INTERVISTA/ Shkëlqim Cani: PS do e gjejë shtetin në gjendje financiare më të keqe sa e mendon
Flet për gazetën Tema, anëtari i ri i kryesisë, ish-themeluesi i PS-së dhe ekspert i fushës ekonomike
Për Shkëlqim Canin, rikthimi në një parti ku ishte që në fillim të viteve 90 si themelues i saj, ka qenë si një mbërritje në një destinacion ku gjendet krejt natyrshëm pas vitesh të tëra tërheqje nga politika. I zgjedhur rishtas në kryesinë e PS-së, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë e më tej këshilltar i Bankës Botërore, tashmë një ekspert me kohë të plotë në shërbim të programit të ri qeverisës të PS-së, thotë se ndjeu se ishte momenti për tu rikthyer në politikë. Duke i kushtuar vëmendje pikërisht pjesës ekonomike të programit dhe propozimeve të PS-së për sistem të ri taksash, ide për të cilën Cani ka punuar me kolegë të tjerë të fushës në PS, ai thotë se ky program tenton të parashikojë gjendjen në të cilën do e gjejë shtetin Partia Socialiste kur të marrë pushtetin në vitin 2013. Dhe sipas tij, pritet që gjendja financiare e vendit të jetë shumë më keq se sa PS e mendon, për shkak se institucionet shtetërore po fshehin të dhënat dhe të gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve po i shërbejnë interesave të ngushta të partisë në pushtet. Kredidhënie për bujqësinë, ulje taksash, kthimi i investimeve tek shëndetësia dhe arsimi, lufta ndaj korrupsionit, këto do të jenë disa nga masat që PS propozon të marrë në rast se vjen në pushtet.
Intervistoi: Blerina Gjoka
Zoti Cani, lexuesit e gazetës Tema do të kenë një intervistë të parë me ju si anëtar i kryesisë së PS-së, kur pak javë më parë ju folët për ta si një ekspert që po punonit me programin e kësaj partie. Në fakt ju riktheheni në drejtimin e kësaj partie pas një shkëputje disa-vjeçare, cilat ishin arsyet që ju çuan drejt një vendimi te tille?
Mendoj që pjesëmarrja më aktive në punët partiake nuk do të më prishë raportet e mendimit dhe sugjerimeve si ekspert ekonomie. Për më tepër, riangazhimi në forumet e Partisë Socialiste nënkupton një punë më të madhe dhe me më shumë përgjegjshmëri kryesisht në rolin e ekspertit. Vendimi për angazhim më konkret dhe më aktiv në PS ka pasur si arsye kryesore pikërisht rrëshqitjen e vendit në llumin e keqqeverisjes dhe veçanërisht të ekonomisë gjithnjë e më shumë drejt përkeqësimit. Nuk di sa i shohin qeveritarët dhe ekspertët e tjerë, të varur apo të lidhur, por koha që kalon gjithnjë e më shumë drita të kuqe alarmi i janë ndezur politikës ekonomike që po ndjek kjo qeveri.
Ishte një ftesë nga ana e zotit Rama, apo një propozim nga baza?
Në të dy rastet mendoj se do të ishte zoti Rama që do të komunikonte ftesën a propozimin.
Si ndiheni në kryesinë e Partisë Socialiste, mes emrave të vjetër të këtij forumi dhe atyre të rinjve që erdhën me votat e 3 dhjetorit, ndër ta dhe ju? Si e konsideroni këtë ekip? Çfarë sfidash e presin kryesinë dhe sekretariatin e ri?
Për momentin mund të them që gjithçka duket normal dhe ndihem komod. Një ekip i kualifikuar, i harmonizuar, me potenciale të mëdha, por që puna do tju duket më mirë në të ardhmen e afërt. Uroj të jetë ekip shumë i suksesshëm.
Sfidat janë disa dhe fillojnë nga fillimi i mbarë- gjysma e punës e deri tek objektivi madhor, fitimi i zgjedhjeve të ardhme, që duken larg, por janë shumë afër për kryesinë dhe sekretariatin.
Gjatë kohës që keni qëndruar larg politikës duke iu kushtuar 100 për qind profesionit tuaj, punës si pedagog apo pranë Bankës Botërore, keni pasur mundësinë të shihni politikën nga një distancë ku mund të gjykonit të metat e saj, çfarë jua ktheu besimin (nëse do më lejoni të përdor këtë term) ose dëshirën për të qenë sërish pjesë e saj?
Kjo pyetje ka dy anë të medaljes: përfshirje për dëshirë apo besim që alternativa e PS do ti japë zgjidhje sa më optimale ekonomisë dhe gjithë spektrit të jetës së vendit, por mund të jetë jo pak edhe nga degradimi i thellë i politikave ekonomike dhe gjithë qeverisjes nga qeveria aktuale. Më duket se jemi në momente kritike ku ekonomia po asfiksohet dhe kërkon mendimin dhe punën e gjithsecilit prej nesh,sa nuk është tepër vonë. Indiferenca nuk është zgjedhje, për më tepër jozgjidhje.
Zoti Cani, le të kthehemi tek programi i PS-së dhe pikërisht tek propozimet për sistemin e ri fiskal, që në mos po korr sukses po korr shumë bujë dhe debate në publik. Si vendosi PS që të shkojë drejt këtij propozimi, cilat ishin arsyet që ju bindën ju dhe kolegët tuaj që jeni marrë me këtë pjesë të programit që të bënit këto propozime?
Për të qenë korrekt me publikun kjo ka qenë një çështje që është analizuar e debatuar gjatë mes nesh në PS, me ekspertë vendas e të huaj. Janë parashtruar disa analiza e mundësi, me anët pozitive e negative, që ka çdonjera zgjidhje a propozim. Propozimi është kompleks dhe ka dashur vëmendje e punë këmbëngulëse. Gjykoj që në kushtet ku është ekonomia dhe për më tepër ku po shkon apo katandiset në vitin që vjen, kjo alternativë e re është kthyer në domosdoshmëri. Dua të besoj (edhe pse tashmë shumë i zhgënjyer) se edhe ekspertë të qeverisë kanë kuptuar që duhet të dalin sa më parë me një alternativë të re fiskale (nëse dëshirojnë mund të kopjojnë edhe këtë tonën se do e shëndoshin më shpejt gjendjen ku na kanë shpënë).
Besoni se këto propozime, si heqja e taksës së sheshtë, ulja e TVSH-së, etj do ti rezistojnë kohës deri në fushatën e vitit 2013 dhe do jenë oferta juaj për zgjedhjet e ardhshme? Nëse po çfarë ju bën ta besoni këtë?
Më duket e natyrshme të shprehem që deri në fushatën e vitit 2013 ajo çfarë kemi propozuar do të detajohet e përmirësohet më tej, por në thelb oferta do të mbetet padyshim me taksën progresive. Çfarë po zbatohet nga qeveria aktuale është prej kohësh e dështuar në fakt, por mbahet në dëm të ekonomisë nga këmbëngulja e çuditshme e ndonjë mendje të thartuar. Dështimi i një politike dhe shtrimi i një alternative të re, të studiuar e të drejtpeshuar në favor të ekonomisë, shtetasve shqiptarë në tërësi dhe të shtresave më të goditura nga kriza aktuale, me sa duket në thellim në të ardhmen e afërt, tërësisht për faj të kësaj qeverie, e tejkalojnë besimin për alternativën e propozuar dhe në përmirësim. Por nuk mund të le pa përmendur një merak. Koha që kalon, po shton e thellon përkeqësimin e ekonomisë dhe të financave shqiptare dhe për më tepër perspektiva duket edhe më e zymtë deri në zgjedhjet e vitit 2013. Ka shumë kohë që PS dhe shumë ekspertë kanë ngritur shqetësimin e manipulimit të shifrave për realitetin e gjendjes së ekonomisë kombëtare. Kam bindjen që PS do e marrë pushtetin me një gjendje shumë më të përkeqësuar të ekonomisë nga sa e mendon aktualisht. Kjo do të mund të pengojë për një kohë zbatimin e disa elementeve të këtij programi ambicioz.
Megjithëse media kapet pas shifrave dhe detajeve që p