E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Majko: Basti i jetës për Ramën është nxjerrja në pension e Berishës

Share

Majko: Kur ndryshimi të ndodhë, do jem i mërzitur, sepse pasardhësit e Beishës nuk do jenë elefantë, por dhelpra

Ish-kryeministri i Shqipërisë, në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, dhe tani anëtar i kryesisë së PS-së, nuk e konsideron tabu temën e bashkimit kombëtar, nëse ajo diskutohet hapur. Ai tha se ta konsiderosh tabu një temë të tillë, minimalisht është inferioritet. Në një intervistë ekskluzive për Kosova.info, Majko deklaroi se midis Shqipërisë dhe Kosovës, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë majtistë dhe djathtistë, por vetëm interesat  e përbashkëta që dy siamezët ballkanik do ti ndjekin derisa të ketë shqiptarë në këtë anë të botës. Por, Majko ka një befasi. Ai do të vijë në shtator në Kosovë, të çojë nipin e vet në shkollë. Për këtë, Majko thotë se as për fëmijët e tij nuk ka pasur kaq emocion. Brenda nipit tim, Pirros, fle Shqipëria e Madhe…Varianti i tim vëllai. Sigurisht, theksoi z. Majko. Ai fton të gjithë shqiptarët anekënd botës, që me prezencën e tyre në Vlorë, të festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Z. Majko, si e shihni mungesën e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë?

Mungesa e konsensusit në zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte e pritshme. Ngarkesat politike në këtë proces ishin mjaft të larta. Interesante ishte edhe kontraktimi i brendshëm në mazhorancën aktuale. Përfundimisht, lodrat për pushtet shmangën kandidatura të së djathtës si Topalli apo Bode që jashtë çdo dyshimi ishin edhe më të mira se sa kandidati i minutës së fundit…Por, analizat në të tilla raste janë të tepërta. Po flasim për Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Kjo, dhe arsye të tjera, më shtyjnë ti uroj punë të mbarë në një detyrë aspak të lehtë.

Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen PD dhe PS për reformën zgjedhore?

Pandeli Majko: Është kompromis i pjesshëm në një kohë krize dhe mosbesimi të lartë. Emigrantët mbetën jashtë procesit zgjedhor si një handikap i mosfunksionimit të sistemit tonë politik. Po vrapojmë drejt zgjedhjeve më të mira se ato të kaluarat dhe vështirë të ndodhë që ato të quhen të lira dhe të ndershme… Pjesërisht, janë edhe eksperimentale, me metodat e reja teknologjike që do kryhen në dy qarqe (Tiranë dhe Fier) për identifikimin dhe numërimin elektronik. Në zonat e tjera do respektohet zakoni i vjetër dhe shpresoj të mos na përsëriten historitë e vjetra të manipulimit. Kjo sëmundje manipulimi zgjedhor është bërë thuajse bezdisëse për mbarë shoqërinë shqiptare si një fillim i kapitullit grotesk për krizën e radhës me klithma e psherëtima dhe pohim i pamundësisë për të pranuar njëri tjetrin për aq sa është… Një sherr banal për ndarje plaçkë që i ngjan asaj të dy prindërve të divorcuar pa pyetur për sytë e shtangur të fëmijëve në mes tyre… Kjo edhe arsye të tjera ja ua ka sjellë në majë të hundës, sidomos brezit të ri, raportin me politikën. Është e dhimbshme.

Si po shkon procesi i Shqipërisë drejt marrjes se statusit te vendit kandidat në Bashkimin Evropian?

Me pak humor dhe ironi shpesh ju them kolegëve në parlament se: Shyqyr që kemi këtë procesin e integrimit ne Bashkimin Evropian…! Çfarë do bënim pa të!?

Realisht pa këtë proces, jashtë çdo ironie, jeta shqiptare do të ishte kthyer në një rrokanisje administrative palësh ku standardet dhe stacionet e ecjes do rrezikonin të ishin thjesht një ëndërr pijanecësh. Në varfërinë politike të Tiranës procesi i integrimit në BE krijon tek e fundit një debat të vërtetë për atë që bëhet mirë ose keq… Ose edhe që nuk behet fare. Po ecim ngadalë. Prevalojnë interesat politike. Pse? Sepse nuk kemi një klasë politike të aftë të shfaqet si përkthyese e kohës dhe dramave që ajo mbart. Po të dëgjosh politikën e mazhorances duket sikur në Shqipëri nga 2005 ka nisur një festë pa fund…Nga opozita ke Hamletin në dialogun e famshëm: Të jesh, a të mos jesh… Dhe historia vazhdon në konsumin e grisë së të përditshmes, manipulimin mediatik dhe denatyrimin e shpresës…

Polarizimi i skajshëm i skenës politike a po e pengon Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik, por edhe në proceset e tjera integruese evropiane?

Jo! Do i rrisnim vlerën mediokritetit, po ta pranonim këtë. Është çështje kostoje në se do flisnim në terma historikë. Vonesa nuk është pengesë. Shqiptarët e kanë edukatë të brendshme të qenit të duruar. Mungesat i kanë parë si prova të mosasimilimit.

Tani ky rrezik i fundit është shmangur, por vetitë i ka lënë për këtë ballafaqim me veten.

Integrimi është padyshim një proces i njohjes së vetvetes dhe të metave tona po ashtu. Rruga e rikonsiderimit luajal të tyre pa përbuzur veten, duke i kuruar ato, do të na shpjerë drejt identitetit me të cilin do zëmë vendin të cilin në tryezën evropiane nuk mund të na e zërë kushtjetër.

Ditëve të fundit çështja e çimentos Kosovë- Shqipëri, shkoi deri aty sa pozita kosovare e bojkotoi seancën në Parlamentin e Kosovës, ndërkohë që menjëherë u shkarkua deputeti Emin Gërbeshi i Aleancës Kosova e Re, vetëm pse kërkoi mocion për z. Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ndërkohë mediet kosovare shkruajnë për një marrëveshje nën rrogoz midis dy kryeministrave Berisha-Thaçi! Si e vlerësoni këtë moment?

Mimozën e njoh nga larg dhe ruaj respekt të veçantë për aftësitë që ajo ka shfaqur edhe në publik. Nuk kam detaje për krizën e çimentos por e ndjej se ministrja e Kosovës po bën një politikë agresive… Me syrin e përvojës personale mendoj se Kosova ka të drejtën e zotit ti kërkojë Shqipërisë, të parës dhe më shumë se shteteve të tjerë, respektimin e parimit të paritetit dhe reciprocitetit. Kosova nuk është fermë e Shqipërisë. Por! Kam një por!…. Mendoj se ndërkaq me dashamirësi do të këshilloja si një mik i vjetër i Prishtinës, se transparenca e shpjegimit të çdo problemi teknik me Shqipërinë duhet trajtuar me qetësi. Çdo vakum informimi do ngjallë keqkuptime dhe thashetheme. Sidomos këto të fundit besohen shpejt përballë një realiteti detyrues për bashkëpunimin midis qeverive të vendeve tona…Engjëjt nuk flenë shpesh në Tiranë. Kjo më shtyn të mendoj se situata duhet menaxhuar me kujdes dhe jo vetëm me marrëveshje xhentëlmenësh.

Kosovës dhe Shqipërisë i duhet një kornizë ndër më liberalet në bashkëpunimin dypalësh. Është në disfavor të një mungese edhe përvoje dypalëshe, por e justifikuar, fakti që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve midis dy vendeve tona nuk është si ai i një standardi të brendshëm të Bashkimit Evropian. Nuk besoj se Mimoza pret që të vijë në Tiranë një qeveri e cila të ngrejë institucione paralele në Gjakovë dhe pastaj mallrat nga Shqipëria të hynë si ato nga Serbia në veri të Kosovës…Sigurisht, që

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›