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej.
Konsumi
Sipas raportit energjia elektrike e konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur me 16.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike është rritur me 2.6 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, që ishte dhe një nga vitet e krizës në vend. Sasia e importuar (përfshirë këmbimet), është 1,482 GWh dhe ajo përbën 42.7 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2008 nga 47.1 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Burimet e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 u rritën ndejshëm me 13.2 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2007, ndërsa prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 22.7 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2007. Sasia totale e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2008 është 1,990 GWh dhe zë 57.3 për qind të burimeve gjithsej të energjisë.
Krahasimi me vjet
Në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike ka ulur vjedhjet me vetëm 1940 kilovat/orë, ndërkohë që vlera e energjisë së humbur është rritur me 13.2% si pasojë e çmimit më të lartë këtë vit. Ndërkohë, energjia e humbur nga mosarkëtimet është rritur me 78%, duke arritur në 36.3 milionë euro. Teorikisht, këto para konsiderohen si borxhe për t’u arkëtuar në bilancin e kompanisë së shpërndarjes, por praktikisht janë para të humbura. Deri në fund të vitit 2007, KESH shkroi në bilancin e tij 49.6 miliardë lekë (400 milionë euro) detyrime të pashlyera dhe të trashëguara nga vitet e kaluara. Gjatë vitit 2007 janë arkëtuar detyrime të prapambetura prej 38.5 milionë eurosh, por ndërkohë, është krijuar një borxh i ri prej 64.7 milionë eurosh. Qeveria pranoi javën e kaluar në një letër që i dërgoi FMN-së se arkëtimet e energjisë së faturuar kanë rënë në 73.7%, shifër kjo më e ulëta e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000. Vetëm 47% e energjisë së hedhur në rrjet është paguar, një rekord tjetër negativ.