E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT Tirana me perqendrimin me te madh te Prodhimit te Brendshem Bruto ne vend

Për herë të parë, Instituti i Statistikave publikon të dhëna për Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas rajoneve në Shqipëri.

Si një kusht i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, INSTAT ka konkluduar të dhëna në lidhje me të ardhurat për frymë për Veriun, Qendrën dhe Jugun e Shqipërisë.

Sipas këtyre të dhënave, rezulton se për vitin 2009, kur janë grumbulluar të dhëna për punësimin e të ardhurat, në rajonin qendër Prodhimi i Brendshëm Bruto ishte 467 mijë lekë, ose 29.7 për qind mbi totalin e ekonomisë.

Kurse në rajonin e veriut, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë ishte 300 mijë lekë dhe në Jug 301 mijë lekë, duke treguar kështu për një diferencë të të ardhurave në këto rajone në krahasim me qendrën.

Niveli i lartë i prodhimit të Brendshëm Bruto është i përqendruar në Tiranë, pasi sipas INSTAT aty janë të përqendruara institucionet qeveritare, por edhe zyrat qendrore të kompanive të rëndësishme.

Llogaritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto bëhet sipas metodave të Bashkimit Europian dhe është një praktikë e cila do të bëhet edhe në vijim.

Ndarja e rajoneve, mbi të cilat llogariten statistikat, caktohen nga Eurostat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›