Statistikat zyrtare, shtohet numri i të papunëve në 5 vite
Ervin KOÇI
Shqipëria në 5 vite ka bërë hapa prapa porsa i përket çështjes së punësimit. Kjo, e thënë më mirë do të përkthehej se në 5 vite resht është shtuar ndjeshëm numri i të papunëve në vend. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave e dëshmojnë një gjë të tillë, duke treguar se politikat për nxitjen e punësimit në vend kanë dështuar. Në vitin 2005 qeveria e sapokrijuar e shpalli punësimin si një nga prioritetet absolute të saj. Në programin qeverisës të asaj kohe shkruhej: “në Projektin për ndryshim, mazhoranca e re dhe qeveria e saj synojnë të krijojnë mundësi për punësim të çdo shqiptari. Papunësia afatgjatë dhe e pashpresë, si urbane dhe rurale, trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit”. Krahasuar me vitin 2005, numri i atyre që sot kanë një punë sipas INSTAT-it është, 33 mijë vetë më i ulët. Në vitin 2007 për të nxitur punësimin, një nga masat kryesore që shpalli qeveria ishte përgjysmimi i taksave të punës. Krahasuar me tre vjet më parë sigurimet për bizneset janë ulur nga 31 për qind e pagës bruto në 15 për qind të saj. Për të njëjtën periudhë numri i të punësuarve jo vetëm që s'u rrit, por ka rënë me 40 mijë vetë.
Papunësia
Në fakt, rënia e numrit të punësuarve ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të administratës dhe rillogaritjes së të punësuarve në sektorin bujqësor. Por nga ana tjetër të dhënat dëshmojnë se edhe biznesi privat nuk po krijon punësim. Krahasuar me fundin e 2007-ës, numri i të punësuarve në bizneset private jobujqësore është rritur me vetëm 6600 vetë, kur paradoksalisht për të njëjtën periudhë, INSTAT thotë se janë hapur rreth 30 mijë ndërmarrje të reja. Ekspertët thonë se ekonomia shqiptare edhe pse rritet nuk prodhon punësim, një problem ky që ka prekur shumicën e vendeve të rajonit. Sipas tyre kjo situatë mund të shndërrohet shumë shpejt në një problem që prek jo vetëm mirëqenien e qytetarëve, por edhe financat e qeverisë dhe sistemin e pensioneve, përmes të ardhurave të munguara dhe rritjes së fondeve mbrojtjen sociale.
Shkaqet
Të ardhurat e Shqipërisë nga emigracioni kanë pasur një rënie neto për dy vite radhazi, duke pasqyruar papunësinë e lartë të krijuar në vendet pritëse si Greqia dhe Italia. Remitancat arritën kulmin në vitin 2007, kur Banka e Shqipërisë vlerësoi se të ardhurat nga puna në emigrim qenë 951.7 milionë euro. Por rënia qe e shpejtë në dy vitet në vijim. Në vitin 2009, emigrantët sollën vetëm 780 milionë euro, kuota më e ulët kjo e shënuar që nga viti 2004. Remitancat kanë qenë motori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare gjatë dy dekadave të fundit. Vlerësohet se çdo euro e sjellë nga emigrantët fuqizon ekonominë me 2-3 euro prodhim. Paratë që familjet shqiptare i marrin nga fëmijët e tyre jashtë, i përdorin për të paguar mallra konsumi të prodhuara në vend apo të importuara, duke shumëfishuar biznesin. Një pjesë e remitancave vendosen nëpër banka si depozita për shkak se bankat në Shqipëri ofrojnë interesa disa herë më të larta se sa bankat në vendet fqinje. Në këtë mënyrë, remitancat kanë ndihmuar jo vetëm shtimin e konsumit, por edhe shtimin e investimeve. Por situata ndryshoi me shpejtësi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Papunësia në Eurozonë, ku shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë jetojnë dhe punojnë, u rrit në 9.5 për qind të forcës së punës, niveli më i lartë i regjistruar në një dekadë. Parashikimi i Komisionit Europian është që papunësia mund të rritet deri në 11.5 për qind në vitin 2010, pra ende shumë vende pune pritet të mbyllen.
9 Qershor 2010