INTERVISTA/ Rama për VOA: Jam ftuar nga Departamenti i Shtetit. Vrasësit e 21 janarit janë të pandëshkuar
Një ditë përpara se të vizitojë Departamentin e Shtetit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë i pranishëm në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan për programin e socialistëve për një Rilindje Shqiptare. Siç njofton vetë Rama, në tryezë kanë qenë zyrtarë të qeverisë e Kongresit si dhe think-tanks.
Ndërkohë, Rama ka folur edhe për Zërin e Amerikës, ku ka deklaruar se sot do jetë në Departamentin e Shtetit pas një ftese që i ka ardhur nga ky i fundit. Rama do takohet me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Filip Riker.
Fillimisht dua tju pyes për takimin e nesërm që keni në Departamentin e Shtetit. Çfarë prisni ju nga ky takim?
Ky është një takim që bëhet me ftesë nga Departamenti i Shtetit dhe për mua është një kënaqësi e veçantë që në hapësirën e këtij takimi të mund të forcojmë komunikimin në funksion të interesave të përbashkëta, që janë interesa që lidhen drejtpërdrejtë me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri, me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe me transformimin e jetës në Shqipëri në funksion të qytetarëve për një shtet funksional dhe në shërbim të standardeve demokratike.
Z. Rama në kuadër të reformave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur synimin e saj madhor në drejtimin e politikës së jashtme që është integrimi në Bashkimin Europian, siç thatë edhe ju, duhet pjesëmarrja e të gjithë shoqërisë, por kryesisht e dy forcave politike dhe angazhimi i tyre. Por dy partitë më të mëdha, PD dhe PS deri më sot ato fajësojnë njëra tjetrën për ngecjen, bllokimin e procesit. A mendoni ju se Shqipëria do të jetë në gjendje që në fund të vitit të marri statusin e kandidatit?
Unë besoj që pavarësisht se çfarë thonë palët është shumë e qartë që integrimi në Bashkimin Europian është një proces i cili zhvillohet mbi bazën e rekomandimeve të vet Komisionit Europian. Ndaj dhe rekomandimet e Komisionit Europian janë të qarta. Opozita shqiptare ka marrë përsipër të gjithë pjesën e vet, ndërkohë që i takon qeverisë që të marri përsipër pjesën e saj. E nëse në atë pjesë që ne kemi marrë përsipër gjërat duket se po shkojnë më së miri pasi kemi krijuar kushtet për një konsensus të rëndësishëm në sallën e Kuvendit, në pjesën që i takon cilësisë së qeverisjes që lidhet me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që lidhet me performancën e sistemit gjyqësor e kështu me radhë duket se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. E pra le të jemi të qartë është e lehtë të fajësojmë njëri tjetrin, siç është e lehtë që në gjykimin e palëve të mbetemi tek përcaktimi se të gjitha janë njësoj, por jo vetëm të gjithë nuk janë njësoj, por nuk kanë të gjithë njësoj të njëjtën përgjegjësi. Është absolutisht e qartë që përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e punëve në një vend është përgjegjësia e qeverisë dhe barra kryesore për të shkuar drejt marrjes së statusit është përsëri e qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë që Shqipëria të mos e humbasë për të tretën herë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit.
Le tju pyes për një prej këtyre reforma, që është një ndër reformat më kryesore dhe më të mprehta në Shqipëri. E kam fjalën për reformën zgjedhore, shumë përplasje midis dy forcave kryesore. Ajo duhet të përfundonte në fund të shkurtit por mandati është shtyrë tashmë për në fund të prillit. Ku i shikoni ju problemet më të mëdha që dy forcat kryesore nuk po bien dakord për përfundimin e kësaj reforme që po vonohet?
Në tryezën e reformës zgjedhore ne kemi vendosur pikat ku mendojmë se duhet të fokusohen palët në funksion të asaj çka ka konstatuar dhe pastaj rekomanduar misioni i OSBE/ODIHR. E në rast se në çështje si ato që lidhen me përmirësimin e sistemit zgjedhor mund të kemi mungesë dakordësie bazuar në vullnetin politik të secilës palë, në çështje që lidhen me përcaktimin e rregullave të lojës dhe me adresimin e atyre problemeve që kanë shkaktuar gjithë ato situata tërësisht të papëlqyeshme me zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë cënuar integritetin e tyre, është e domosdoshme që palët të gjejnë dakordësi, në rast se secila palë do vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme. E kush në këtë përpjekje i bie ndesh parimit të dakordësisë, sigurisht që pastaj është plotësisht i dyshueshëm për mungesë vullneti për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një prej çështje, thembra e Akilit do thosha unë e reformës zgjedhore është pikërisht çështja e sistemit. A do vazhdojë PS të këmbëngulë në ndryshimin e sistemit, gjë që maxhoranca e kundërshton?
Ne e kemi bërë të qartë dhe unë e përsëris edhe përpara jush që ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të dhënies vlerë të barabartë të çdo vote në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të një përfaqësimi më të drejtë të të gjitha forcave politike që marrin votën e shqiptarëve. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste.
Megjithatë për të realizuar këtë gjë ju doni dhe votat e shumicës, e cila ka kundërshtuar. Por a parashikoni që reforma zgjedhore mund të kthehet në një problem midis jush dhe aleatëve të cilët kërkojnë përfaqësim më të madh?
Me aleatët ne kemi një dakordësi të plotë dhe në tryezën e reformës zgjedhore ne flasim edhe me zërin e tyre.
Të kthehemi tek një çështje tjetër mjaft e debatuar në Shqipëri, tek 21 janari. Ishte një problem që tronditi shoqërinë shqiptare. Nëse janë duke kryer hetime për rolin e policisë, e shtetit, për përdorimin e forcës në këtë ngjarje, po ashtu kanë filluar hetime edhe përsa i takon organizmit të vetë ngjarjes. Dhe unë do ndalem më shumë tek kjo, tek çështja e organizmit të protestës. Në një intervistë që dha para disa ditësh ambasadori amerikan theksoi se ka mosmarrëveshje pak a shumë të thella për mënyrën sesi e koncepton pala amerikane, qeveria amerikane ngjarjen dhe si e ka interpretuar Partia Socialiste këtë ngjarje. E pra si do ti përgjigjeshit ju këtij komenti të ambasadorit dhe e parë nga sot a shikoni ju përgjegjësi për mënyrën si u zhvillua rrjedha e ngjarjeve në 21 janar?
Unë mendoj se faktet flasin më mirë se sa çdo koment që unë mund të bëj. 132 persona, ndër protestuesit janë ndaluar, janë hetuar, janë gjykuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë, në një proces i cili është deri më sot, tërësisht i pabarabartë, sepse ndërkohë që protestuesit e kanë pasur të gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit, si pjesë të një procesi, nga ku kanë dalë edhe të dënuar për shkeljen e ligjit. Nga ana tjetër vrasësit dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të jenë të pagjykuar dhe të pandëshkuar, as moralisht, as politikisht dhe aq më keq as ligjërisht. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe për asnjë moment, n
