INTERVISTA/ Ligjet socialiste të fizikës
Asnjëherë nuk është ndarë nga PS-ja. Dera e përfaqësimit të Shkodrës, që iu hap këtë herë, e çon drejt një jetë të re përgjegjësish politike, së cilës do ti kushtohet me të gjitha forcat. Beson tek vota shkodrane, për një parti që do të sjellë shpresën
Nga Alqi Koçiko*
Ajo kishte mbetur pak e pakënaqur, kur një mini-intervistë e saj në një të përditshme të Tiranës javën e kaluar, ishte shoqëruar me pak rreshta kurrikulum ku ja bënte mu pasaktësia. Shkruhej se kisha mbaruar gjimnazin Çajupi në Tiranë, në një kohë kur së pari, shkollën e mesme e kam mbaruar në Shkodër, e së dyti, gjimnazi në fjalë as ishte ngritur në kohën time. Dhe në një bisedë paraprake me zonjën Mimoza Hafizi, emri i parë i listës socialiste në qarkun e Shkodrës, zgjatemi natyrshëm tek cv-ja. Sepse është bërë rutinë shekullore tashmë, që një personi tja veshësh profesionin thjesht për hatër të diplomës së shkollës së lartë. Kështu themi inxhinier, avokat, jurist etj, me një lehtësi që e ofendon profesionin vetë. Për këtë pikë, një tërheqje elegante veshi, fizikantja shkodrane Mimoza Hafizi na e bën edhe gjatë intervistës që do lexoni.
E pra, ajo është fizikante në kuptimin më të plotë të fjalës. E diplomuar në degën e fizikës speciale në vitin 1985, shoqëruar me medaljen e artë një vit më pas, që nga ajo kohë për Mimoza Gjurgjajn (Hafizi) do të niste një rrugëtim i pandalshëm shkencor. E përmbledhur në tekst, veprimtaria e saj në këtë lëmë do të donte më shumë faqe për tu shkruar sesa ky shkrim. Dhe tek e fundit, nuk është ky qëllimi. Fjala vjen, sa lexues përfshirë dhe autorin e këtyre rradhëve, do tja kishin idenë tezës së saj të doktoraturës në Universitetin Paris 7, Fushat Skalare Komplekse në Përafrimin Gausian. Yjet Bozonike?
Me siguri, as kryetari i PS-së Edi Rama, nuk ja thotë në këtë fushë, por ai pati nuhatjen e duhur për të prezantuar socialistët shkodranë në parlament, me emrin e Mimoza Hafizit të parin. Zëvendësministrja e Arsimit në qeverinë e parë socialiste pas 97-ës, përgjegjësja e departamentit të Fizikës në UT deri para tre muajsh dhe sot kandidatja për deputete, është e bindur se këtë herë Shkodra do të bëjë diferencën. Për cilat arsye do të ndodhë kjo, le ta zbulojmë më poshtë.
-Zonja Hafizi, vendosja e emrit tuaj në krye të listës së PS-së për qarkun e Shkodrës ishte një surprizë e dytë për opinionin publik, po aq sa çishte riangazhimi juaj partiak, i anonçuar nga vetë kryetari socialist Edi Rama. Po për ju vetë çpërfaqëson ky rikthim, si e përjetuat?
Rikthim? Jo, sishte rikthim! Unë kam qenë aty, pa ia da, siç themi ne shkodranët. Herë dukshëm e herë në sfond, herë me zhurmë e herë me heshtje, herë faktor e herë aktor, kam qenë pjesë e çdo ngjarjeje të rëndësishme të katër viteve të vështira opozitare të PS. Kam mbështetur grevën e urisë me ditë e me natë, kam protestuar mes plumbave të 21 Janarit, kam mbajtur një copë nga pesha e rëndë e zgjedhjeve të 8 Majit në Tiranë e kam ngritur bashkë me shoqet Forumin e Gruas Socialiste. Ju e perceptoni si rikthim, ngaqë politika në syrin e gazetarit sillet rrotull deputetëve. Por një parti do ishte tepër e varfër, madje inekzistente nëse mbahet vetëm nga deputetët e saj, apo jo?
Ajo çfarë perceptohet si rikthim ishte vetëm shpallja në listën e kandidatëve për deputetë. E para, në qarkun e Shkodrës nuk ishte aq një surprizë sesa një ngjarje e bukur për mua dhe qytetin tim, me të cilin më lidhin fillimet e jetës. Jam lindur e rritur në Shkodër, jam shkolluar deri në maturë në gjimnazin e saj me emër, ndër më të hershmit e më të dëgjuarit për brezat që ka shkolluar. Pas 30 viteve të mbushura plot me shkencë, do jem deputete e Shkodrës – kjo është një derë që mu hap drejt një jete tjetër, së cilës dua ti përkushtohem në të gjitha përmasat.
-Kryetari Rama ju falenderoi publikisht ju dhe Musa Ulqinin, si socialistë të vërtetë që nuk mbajtën inate edhe kur u spostuan nga strukturat drejtuese të PS-së. Njëfarë mea culpa nga ana e tij, apo jo? Si ndodhi kontaktimi dhe njoftimi për këtë kandidim?
Mendoj se më tepër ishte konkluzioni i një refleksioni të gjatë lidhur me marrëdhënien individ-parti. Sidomos në një parti të madhe si PS; i refleksionit që partia të jetë mjedisi ku lidhja mes kontributeve e vlerave të gjithsecilit të jetë lineare me karrierën partiake e politike. I refleksionit që individi të dijë ti shpenzojë pozitivisht energjitë e emocionet e veta në këtë mjedis. Jo për të goditur e shkatërruar, po për të ndërtuar a përmirësuar ngrehinën e përbashkët.
Njoftimi? Unë e dija paraprakisht që do isha në listën e Shkodrës, por vetëm në çastin e komunikimit mediatik e mora vesh se do prezantoheshim bashkë me Musain. Dhe se kryetari do jepte atë mesazh, që ju e quani mea culpa. Më erdhi mirë, kuptova se historinë tonë të përbashkët të atij bashkëpunimi të gjatë e kishim përjetuar fort jo vetëm ne, por edhe kryetari.
-Në fakt, sipas jush si ka evoluar PS nën drejtimin e zotit Rama?
PS është kthyer në një parti europiane me plot kuptimin e fjalës. Parti me program të qartë, me ekipe të plota e shumë cilësore, me motorë të ndezur gjithë kohën. Parti ku secili e sheh të shkruar kontributin e vet, qoftë në program e qoftë në rezultate. E njoh gjerësisht dhe e respektoj këtë parti, jo vetëm për lidershipin energjik e të talentuar, por edhe për bazën, militantët e saj të përkushtuar, qytetarë të devotshëm të vendit tonë.
-Kryesoni listën socialiste në Shkodër, ndërkohë që përballë jush është nënkryetarja e PD-së Topalli. Tashmë keni ngritur çadrat në Shkodër për fushatën elektorale. Si e ka pritur elektorati listën socialiste e kandidimin tuaj në veçanti, në perceptimet e kontaktet që keni pasur?
Lista e kandidatëve të PS për deputetë është mirëpritur, sepse integron përbërëset më me peshë të realitetit shkodran, komunitetet, shtresat sociale e origjinat krahinore. Kjo listë ka ngjallur besim për nga cilësia dhe përkushtimi i kandidatëve, njerëz me formime e profesione të ndryshme, që nga arsimi, mjedisi, traditat historike dhe arkitekturore, prodhimi, ndërtimi, shëndetësia. Skuadra socialiste është aktive sepse bashkon stilet e ndryshme të komunikimit dhe lidhjes me elektoratin, bashkon përvojën e gjatë me risinë, njohjet derë më derë me komunikimin mediatik.
Unë vetë jam profesore në fizikën teorike, pas një rrugëtimi të gjatë e me plot ngjarje të bukura në jetën shkencore, për të cilin shumë nga qytetarët e Shkodrës kanë qenë të vëmendshëm. Kam mbaruar me