Nishani dekoron Cocciante si mik të shquar, që promovoi vlerat shpirtërore të shqiptarëve
Ashtu siç pritej, Bujar Nishani ka dekoruar gjatë ditës së sotme me titullin Naim Frashëri këngëtarin italian Riccardo Cocciante.
Motivacioni i dekorimit: Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore.
Në njoftimin e Presidencës për këtë takim thuhet se, duke i shprehur mirënjohjen kantautorit Cocciante për mbështetjen e pakufishme që i dha këngëtares së re shqiptare si mentor i saj, presidenti Nishani theksoi se inkurajimi për Elhaidën është tregues i mbështetjes ndaj kulturës dhe artit shqiptar në botë.
Kreu i Shtetit u shpreh se shqiptarët janë shumë krenarë për suksesin e Elhaida Danit dhe nënvizoi faktin se kultura dhe arti janë shumë të rëndësishme në komunikimin mes popujve.
Është vështirësisht e besueshme, por është fakt, se në një kohë tjetër tashmë të perënduar jo fort të largët, që nuk zgjati pak por dhjetëra vite, ishin këngëtarët italianë që me muzikën e tyre, meloditë dhe tekstet e atyre këngëve, u bënë shqiptarëve një shërbim tepër të madh; I bënë të ëndërronin! Ata këngëtarë italianë, njëri prej të cilëve jeni sigurisht Ju Zoti Cocciante, kanë luajtur një rol absolutisht të rëndësishëm për ruajtjen e drejtpeshimit shpirtëror të shqiptarëve, tha Nishani gjatë fjalës së tij./b.l