E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Baze: Çdo të ndodhë brenda PD-së dhe të djathtës pas humbjes së zgjedhjeve

3543_544506955602083_2080112373_nFlet për gazetën Dita, publicisti Mero Baze

 

A i ndryshon raportet brenda PD-së ikja e Metës?

I ka ndryshuar tanimë. Lulëzim Basha nuk arriti dot të ngjiste në strukturat e PD-së as si ministër dhe as si drejtues i PD-së, dhe e vetmja periudhë lulëzimi e tij ishte aleanca me Ilir Metën nga viti 2009. Në një farë mënyrë i ngjiti muhabeti me dikë tjetër si ai, që nuk ndjehej rehat në shtëpinë ku kish hyrë dhëndër brenda.

Ata krijuan të dy një pol të rëndësishëm pushteti, të cilin Meta diti ta menaxhojë mirë deri në fund. Përmes Bashës ai vuri në gjumë Berishën për një aleancë afatgjatë, dhe po përmes Bashës, ai arriti të heqë qafe atë pjesë të pushtetit që nuk e donte dhe e survejonte çdo çast. Ishte një raport i vërtetë pushteti mes tij dhe Bashës, që tashmë nuk ekziston më. Poli tjetër i pushtetit, tashmë ka të drejtë të ndjehet i tradhtuar nga përdorimi që Meta i ka bërë pushtetit të PD-së përmes Bashës. Kjo është një thyerje e madhe.

Nëse humbasin në 23 qershor, si e parashikoni “verën” e PD-së?

PD do të humbasë në qershor dhe e vetmja gjë që kam parasysh është rikthimi i Berishës në PD. Të tjerët nëpër zyrat e tyre, të pahapura për 8 vite.

Jeni shprehur në editorialin e fundit se Ilir Meta me bashkimin e votave me PS-në në Këshillin Bashkiak, po i shërben tangent Bashës duke e bërë të duket si të viktimizuar atë. Cili është interesi i Metës për të ruajtur një linjë afatgjatë me korridorin e Bashës në PD?

Ilir Meta ka nevojë të jetë faktor politik mes PD dhe PS. Paqja e tij e madhe me Ramën, dhe një derë e hapur nga opozita e ardhshme, i japin atij pozicionin më komod në politikën shqiptare.

Duket se ekuilibri mes klanit të rioshëve që përfaqësohet nga Basha dhe klanit të drejtuesve të vjetër të PD-së (Topalli, Olldashi) është ruajtur nga autoriteti absolut i Berishës në të dyja rrymat. Nëse Berisha heq dorë nga kreu i PD-së, çfarë parashikoni ju se do të ndodhë?

Kur Berisha të ikë nga PD-ja, do ketë ikur dhe nga kjo botë. Dhe pas kësaj nuk do kenë më rëndësi këta emra që po përmendni sot. Do jenë harruar deri atëherë.

Në rast të ardhjes në pushtet të opozitës më 23 qershor, duke qenë se Meta do të menaxhojë pushtet, mendoni se do të investohet në mbështetjen e Bashës për ta bërë atë drejtuesin e së djathtës shqiptare?

Meta është i gatshëm të bëjë më të mirën për Bashën, por Basha ka një rreth më të zgjeruar simpatish jashtë PD-së, ose rrotull saj, se sa të tjerët. Ai përveçse është aleat i Metës, ka marrëdhënie nëntokësore të mira dhe me ish- disidentë të PD-së, me njerëz që kanë probleme me pushtetin e PD-së etj. Ndoshta ju duket pak e ekzagjeruar, por dhe ish- Presidenti Topi është më afër Bashës se sa PD-së në çdo variant. Basha nuk ka konsumuar luftën e Berishës ndaj të tjerëve, por ka marrë vetëm të mirat e pushtetit të Berishës. Grupi përballë tij është një grup lufte, që është përdorur në opozitë dhe pushtet si çomange e Berishës. Basha është përdorur për të qeshur, pozuar dhe natyrisht për të vjedhur.

Shpesh jeni shprehur në editorialet tuaja se PD-ja praktikisht funksionon si pronë familjare e Berishës. Mendoni se një ujk i vjetër si Berisha do ta linte këtë pronë të shqyhej mes klaneve rivale dhe të tërhiqej pa garantuar më parë pasardhësin që do garantonte unifikimin?

Berisha ka një parim që nuk shikoj se ka shanse ta ndryshojë. Ai ecën me parimin pas meje, qameti. Ashtu siç lë pushtetin, gjithmonë si një tokë e djegur, ashtu do ta lërë dhe PD. Është qesharak ai njeri që mendon se Berishës i shkon mendja ndonjëherë tek pasardhësi. Ai ka parimin se zotat nuk kanë pasardhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›