INSTAT mimet e konsumit vijojne renien

Çmimet e produkteve ushqimore kanë shënuar për muajin prill një ulje të ndjeshme krahasuar me muajin mars duke ndikuar kështu në indeskin e cmimeve të konsumit që krahasuar më një muaj më parë është ulur me 0,1%. Kjo ulje tregon se inflacioni minimal dhe rreziku i deflacionit ishin fenomene kalimtare. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, inflacioni ka shënuar një rritje për prillin me 1,6% për të dytin muaj në radhë. Kryesisht ulje ka shënuar indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0.4 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 5.2 përqind është vërejtur në nëngrupin ”zarzavate përfshirë patatet”. Por, ulja e çmimeve nuk duket se ndalet vetëm tek produktet e freskëta. Sheqeri dhe ëmbëlsirat kanë pësuar rënie 0.2 %, dhe drithërat e vajrat me nga 0.1 %. Rënia e çmimeve të këtyre të fundit duket se ka ardhur më shumë për shkak të uljes së kërkesës konsumatore, e jo nga rritja e prodhimit. Gjithashtu zyra e statistikave bën me dije se indeksi i cmimeve për produktet “Qera, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ka shënuar një rritje prej 0.4 përqind, ku mund të veçohet rritja e tarifave të ujit të pishëm me 6.9 përqind. Ndërsa indeksi i grupit “Shendeti” ka shënuar për prillin një rritje prej 1.0 përqind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve shënuan një rritje prej 1.3 përqind. Rritja e çmimeve po i afrohet nivelit të 2%, të vendosur si objektiv nga Banka e Shqipërisë e cila ka parashikuar se inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë këtj vitit do të luhatet mes 0.7% – 2.8%.