E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish/pronarët, 6 mijë e 500 dosje do kompensohen deri më 2014

Deri në prill të vitit 2014 Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shqyrtojë rreth 6 mijë e 500 dosje të ish/pronarëve. Dje Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës, ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, së bashku me amendamentet e kërkuara nga deputeti Enkelejd Alibeaj.
Afati i AKKP-së
Në ndryshime përfshihet edhe propozimi i ministrisë së linjës, për shtyrjen e afatit të funksionimit të Agjencisë, deri në prill të vitit 2014. I pranishëm, në komision ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi deklaroi se strategjia e re, që pritet të hartohet do të japë zgjidhje në mënyrën e duhur për subjektet e shpronësuara.
Vlera e kompensimit
Sipas ministrit Halimi, vlera e kompensimit do të jetë sipas standardeve kombëtare, që bazohen në tre komponentë përbërës së pronës. Brenda një viti e gjysmë pikërisht këto 6500 dosje do të shqyrtohen nëpërmjet dy metodave: Me metodën që ka të bëjë me ristrukturimin e agjencisë si dhe me metodën tjetër, e cila do të ezaurojë një numër jashtëzakonisht të madh dosjesh, në mënyrë të shpejtë të paktën brenda muajve të parë që ligji do të hyjë në fuqi, shprehet Halimi.
Qeveria/Kuvendi
Projektligji i Ministrisë së Drejtësisë i kalon qeverisë të drejtën për të hartuar hartën e re të çmimeve për kompensim, duke ia hequr Kuvendit që e kishte më parë. Qeveria kur të miratoj formulën dhe këto komponentë ku është vlera e tregut e përbërës të tjerë, në 2014 do të ketë një komponent tjetër. Pra, mbas dy vjetësh mund të ketë një formulë tjetër, tha ministri Halimi.
Debatet
Në cilësinë e kryetarit të PR-së, ministri Mediu kërkoi shtimin e numrit të punonjësve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe përshpejtim të afateve, kërkesa të cilat, megjithatë nuk u përfshinë në ligj. Kreu i Republikanëve deklaroi se pr/ligji për pronat ka nevojë për përmirësime dhe për këtë arsye ka kërkuar 2 muaj kohë për të dërguar një formulë të re në qeveri për këtë çështje. Ndërkohë deputeti Majko theksoi se është e papranueshme që dy ministra të kenë qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Kule fton homologun grek në Tiranë
Rektori i universitetit Aristotelis në Selanik, Prof.Janis A. Mylopoulos pritet të vizitojë Shqipërinë, pas një ftesë që i ka bërë rektori i Universitetit të Tiranës z.Dhori Kule. Rektori grek e ka parashikuar vizitën e tij në vendin tonë rreth datave 10-12 maj. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ai do të zhvillojë takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Arsimit Myqerem Tafaj. Universiteti Aristotelis i Selanikut është një nga Universitetet më të mëdhenj në Greqi. Në këtë Universitet janë atashuar 12 fakultete dhe 42 departamente, ku studiojnë rreth 80 000 studentë. Personeli akademik (profesorë, profesorët e asoociuar, lektorë si dhe stafi kërkimor-shkencor) përbëhet nga 2200 persona. Konsulli shqiptar në Selanik z.Poda në takimin me të, bëri një paraqitje të zhvillimeve të fundit në sistemin universitar publik dhe atij privat në Shqipëri, duke vënë theksin kryesisht në mundësitë e një bashkëpunimi më të gjerë mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Aristotelis. Rektori Mylopulos, vlerësoi idenë e shkëmbimeve në drejtim të stafit akademik, studentëve dhe projekteve. Rektori nënvizoi se pranë Universitetit Aristotelis studiojnë 159 studentë, pasuniversitarë dhe doktorantë shqiptarë, nga të cilët 85 mbështeten me bursë nga shteti grek dhe tetë prej tyre nga vetë Universiteti.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Basha uron homologun londinez për mandatin e dytë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka dërguar një letër urimi, me rastin e rizgjedhjes në krye të Bashkisë së Londrës, z.Boris Johnson. Në letër Basha shpreh kënaqësinë e veçantë, të tij dhe të qytetarëve të Tiranës, për rizgjedhjen e z.Johnson në postin e kryetarit të Bashkisë së Londrës, si dhe i uron sukses në realizimin e axhendës së tij në shërbim të qytetarëve londinezë. Sipas Bashës me votën e tyre, qytetarët londinezë votëbesuan vazhdimin e programit të z.Johnson për përmirësimin e cilësisë së jetës. Unë, gjithashtu, dua tju uroj suksese në organizimin e Lojërave Olimpike, të cilat do ta shndërrojnë Londrën ne kryeqendrën e botës. Përgatitjen e deritanishme janë mbresëlënëse. Unë nuk kam dyshim se qyteti juaj do të shndërrohet në shtëpinë e përkohshme të mijëra  konkurrentëve dhe miliona spektatorëve që do të bëjnë Anglinë krenare këtë verë. Unë dua tju siguroj ju z.Kryetar se për mua dhe qytetin e Tiranës, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Londrën është dhe mbetet një përparësi e veçantë, shkruan Basha në letrën e tij. Në fund të letrës krye/bashkiaku i Tiranës i bën një ftesë homologut të tij londinez ndërsa i shkruan: Më lejoni gjithashtu të shpreh dëshirën time të thellë për tju mirëpritur në Tiranë dhe një herë tju uroj shumë sukses këtë verë dhe gjatë mandatit tuaj të dytë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›