Meta humbet Milon, PDS takime me PS-në
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim ka humbur aleaten e saj të trumbetuar aq fort në koalicionin e “Majta për Integrim”. Bëhet fjalë për kryetarin e PDS-së, Paskal Milo, i cili pas disa kontakteve me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka vendosur që të takohet me kryetarin e PS-se, Edi Rama, për të gjitha pikat e diskutueshme për zgjedhjet, madje edhe për formulën e koalicionit të përbërë, aq shumë të kontestuar nga LSI. Në daljen e djeshme të Milos pas disa kohë pushimesh, ai ka mohuar të jetë edhe pjesë e një koalicioni me Metën, edhe pse prej muajsh ishim mësuar që ta shihnim përkrah tij. Por sot, në kushtet e ndryshimit të sistemit zgjedhor, si dhe propozimeve konkrete që PS po ofron, PDS duket se po i bën mirë llogaritë, duke qenë e gatshme që të dialogojë me Partinë Socialiste. “Në fund të kësaj jave do të zhvilloj një takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama, me të cilin do të diskutoj çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me kodin zgjedhor dhe bashkëpunimin për reformën zgjedhore",- tha ai. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se partia që ai drejton është e hapur dhe e baraslarguar në mënyrë simetrike në raport me partneret e vet politike. “Ne momentin që ne do kemi informacionin dhe qartësinë e duhur për koalicionet e përbëra ne do të shfaqim edhe qëndrimet tona në lidhje me këtë formulë bashkëpunimi”,- u shpreh Milo. Ndërkohë, nuk dihet qëndrimi që do të mbajë PAD nën drejtimin e Neritan Cekës, pasi ky i fundit është joshur tashmë nga disa deklarata publike të zyrtarëve të lartë të PD-së për ta përfshirë sërish në strukturat e kësaj partie Varianti i një rikthimi në krah të Berishës, duke shkrirë partinë e tij me PD dhe pozicioni që ai ka në opozitë e kanë bërë disi konfuze qëndrimin e tij, madje edhe të pamundur kontaktimin me të.