E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Ristani: E kam ndërgjegjien e pastër, akuzat ndaj meje justifikime të humbësit që nuk pranon votën popullore

Share

Nga Renato Kalemi

Revista Klan

- Zoti Ristani, KQZ-ja ka marrë një vendim të papritur sa i takon referendumit për importin e plehrave. Ky vendim u cilësua si absurd nga përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave, kurse opozita ka thënë se ai ishte hartuar deri në hollësi nga vetë ju, qëllimisht për ta zvarritur procesin deri në 2013, e ndoshta në 2014. Po ju personalisht, a jeni për mbajtjen e këtij referendumi?

Përpara se unë të merrja detyrën si anëtar i KQZ-së kam qënë një veprimtar aktiv i shoqërisë civile dhe besoj vërtet te kauza e saj. Përsa i përket vendimit të KQZ-së, lidhur me kërkesën e fundit për referendum, ai është një vendim tërësisht i bazuar në ligj. Është ligji për referendumet që detyron KQZ-në për ta përcjellë kërkesën për referendum në Gjykatën Kushtetuese në vitin tjetër, në rast se kërkesa nuk i ka kaluar të gjitha procedurat deri në datën 15 mars të vitit në vazhdim. Në kushtet e këtij përcaktimi ligjor, nuk kishim rrugë tjetër, përveçse ta nisnim kërkesën në Gjykatën Kushtetuese në datë 3 janar të vitit tjetër, që është edhe data më e afërt e mundshme.

Të gjithë ata që përpiqen të kritikojnë këtë vendim të KQZ-së, deri tani nuk kanë dhënë asnjë argument ligjor për këtë. Nga ana tjetër, personalisht besoj tek referendumi si një ushtrim i demokracisë direkte dhe do të luftoja me të gjitha forcat e mia në favor të tij, por sigurisht jo në mënyrë të paligjshme.

- Ka dy qëndrime të ndryshme për mbarimin e mandatit të KQZ-së. Njëri që thotë se mbyllet në dhjetor të këtij viti, dhe ju që mendoni se ky mandat mbaron në shkurt 2013. Pas kësaj date, do të donit tju shihnin sërish në krye të KQZ-së?

Nuk ka dy qëndrime të ndryshme për sa i përket mbarimit të mandatit të këtij institucioni. Sipas ligjit që është në fuqi, mandati ynë mbaron në 2 shkurt të vitit 2013, por KQZ-ja e re, po sipas ligjit, duhet të zgjidhet 1 muaj përpara, që do të thotë brenda fundit të dhjetorit 2012. Për sa i përket rizgjedhjes time si kryetar i këtij komisioni, ajo është e varur nga konsensusi midis pozitës dhe opozitës parlamentare, ashtu siç ishte edhe zgjedhja ime në këtë pozitë. Pra, ashtu siç u zgjodha me konsensus, vetëm ashtu, teorikisht, do ekzistonte mundësia për tu rizgjedhur përsëri.

- Opozita ka deklaruar se me ju në krye të KQZ-së nuk mund të ketë zgjedhje, sepse ju sheh si njeriun që mund ti vjedhë ato në favor të mazhorancës. Duke e ditur se zgjedhjet e vitit 2013 kanë një rëndësi dhe peshë shumë të madhe, jeni i bindur se mund tia dilni mbanë ndaj një presioni të jashtëzakonshëm që mund të krijohet rreth jush me afrimin e zgjedhjeve?

Siç shpjegova edhe më sipër, kryetari i KQZ-së është produkt konsensual. Për sa më përket mua, unë do të mund tia dilja në çdo situatë për të cilën do të kisha referencë të plotë ligjore. Akuzat poshtë e përpjetë për vjedhje të votave janë justifikime të humbësit që nuk pranon votën popullore.

- PD dhe PS kanë disa muaj që po përpiqen të hartojnë reformën zgjedhore dhe më në fund është mbyllur, të paktën në komisionin e posaçëm parlamentar. Nga aq sa e keni ndjekur këtë proces, si do ta vlerësonit punën e komisionit të reformës? Çfarë është bërë mirë e çfarë mungon në këtë reformë?

Reformat në përgjithësi, dhe ajo zgjedhore në veçanti, janë gjithnjë të mirëpritura sepse ato çojnë drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe ndihmojnë në zhvillimin e demokracisë.

Unë nuk kam informacion të plotë për atë që tashmë palët kanë rënë dakord dhe nuk mund të jap mendim për trajtimin që mund ti bëhet sistemit zgjedhor dhe formulës së KQZ-së, sepse këto dy pika janë thjesht eskluzivitet i vullnetit politik, por shpresoj që mendimin që KQZ-ja i ka përcjellë Komisionit Parlamentar të reformës zgjedhore, ata ta marrin parasysh. Sugjerimet tona kanë qenë thjesht teknike.

- Si ekspert i zgjedhjeve, çfarë mendoni për kërkesën e partive të vogla, të cilat duan një korrektim të sistemit zgjedhor për një shpërndarje më të mirë të votave? A është i nevojshëm ky korrektim?

Sistemet zgjedhore, edhe një herë e theksoj, janë shprehje e vullneteve politike dhe në pozicionin që kam, si administrator zgjedhor, më duhet të qëndroj i barazlaguar nga interesat e partive politike dhe nuk mund të jap një mendim për këtë.

- Është folur për futjen e teknologjisë në procesin e numërimit të votave, por pa u rënë dakord të zbatohet në të gjithë vendin. Si e shihni këtë mundësi?

Një ekspert amerikan i thirrur nga bashkëkryetarët e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore theksoi se ju e doni përdorimin e teknologjisë për të rritur shkallën e besimit te zgjedhjet, por duhet të dini se teknologjia nuk krijon besim, ajo kërkon besim. Ndërkohë, i gjithë mendimi i specializuar për sa i përket zbatimit të teknologjisë në zgjedhje, bashkohej në një pikë, teknologjia duhet testuar me zona pilot deri sa të gjithë të binden se ajo funksionon dhe sjell vërtet rezultatin që kërkohet.

- Nëse do të hidhnit një shikim prapa, jeni ende 100 për qind i bindur se KQZ-ja ka vepruar pikë për pikë sipas ligjit edhe në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011? Pra, ndërgjegja juaj është e pastër, pavarësisht akuzave që ju vijnë vazhdimisht nga opozita?

Sigurisht që jam 100% i bindur për drejtësinë e vendimeve të KQZ-së gjatë menaxhimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar, por për këtë kushdo mund tu drejtohet vendimeve të gjyqësorit, i cili është matësi i vetëm i nivelit të drejtësisë në punën e KQZ-së.

- Gjatë dhe pas mbylljes së procesit zgjedhor pati shumë akuza kundër jush për vjedhje votash, të bërit palë me shumicën, për vendime të njëanshme dhe vegël e Berishës. Si i keni përballuar ato? A e keni menduar ndonjëherë të jepnit dorëheqjen?

Unë jam mësuar të përballem me vështirësitë dhe ti shkoj në fund me vendosmëri dhe profesionalizëm punës që më ngarkohet. Akuzat e pabaza dhe të pambështetura në ligj nuk më kanë impresionuar asnjëherë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›