INTERVISTA/ Pamuk: Jam republikan, nuk besoj te neo-otomanizmi
SHQIP
Katër vjet më parë Orhan Pamuk tregoi në Shqip për librin Muzeu i Pafajësisë. Libri doli. U përkthye në dhjetëra gjuhë, u shpërnda në miliona kopje. Muzeu i pafajësisë është një libër dashurie. Nga ato që të bëjnë të humbasësh frymën, të humbasësh mendjen. Një roman për dashurinë si rastësi. Një roman për dashurinë e dhimbshme. Një roman tragjik që mbaron pa pasur mundësinë tia vesh fajin dikujt. Një roman klasik, që nuk ka lidhje me melodramën turke. Është thjesht romani më i mirë i nobelistit turk, Orhan Pamuk.
4 vjet pas intervistës së parë, Orhan Pamuk, vjen sërish në Shqip. Për të ndarë me publikun shqiptar përurimin e Muzeut të Pafajësisë. Një ndërtesë e përshtatur sipas romanit me të njëjtin titull në një nga lagjet më të vjetra të qytetit. Një muze si dedikim dashurie. Dedikim dashurie për Stambollin. Më 27 prill, një ditë para hapjes zyrtare, muzeu u vizitua nga gazetarë të rrjeteve më të rëndësishme, ftuar nga Orhan Pamuk në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila rrëmbeu vëmendjen e gjithë medias ndërkombëtare, si një ide unike në llojin e vet.
Një muze për një libër. Një godinë trekatëshe, përkushtuar kujtimit të personazheve imagjinarë të romanit më të fundit të nobelistit, që përcjell emocione dhe dashuri. Në 83 vitrina, aq sa janë 83 kapitujt e romanit. Muzeu nis me 4213 bishta cigaresh, që i ka pirë Fysuni dhe mbaron me krevatin e dhomës së dashurisë.
Dy vjet më parë, unë lexova librin tuaj Muzeu i pafajësisë dhe nuk doja të dilja prej tij. Shumë urime për këtë libër z. Pamuk.
Shumë faleminderit! Libri është një histori dashurie, por nuk e tregon dashurinë si një ndjenje të ëmbël dhe të bukur, por si një ngjarje njerëzore me të cilën mund të përballet kushdo.
Romani im nuk është si këngët e dashurisë, nuk është një ndjenjë e ëmbël. Romani im rrëfen një situatë njerëzore të pashmangshme. Libri mundohet të kuptojë, të tregojë të gjitha stacionet, ku ndalon, njeriu kur dashuron; duke filluar me padurimin e deri te xhelozia, me zemërimin deri te dialogu që ai bën me veten.
Ju e kishit menduar më përpara që do të kishte një muze për Muzeun?
Muzeun dhe romanin i mendova dhe ndërtova njëkohësisht. Nuk ishte libri që më bëri të mendoja për muzeun dhe as muzeu për librin. Unë mendoja njëkohësisht për to. Në këtë mënyrë, vjen historia edhe në roman. Kemali është shumë i dashuruar me Fysunin, por punët nuk i ecin ashtu siç ai do. Në mënyrë që ta ruante raportin që kishte humbur, në mënyrë që ta përjetësonte vajzën e zemrës, Kemali nisi të mbledhë të gjitha rrobat, sendet, orenditë, kujtimet, në mënyrë obsesive, në emër të dashurisë së tij. Edhe unë në kohën që po shkruaja romanin, fillova të mblidhja sendet që shikon përreth, sepse doja ti shikoja ato, para se ti fusja në roman dhe pastaj, pasi romani ti kishte pranuar, ti ekspozoja në këtë muze. Kur mbarova romanin, shtëpia ime ishte e mbushur plot me gjëra, dhe fillova të mendoja për mënyrën sesi të gjitha këto kujtime, sende të dashurisë së Kemalit me Fysunin, do të mund ti ekspozoja në muze. Në fund e gjeta mënyrën e ekspozimit. Romani ka 83 kapituj, po kaq është dhe numri i vitrinave dhe i kutive në muzeun tonë.
Sa kohë u desh që ky muze të përfundonte?
I gjithë ky projekt ka zgjatur ndoshta 12-13 vjet. Këtë ndërtesë unë e bleva në fund të viteve 80 në fillim të viteve 90. Në fillim të viteve 2000 atë e shndërrova në një muze, por gjatë këtyre viteve ndodhën shumë gjëra të tjera. Nuk ishte muzeu dhe as libri ngjarjet kryesore në jetën time. Mendoja për to, por paralelisht jetoja dhe shkruaja libra të tjerë. Shkrova librin Stambolli, mbarova librin Bora, më pas u shfaqën problemet politike. U deshën shumë vite që unë të përfundoja Muzeun e pafajësisë. Në fillim mendoja të hapja muzeun sapo të përfundoja librin, por qe e pamundur. I lashë kohë lexuesit të mësohet me librin dhe tani jam gati ta fus atë në muzeun e Muzeut. Por nuk është e nevojshme të lexosh librin në mënyrë që të shijosh muzeun, ashtu sikurse nuk është e nevojshme të kesh vizituar muzeun, në mënyrë që të shijosh plotësisht librin. Po ata që e kanë lexuar romanin do të ndjejnë më shumë shpirtin e objekteve dhe ata që kanë vizituar muzeun, do të zbulojnë më shumë nuanca, të humbura gjatë leximit.
A është Muzeu libri më i bukur i jetës suaj, libri më i plotë, libri më i rëndësishëm?
Nuk e di. Nuk mund të vendos gishtin mbi një libër e të them se ky është libri më i bukur që kam bërë. Libri që mua më mbërthen më shumë është Libri i zi, i cili është një libër i ngarkuar, i impenjuar. Muzeu i pafajësisë është një roman dashurie, është një libër më i përhapur, më i pëlqyer, më popullor. Pastaj lidhja me një libër ndryshon nga një shtet në një tjetër. Edhe unë ashtu ndryshoj. Librat janë si fëmijët, në një periudhë do pak më shumë njërin, në kuptimin e kushtimit, jo dashurisë. Pas pak kohësh harron atë dhe fillon të mendosh për tjetrin.
Një herë tjetër mbase do flasim për Librin e zi, ai së shpejti do të vijë në shqip. Ai është një libër impenjativ në fakt apo jo?
Po, kur libri të vijë në shqip, do të flasim përsëri për të.
Kthehemi edhe një herë tek Muzeu. Media ndërkombëtare e ka kthyer në një lajm të rëndësishëm këtë javë prilli hapjen e Muzeut tuaj. A është ky Muze, Muzeu i pafajësisë në Stamboll një vend unik i cili së shpejti do të kthehet në pikë pelegrinazhi për turistët në Turqi?
Mundet, por unë nuk e bëra duke menduar këtë gjë. Në fillim, kur unë nisa punën për këtë muze, mendoja se do të ishte një vend i vogël dhe se sdo të vizitohej nga asnjeri. Në atë kohë nuk isha aq shumë i njohur në botë. Mendimi më dukej i çuditshëm. Tani nuk më duket më i tillë. Ju e shikoni, ka shumë interes për këtë muze. Por hapësira është e vogël dhe mund të përballojë, deri në 500 vizitorë në ditë. Jo më shumë. Por ashtu, siç e thatë edhe ju, e gjitha bota po tregon interes, dhe shpresoj të vazhdojë kështu.
A ju bën ky Muze të mendoni për muzeun e jetës suaj?
Jo, nuk më bën të mendoj. Ky muze nuk është muzeu im, ky muze nuk është për mua. Ajo që më ngazëllen, më emocionon dhe më bën ta shoh si unike këtë shtëpi, është se për herë të parë, kemi muzeum për një roman, për një trill, për një histori imagjinare dashurie.
Njëkohësisht, është një muze modest i Stambollit. Them modest, pasi Stambolli meriton shumë më tepër. Por këtu janë rreshtuar sende e objekte të ndryshme që nga viti 1950 deri në ditët tona, gjëra që kanë përdorur njerëzit e këtij qyteti, siç po e shikoni dhe ju, biletat e autobusave, sapunët, ene të ndryshme, çanta dore, ora, ibrikë, çajnikë. Muzeu përfaqëson atë që personazhet e romanit përdornin, vishnin, dëgjonin, qepnin, atë për të cilën jetonin dhe ëndërronin, të gjitha rregulluar me përpikmëri në kuti të n
