E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Xhafaj: Meta dha mesazhin që do Berisha

Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, tha se PS synon një Kod që të mos jetë produkt i pazareve politike

TIRANË- Partia Socialiste kërkon miratimin e një ligji të ri zgjedhor, që respekton përcaktimin kushtetues për sistemin proporcional rajonal, duke mos lejuar, asnjë deformim ligjor që kërkon ta sjellë modelin sipas interesave elektorale të subjekteve zgjedhore të caktuara. Ky është synimi i partisë më të madhe të opozitës i përcjellë dje përmes Sekretarit për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, i cili në këtë mënyrë i ka dhënë përgjigje edhe kontestimeve të LSI-së. Duke informuar se PS është drejt gjetjes së marrëveshjeve me dy partitë e majta PSD dhe PDS, Xhafaj ka shprehur habinë për qëndrimin e mbajtur nga LSI. “Jemi shumë të çuditur nga reagimet e z. Ilir Meta pas takimit me z. Xhufi, Kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj force politike. Me z. Xhufi patëm një komunikim politik shumë normal. Në reagim të kërkesës së tyre ne ju parashtruam disa nga konceptet tona kryesore lidhur me Kodin e ri Zgjedhor, si p.sh., lidhur me koalicionet, administrimi i procesit zgjedhor etj. Na u kërkua dhënia e kohës dhe mundësisë për konsultime në nivel politik e teknik, për të qenë përgjigja e tyre pjesë e takimit tonë të ardhshëm. Në kundërshtim me çdo lloj norme etike dialogu politik përgjigja erdhi nëpërmjet medias nga z.Meta dhe jo nga personat e mandatuar prej tij për konsultime politike dhe aspak në formën e vendosur për dialog politik ndërmjet palëve.

Ndërkohë që edhe argumentet e z.Meta për çështjet e trajtuara ishin më shume pretekste për të justifikuar një vendim politik të marrë prej tij, se sa argumente parimore e profesionale në funksion të dialogut të hapur”,- tha Xhafaj. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS shtoi se, ndërsa opozita vlerësoi faktin e vendosjes së këtij dialogu politik, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nxitoi që publikisht të shpallte kundërshtimin e tij dhe faktin, që ai nuk do të ishte pjesë e koalicionit me PS dhe partitë e tjera të opozitës. “Ky ishte mesazhi që priste të dëgjonte z.Berisha”,- shtoi ai. Për këtë arsye, sekretari socialist theksoi se ky nuk është mesazhi dhe gjuha e komunikimit, që presin të dëgjojnë forcat opozitare.“Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar, është aty ku ka qenë dhe do të jetë aty ku është, e hapur për dialog e mirëkuptim me të gjitha forcat e grupimet politike e veçanërisht e gatshme dhe e aftë të dialogojë dhe bashkëpunojë për procesin zgjedhor, dhe në këtë kuadër edhe për Kodin e ri Zgjedhor, e bindur se kodi ka qenë dhe do të jetë produkt i konsensusit politik, por jo produkti i pazarit politik të radhës, produkt i interesave e standardeve madhore të vendit dhe kurrsesi produkt i interesave të pjesshme të kujtdoqoftë”,- tha ai. Xhafaj siguroi se Partia Socialiste, përmes përfaqësuesve të saj në nivel politik e teknik është duke kontribuar për të realizuar një reformë rrënjësore të sistemit zgjedhor, jo në funksion të interesave partiake, por në funksion të interesave kombëtare. “Këtë reformë ne duam ta çojmë deri në fund, pa deformime dhe pa arnime “alla shqiptarçe”, në një bashkëpunim me të gjitha forcat politike. Kjo reformë duhet të na mundësojë përfundimisht zgjedhje të denja për një vend që aspiron anëtarësimin në NATO dhe në BE”,- tha ai.

-----------------------------------------------------------------“Koalicioni i përbërë, asnjë votë nuk shkon dëm”

TIRANË- Sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, ka argumentuar edhe njëherë mënyrën e funksionimit të koalicionit të përbërë, për të cilën LSI nuk pranon ta mbështesë.“Në rastin e koalicionit të përbërë, votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë, në momentin e votimit. Votimi është i thjeshtë fare. Opsioni që ne sugjerojmë është: Në fletën e votimit është shënuar koalicioni përkatës p.sh., koalicioni A dhe brenda saj janë shënuar të gjitha partitë anëtare të këtij koalicioni me kutitë përkatëse përbri. Zgjedhësi në kutinë e votimi vendos shenjën te njëra nga këto parti anëtare të koalicionit. Duke bërë këtë zgjedhje, ai ka votuar automatikisht për partinë që dëshiron, por edhe për koalicion, pjesë e së cilës është kjo parti. Duke bërë këtë veprim, vota e zgjedhësit është përcaktuar njëherësh për partinë, por edhe për koalicionin. Kjo bën të mundur që të maksimizohet vota e grupimeve politike, në mënyrë që asnjë votë të mos shkojë dëm nga preferencat e votuesit, por nga ana tjetër, bën të mundur që çdo parti të ruajë individualitetin e saj dhe natyrisht pesha e çdo partie brenda një grupimi të caktuar të jetë e vlerësueshme dhe e matshme nga votuesit”, -tha Xhafaj. Ai shtoi se përmes një forme të tillë eliminohet edhe një dushk i ri ligjor në kushtet e sistemit të ri zgjedhor.

----------------------------------------------------------Propozimi, votat të numërohen nga gjykatat

TIRANË- Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Socialiste synon futjen e qytetarëve të autorizuar nga ligji dhe jo nga partitë në numërimin e votave. Pikërisht për këtë qellim, socialistët pritet që të sjellin edhe propozime konkrete, duke zbehur në të njëjtën kohë edhe rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.“Partitë dhe vetë mazhoranca duhet të heqë dorë nga kontrolli mbi KQZ dhe vetë KQZ në kuadrin e ndryshimeve të fundit kushtetuese, duhet të marrë një rol tërësisht administrativ. Në vlerësimin tonë kontrolli ligjor mbi procesin duhet t’i mbetet tërësisht arbitrit të paanshëm, gjyqësorit. E ritheksoj, se kontrolli ligjor duhet t’i mbetet tërësisht gjyqësorit, në numërim, në gjykim në shkallë të parë dhe të dytë. Ky është opsioni më i mirë sipas nesh, edhe pse jemi të hapur për të dëgjuar opsionet e palëve të tjera të përfshira në këtë proces, dhe siç kemi bërë këto ditë, të dëgjojmë edhe partitë e tjera opozitare”,- tha Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›