INSTAT: “Ulen ndjeshëm, ritmet e rritjes ekonomike”
Autori i Lajmit: Redaksia
Instituti i Statistikave ka konfirmuar zyrtarisht se ekonomia ka ngadalësuar fort ritmet e rritjes. “Rritja ekonomike është 4.1 për qind, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, u shpreh Ledion Shahini, specialist i llogarive kombëtare.
Shifrat e tre-mujorit
Tremujori i tretë ishte paralajmëruar që më parë nga FMN-ja dhe BERZH-i, si pika kur ekonomia shqiptare do të fillonte ciklin rënës. Vetëm brenda këtij tremujori, rritja ekonomike është ulur me 1.2 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë. Kjo sipas INSTAT ka ndodhur për shkak të goditjes nga kriza të disa sektorëve më kyç. “Grupi i ndërtimit shënoi një rënie 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Grupi i industrisë ka shënuar rënie 4.5 për qind krahasuar me muajin e tretë të vitit 2008”, u shpreh Shahini. Rënia mund të kishte qenë edhe më e madhe, por INSTAT-i thotë se ekonomia po përfiton nga teknologjitë e reja, si interneti apo shërbimet e tjera inovative në fushën dixhitale. “Grupi i Postë-Telekomunikacionit shënoi një rritje të tremujorit. Te ky grup ka pasur edhe ndikim edhe ulja e çmimeve në këtë grup shërbimi”, u shpreh Shahini. Nëse tendenca rënëse e tremujorit të tretë do të konfirmohet edhe në tremujorin e katërt të vitit, atëherë rritja ekonomike në Shqipëri mund të bjerë poshtë 3 për qind, aq sa parashikimet e FMN-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim.
Të ardhurat buxhetore
Shifrat e realizimit të detyrimeve buxhetore janë më të ulëta se ato të parashikuara në ligjin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2008. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, rezulton se, për 11-mujorin 2008 ishin parashikuar 272.2 miliardë lekë të ardhura buxhetore në total. Por gjatë 11 muajve të këtij viti shifra është më e ulët, rreth 268.2 miliardë. Në të ardhurat tatimore, shifra për vitin në vazhdim është afro 1 miliardë lekë më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, nga Tatimet e Doganat bashkë, të ardhurat janë më të larta se vjet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale rezultojnë, gjithashtu me rritje krahasuar me një vit më parë. Këto janë të vetmet taksa që dalin me shifra pak më të larta se vjet. Por, me akcizat ka një nivel më se 3 miliardë lekë më të ulët se një vit më parë, ndërsa tatimfitimi për ndërmarrjet është gjithashtu 1 miliard lekë më i ulët. Edhe taksat nacionale janë në nivel më të ulët, ashtu si edhe taksat doganore, por këto të fundit kanë si tendencë uljen graduale.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009