Vrasja në Levan, edhe tre në pranga
Autori i Lajmit: Redaksia
Janë arrestuar dje në mëngjes 2 nga autorët e rrëmbimit dhe ekzekutimit të 32-vjeçarit nga Fieri. Trupi i emigrantit u gjet të shtunën paradite nga kalimtarë të rastit, në një tunel të ish-repartit të tankeve në fshatin Levan të Fierit. Policia informon se 17-vjeçarët Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani janë arrestuar sot në mëngjes, ndërsa i dyshuari si autor i tretë, Miço Osmani, 18 vjeç, ishte arrestuar dy ditë më parë. Në pranga ka përfunduar edhe Thanas Abedini, i dyshuar për përkrahje të autorëve. Sipas të dhënave të para të hetimit, pas vrasjes tre autorët po kërkonin të largoheshin në drejtim të Greqisë, për të humbur gjurmët, dhe për këtë do ti ndihmonte Abedini.
Policia
Sipas policisë, Hazizaj me automjetin e tij kishte kaluar në fshatin Levan të Fierit, ndërsa ikte për në Frakull. Tre adoleshentët akuzohen se e kanë ndaluar dhe i kanë hipur të armatosur në automjet, duke e drejtuar për në tunelin e ish-repartit të tankeve të ushtrisë. Aty i kanë marrë 3 mijë lekët që kishte me vete, celularin dhe sende të tjera personale dhe më pas e kanë ekzekutuar me armë automatike. Autorët kishin përdorur sërish mjetin e viktimës për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur nga banorët rreth 2 kilometra larg vendit ku u ekzekutua Hazizaj. Po sipas burimeve policore, mjeti ishte lënë pranë lagjes së tre romëve të dyshuar si autorë. Të sinjalizuar nga banorët për mjetin e braktisur, oficerët e shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë kryer krehjen e zonës duke gjetur më pas brenda në tunel, trupin e pajetë të Hazizajt. Policia ka vijuar me grumbullimin e informacioneve në rrugë operative për personat që ishin parë të lëviznin me mjetin e braktisur. Ishin këto informacione që zbuluan se në makinën e viktimës kishin qenë tre të dyshuarit, dhe kaq ka mjaftuar që shërbime të shumta të policisë të nisnin kontrollet në banesat e tyre. Policia ka gjetur vetëm Miço Osmanin në banesë, ndërsa dy të tjerët rezulton të ishin larguar fill pas ngjarjes.
Ngjarja
Leonard Hazizaj, emigrant periodik në Greqi, u gjet i hedhur në një cep rruge, ku kalonin pak kalimtarë, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilerisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës. Kalimtarë të rastësishëm, banorë të zonës, panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës dhe njoftuan policinë. Viktima ishte qëlluar me një pistoletë në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij. Forcat policore dhe agjentët e antikrimit, bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja dhe minutat pararendëse. Më herët, para se të bëhej i mundur identifikimi i të ndjerit, policia tha se bëhej fjalë për një mashkull në moshën rreth 40-42 vjeç. Mësohet se Leonard Hazizaj, 32-vjeçar nga Fieri, ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjeve duke i dërguar një tortë për të uruar festën. Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur, të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty.
Dëshmia: “Hazizaj më vrau babanë”
Miço Osmani, njëri nga të arrestuarit për vrasjen e emigrantit Leonard Hazizaj, javën që shkoi në Levan të Fierit, është marrë në pyetje ditën e djeshme menjëherë pas arrestimit. Seancat e marrjes së deklarimeve prej tij kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes së djeshme, ndërsa mësohet se 18-vjeçari i ka dhënë një ngjyrim hakmarrjeje ngjarjes që nga policia është klasifikuar deri më tani si një grabitje ordinere. “Në vitin 1997, Hazizaj më la jetim, pasi më vrau babanë”,- ka thënë i arrestuari. Sipas tij. i ati, Isuf Osmani, ishte vrarë bashkë me disa romë të tjerë në mars 1997 në lagjen “1 Maji” në Fier.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009