INTERVISTA/ Hervin Çuli: Shqipëria e deformuar e Sali Berishës
Kështu e quan kryeministrin në fushatë regjisori Hervin Çuli, teksa pranon se nga i gjithë kjo maskaradë premtimesh boshe i vjen për të qarë. Lideri demokrat, të cilit i pat dhënë dhe votën, e bën atë sot të ndihet fajtor për naivitetin e dikurshëm. Në këtë intervistë për JAVA, ai vë gishtin mbi degradimin e sistemit administrativ në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar të udhëhequr nga drejtues militant që po e transformojnë artin
Nga Gladiola Bendaj, JAVA
Pak kohë më parë, teksa vendosi të angazhohej në një prej emisioneve më të rinj televiziv, të quajtur thjesht Paçe me gazeta, regjisori Hervin Çuli, pat menduar se gjithë këtë tollovi premtimesh e zhuzhimash elektorale, pasqyruar sipas orekseve nëpër mediat e shkruara, mund ta shohësh shumë më ndryshe nën lupën babaxhane të njerëzve të zakonshëm. Në një parodi të mbështetur në atë sillën e përditshme politike, që ai dhe ata e gëlltisin si pacen, si Shqipërinë e vërtetë…
Por, ja që prapëseprapë, ajo çka ndodh vërdallë në këto ditë që ziejnë, nuk mund të përcillet dhe me aq sportivitet nga artisti që prej vitesh nuk është treguar indiferent ndaj jetës politike e sociale të vendit. Jam i hidhëruar edhe sepse nuk mundëm ta heqim qafe këtë njeri shumë vite më parë kur e kishim mundësinë, por përkundrazi me naivitetin tonë e përkrahëm. Ky naivitet herë pas here më bën të ndjeshëm, thellësisht fajtor, thotë ai, teksa pranon se gënjeshtrat e përditshme të kryeministrit, që dikur i ka dhënë votëbesimin, sot e bëjnë për të qarë.
Duke mos harruar të përmendë degradimin e sistemit administrativ në tempujt e artit dhe kulturës, siç është Teatri i Operës dhe Baletit dhe Teatri Kombëtar, Çuli akuzon hapur drejtuesit e tyre që i kanë kthyer ato në fole burokratësh që nuk punësojnë e përkrahin më talentin dhe ata që e meritojnë vendin e punës, por idhtarët dhe militantët e PD-së.
Shpresmirë tek ndryshimi i situatës, gjatë një interviste për JAVA regjisori Hervin Çuli zbulon hapur votën e tij për socialistët, edhe pse preferon ta quaj atë një votë të kushtëzuar.
Zoti Çuli, ju keni qenë tradicionalisht i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike të vendit. Si po e përjetoni këtë fushatë elektorale?
Vazhdoj të jem i ndjeshëm e goxha i angazhuar edhe në këtë fushatë. Vazhdoj të shpresoj që gjërat do shkojnë në drejtimin e duhur, e më në fund të gjithë ne shqiptarët do kemi mundësinë të jetojmë në një vend normal, ku gjithsecili vlerësohet për atë që vlen, ku të thuash atë që mendon është privilegj dhe jo frikë, ku fëmijët tanë edukohen me modelin e së mirës dhe jo me modelin e heroit të degraduar që u shfaqet pareshtur nga mëngjesi deri në darkë nëpër ekranet e televizionit. Kjo fushatë përditë e më shumë më mbush me zemërim dhe trishtim. Kryeministri shqiptar po përpiqet ti vërë përfundimisht brirët popullit të tij. Një nga thëniet e famshme që udhëhiqte në politikë Hitlerin ka qenë: Sa më e madhe të jetë gënjeshtra aq më shumë e hanë njerëzit. Berisha po e zbaton me përpikëri këtë model. Gënjeshtrat e tij nuk kanë të sosur. Fatkeqësisht, kryeministri ynë është një klloun qesharak që shumë njerëz të mençur i bën të gajasen, por mua sinqerisht më bën për të qarë. Shikoni si tallet me kohën televizive, si tallet me popullin e tij, si tallet me ndërkombëtarët, si tallet me vetë Partinë Demokratike; shikoni se si është i gatshëm të thotë e bëjë gjithçka vetëm e vetëm për të ndenjur në pushtet. Shprehjet e tij në këtë fushatë do më ngelen gjatë në memorie. Një prej tyre s’kam për ta harruar kurrë, madje me siguri do jetë pjesë e ndonjë shfaqjeje të ardhshme. Ai iu drejtua fermerëve me këto fjalë: Nëse nuk do isha bërë kardiolog, patjetër mue do isha bërë fermer…. O Zot, për të qarë dhe për të qeshur! Ish komunisti i ri Sali Berisha, në kohën kur u lind e u rrit, mund të ishte e shumta ose Kryetar Kooperative ose pjesë aktive e fshatarësisë punonjëse, po kurrsesi fermer. Fermerët në atë kohë u zhdukën nga ai dhe Partia e tij e Punës. Vini re, çdo fjali e Berishës fillon me fjalët: Unë ju jap ju fjalën e nderit, që 4 vjetët e ardhshme…, duke na kujtuar në çdo moment se ska ndërmend as ta mendojë më pas atë që ka premtuar, pasi ai që përbetohet asnjëherë nuk e mban fjalën e dhënë. O Zot, a nuk po thotë se kam hapur 200.000 vende pune dhe përbetohet se do hapi dhe 250.000 të tjera?! Ja pra, ky tani me këtë premtim mund të punësojë dhe grekët, se me shqiptarët ka mbaruar punë që tek 200.000 mijëshi i parë. Ky njeri i pabesë e gënjeshtar vazhdon të çirret duke pështyrë vetëm zanore histerike për kundërshtarët e tij politikë, e as përpiqet më të ketë qoftë edhe një moment normaliteti elektoral. Zhurma që shpërndan mund të mashtrojë ata që kanë ndarë mendjen për tu mashtruar, që i ndjekin mitingjet e tij qorrazi, por kurrë më shqiptarët e ndershëm. Jam i hidhëruar edhe sepse nuk mundëm ta heqim qafe këtë njeri shumë vite më parë kur e kishim mundësinë, por përkundrazi me naivitetin tonë e përkrahëm. Ky naivitet herë pas here më bën të ndjeshëm, thellësisht fajtor. Them se kështu duhet të ndjehen edhe shumë të tjerë si unë që dikur e kanë votuar. Kështu do të ndjehen shumë shpejt edhe ata që vazhdojnë ta votojnë, prej interesit apo naivitetit qoftë. Do pendohen edhe ata që e votojnë për interes, sepse qorrsokaku ku i ka degdisur Saliu u ka marrë gjithçka, emrin nderin, lirinë e tyre. Kam biseduar me shumë njerëz të ndershëm, por edhe me dallkaukë që vazhdojnë ti shërbejnë, e të gjithë nën zë thonë si për ti dhënë gajret vetes: Kjo është politika, të gjithë e dimë se si funksionon. Çudia më e madhe tri ditë zgjat. Kur të largohet gogoli të gjithë do harrojnë se çkemi thënë e çkemi bërë dhe do merren vetëm me të. Edhe ne vetëm me të do merremi. Ja, sa ti shkasi këmba. E kuptoni, edhe në PD asnjë nuk e do, asnjë nuk e beson, vetëm e kanë frikë. Kjo pra është Shqipëria e Sali Berishës, një Shqipëri e deformuar, një Shqipëri e frikësuar.
Sa prezente është politika në art? Në ç’raport qëndrojnë artet skenike, me aktivitetin politik? A është ky një raport i drejtë?
Fatkeqësisht politika është shumë e përfshirë në art. Në fakt, politika duhet të jetë e përfshirë në art, ose më mirë arti duhet ta përfshijë politikën, por në një formë tjetër nga ajo ku synon pyetja juaj. Arti i madh është i pandarë nga politika, ndaj çdo vepër e madhe artistike kthehet në një akuzë të ashpër për fenomenet negative që na rrethojnë. Çdo vepër e madhe akuzon, çdo vepër e madhe demaskon korrupsionin, autokracinë, vesin, krimin