INSTAT: Rriten çmimet e ushqimeve dhe të librave shkollorë
Çmimet e produkteve të konsumit dhe të teksteve mësimore janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Instituti i Statistikave bëri të ditur sot se indeksi për 2008-ën është 2. 7 për qind, duke klasifikuar në top-listë, librat, çmimi i të cilëve u rrit me 73 për qind. Ndërkohë INSTAT ka bërë edhe një krahasim të çmimeve të muajve të fundit, ku rezulton se me hyrjen e vjeshtës shqiptarët kanë blerë më shtrenjt mallrat ushqimorë.
Përsa u përket çmimeve të muajit shtator krahasuar me ato të gushtit ka rezultuar se ushqimet dhe pijet jo alkolike u rritën gjatë shtatorit me 2.1 përqind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 7.2 përqind vërehet në nëngrupin zarzavate, përfshirë edhe patatet. Mësohet se është rritur ndjeshëm çmimi i kastravecave, bamjeve, patellxhaneve, domateve, barbunjave, etj. Indeksi në nëngrupin fruta shënoi një ulje prej 0.7 përqind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të rrushit, mollëve, bananeve, me 3.2 përqind, limonave me 2.8 përqind, etj.
Në ndryshim nga ushqimet, qytetarët kanë paguar më pak për transportin dhe komunikimin. Indeksi i transport shënoi një ulje prej 0.5 përqind, gjatë muajit shtator pasi çmimi i naftës u ul me 3.3 përqind. Ndërsa telefonitë celulare ulën tarifat me 13.4 perqind.