E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varrezat e makinave të spostojnë mbetjet 1 km larg rrugëve kryesore

09/09/2011  Drafti për makinat e vjetra është hartuar nga ekspertët e tre dikastereve

Pronarët e varrezave të makinave do të jenë të detyruar që spostojnë mbetjet 1 km larg rrugëve kryesore. Kjo është një nga pikat që parashikohet në draftin e ri të hartuar nga tre dikasteret, ajo e Mjedisit, Financave dhe e Punëve Publike për të disiplinuar mbetjet e automjeteve që nuk përdoren më dhe ndotjet e shumta që sjellin ato. Sipas draftit, detyrimi do të lindë brenda një muaji, pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore. Puna kryesore është bërë nga ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, të cilët kanë hartuar tashmë një draft. E gjithë puna synon të çojë në minimizimin e problemit me mbetjet e makinave që nuk përdoren më. Burime zyrtare nga dikasteri i Mjedisit bënë të ditur se një draft i tillë është hartuar me ndihmën e specialistëve nga dikasteri i transporteve dhe ai financave dhe ka mbërritur tashmë në tryezën e Kryeministrit, Sali Berisha, për të marrë miratimin.

Ndryshimet ligjore

Të gjitha bizneset, që kanë në zotërim vendet, të cilësuara si varrezat e makinave, janë të detyruara që brenda një muaji, pasi ka hyrë në fuqi ligji, të spostojnë mbetjet 1 km larg rrugëve kryesore. Nëse këto biznese nuk i binden ligjit, atëherë komisione të posaçme verifikimi nga Ministria e Mjedisit, pasi të bëjnë kontrollet do të konfiskojnë të gjitha mbetjet e hekurta të makinave dhe do t’i dërgojnë për përdorim skrapi. Një vendim i tillë i pritshëm do t’i japë fund edhe problemit të ndotjes së mjedisit nga këto mbetje, të cilat gjenden kudo në buzë të rrugëve kryesore. Deri tani varrezat e makinave administrohen nga subjekte, të cilat kryejnë më pas shitjen pjesëve të automjeteve për persona të interesuar.

Apeli i kreut të qeverisë

Nuk është hera e parë që artikulohet një nevojë e tillë. Qeveria ka hartuar një ligj dhe ndryshimet përkatëse për t’i dhënë fund këtij problemi. Por tashmë ky është një detyrim që duhet të plotësohet edhe si rezultat i standardeve evropiane. Pak ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ka ardhur koha t’i jepet fund ndotjes së mjedisit nga varrezat e makinave, duke kërkuar largimin sa më parë të mbetjeve të automjeteve. Një vendim i tillë i pritshëm u parapri nga ligji i ri për blerjen dhe përdorimin e makinave, sipas të cilit do të taksohen më tepër në një vit makinat e më të vjetra. Nisma të tilla pritet të dekurajojnë në vijim përdorimin masiv të makinave shumë të vjetra, të cilat si rrjedhojë ndotin në një nivel të lartë ambientin. Gjithashtu, mjetet që janë tre vjet të vjetra do të përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura bazuar në faktin se ato mjete janë të reja dhe nuk sjellin ndotje mjedisore.

Politika e taksimit

Synimi i politikës së taksimit të makinave të përdorura lidhet me faktin se në Shqipëri qarkullojnë makina me vjetërsi shumë të madhe, vjetërsia mesatare e tyre është 17-vjeçare duke u bërë një burim i vazhdueshëm i ndotje së ambientit. Në mesin e vitit 2010, bazuar dhe ne rekomandimet e Komisionit Evropian, Shqipëria ndryshoi formulën e taksimit të mjeteve të përdorura të transportit, duke prezantuar edhe taksën në shitje të tyre. Aplikimi i kësaj mënyre taksimi nuk soli rezultatet e dëshiruara për vjeljen e taksës së mjeteve të përdorura të transportit. Problemet e dala ishin nga më të ndryshmet, kryesisht në përpjekjet e qytetarëve në shmangien e pagimit të kësaj takse. Ulja e numrit të ndryshimeve të pronësisë çoi në rritjen artificiale të mjeteve që qarkullojnë me akte përdorimi, pra pa ndryshuar pronësinë mbi to. Kjo çon në mosnjohjen e pronarëve të vërtetë të mjeteve rrugore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›