INSTAT: Shërbimet e turizmit performojnë pozitivisht, pasuritë e paluajtshme rritje të shitjeve me 38,9%

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Aktiviteti i pasurive të paluajtshme regjistroi rritjen më të madhe të shitjeve në sektorin e shërbimeve gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ndërsa aktivitetet e lidhura me turizmin vijuan gjithashtu me ritme të larta zgjerimi.
Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i shitjeve neto në volum në pasuritë e paluajtshme u rrit me 38,9% në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Në sektorin e turizmit, hotelet shënuan rritje 22%, ndërsa aktiviteti i bareve dhe restoranteve u zgjerua me 8,7%. Ndërsa agjencitë e udhëtimit paraqitën një ecuri negative, me ulje 5,4% të indeksit të shitjeve.
Rritje të konsiderueshme regjistroi edhe transporti, magazinimi dhe posta, me 19,1%, ndërsa aktivitetet e sigurimit u rritën me 8,9%. Tregtia me shumicë e pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve dhe motorçikletave, shënoi rritje 6%.
Ndërkohë, disa aktivitete shërbimi patën rënie të shitjeve. Indeksi ra me 5,3% në aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit, me 6% në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative, si dhe me 0,6% në informacion dhe komunikacion.
Të dhënat për punësimin tregojnë se rritja e aktivitetit është shoqëruar edhe me zgjerim të numrit të të punësuarve, veçanërisht në pasuritë e paluajtshme dhe hotele. Indeksi i punësimit në pasuritë e paluajtshme u rrit me 26,6%, ndërsa në hotele me 11,5%.
Rritje të punësimit u shënua edhe në transport, magazinim dhe postë, me 5,7%, si dhe në tregti, me 5,6%. Në aktivitetin bar-restorante punësimi u rrit me 2,2%.
Në disa aktivitete, megjithatë, punësimi u tkurr. Ulja më e ndjeshme u regjistrua në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative, me 12,1%, ndërsa aktivitetet e sigurimit shënuan rënie 3,5%.
INSTAT publikon statistikat afatshkurtra për shërbimet si tregues të ecurisë së aktivitetit ekonomik në sektorë të ndryshëm, duke ofruar të dhëna mbi shitjet, punësimin dhe zhvillimet në aktivitetet e shërbimit.
/e.xh/j.p/r.e/