E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA e vitit 1991. Edi Rama: Liri pa hakmarrje

Edi Rama dhe Spartak Ngjela- maj 1991

SHENIM: Kjo është një intervistë e Edi Ramës, publikuar në revistën Famiglia Cristiana, një e përjavshme, që del që nga viti 1931. Intervista është e javës 2 9 janar 1991. Ajo publikohet nën okelion: Një nga udhëheqësit historikë të lëvizjes së studentëve dhe të intelektualëve shqiptarë. Më poshtë teksti i plotë:

Edvin Rama, një mësues i ri i Akademisë së Arteve, dënon episodet e dhunës: Duam një demokraci pa gjak, ekstremizmi do të krijonte një tjetër diktaturë. Gëzimi pas shumë vitesh për një Krishtlindje më së fundmi kristiane.

Nga Stefano Zanon, Famiglia Cristiana

Edvin Rama është një mësues i ri i Akademisë së Arteve në Tiranë. Është vetëm 28 vjeç dhe për këtë arsye është shumë afër të rinjve të lëvizjes studentore, me të cilët ka qenë në rreshtin e parë kur, ditë më parë, turbullirat kanë shkundur regjimin shqiptar.

Edvini ka qenë gjithmonë, dhe në të kaluarën, një kundërshtar aktiv, por klima e terrorit që ka mbizotëruar në vendin e tij e ka detyruar të veprojë me shumë kujdes. Sot, nën dritën e ndryshimeve të reja, ka vendosur të flasë si person i përfshirë personalisht për ndjesitë dhe dëshirat e shumë të rinjve shqiptarë, që si ai kanë gjetur kurajon të dalin rrugëve dhe të sfidojnë haptazi regjimin duke kërkuar liri dhe drejtësi.

Cila është situata e këtyre ditëve në Tiranë?

Situata është vetëm në dukje e qetë, njerëzit kërkojnë të marrin pjesë në debatet politike. Legalizimi i Partisë Demokratike, partia e parë në liri, sigurisht që shtyn njerëzit të përfshihen në mënyrë aktive në jetën politike të vendit pas vitesh terrori. Marrja pjesë publikisht kundër regjimit na garanton nga kërcënimet e policisë.

 

Çfarë lidhje ka midis asaj që ka ndodhur ditët e fundit në Tiranë me revoltat e dhunshme të Shkodrës, Durrësit, Kavajës e Elbasanit?

Nuk ka asnjë lidhje direkte sepse në Tiranë ka pasur një nivel të lartë mirëkuptimi, ndërsa ajo që ka ndodhur në pjesën tjetër të vendit ka pasur si frymëzim thjesht hakmarrjen e verbër. Ajo që ka ndezur gjakrat ndoshta ka qenë mungesa e informacionit të qartë se çfarë po ndodhte në kryeqytet. Partia Demokratike dhe studentët duhet gjithsesi të mbajnë distancë nga këto forma proteste të dhunshme sepse do të ndërlikonin të ardhmen e vendit duke ofruar një pretekst atyre që vazhdojnë të pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt lirisë. Partia Demokratike dhe ne, të cilët mendojmë për një demokraci të paqtë pa gjakderdhje, jemi të sigurt që ky ekstremizëm do na çonte drejt një diktature të një tipi tjetër. Edhe pse revolta e dhunshme, bazuar thjesht tek hakmarrja e verbër, ka arsyet e veta, të cilat duhen kërkuar në dekada të një sistemi që ka prodhuar vetëm fyerje dhe vuajtje për të gjithë popullin.

 

A është e besueshme që pas manifestimeve të dhunshme para disa ditësh fshihet një plan i orkestruar nga krahu më radikal i Partisë Komuniste për të justifikuar kështu një bllokim politik?

Do të thosha që burokratët, të cilët janë në pushtet, nuk do të ishin aspak të pakënaqur për këtë gjë.

 

Para disa ditësh janë arrestuar me qindra manifestues. Mendon se mund të përsëritet ajo çka ndodhi korrikun e kaluar (tortura dhe vrasje masive me varre masive)? Mund të flitet për një Tienamen  shqiptar?

Uroj që jo, por nuk i dihet sepse nga njëra anë gjërat po ndryshojnë, por nga tjetra në zyrat e Ministrisë së Brendshme qëndrojnë po ato njerëz që kanë udhëhequr vendin me grusht të hekurt sipas logjikës komuniste që është akoma në pushtet.

 

Mund të thuhet se pas asaj që ka ndodhur tek studentët fshihet ndonjë manipulim?

Manifestimet qenë të natyrshme, unë isha me studentët. Gjithsesi është e mundur që të ketë pasur apo të ketë në të ardhmen manovra nga disa personalitete të regjimit.

 

Ç mund të më thoni për përgatitjen politike të studentëve?

Do të thosha që është e mirë, gjithsesi mund të mos jetë e shkëlqyer në formë: dua të them se edhe pse nuk kanë lexuar shumë libra nga politika, ajo për çka luftojnë u buron direkt nga zemra.

 

Është e vërtetë që studentët janë vënë në pakicë në krahasim me intelektualët brenda partisë së re?

Studentët janë akoma në Universitet, pra nëse thirrjet e tyre dhe shpresat do të tradhtoheshin nga disa intelektualë, jam i sigurt që nuk do hezitonin të ngrinin zërin e tyre, biles me më shumë forcë.

 

Ka kaluar një muaj nga ajo e diel që ka shkundur të gjithë Shqipërinë, çfarë ka mbetur në gjirin e partisë së re nga pjesa e fillimit?

Një gëzim i madh, por mbetet dhe pikëpyetja se si do shkojnë punët. Studentët janë të gatshëm ti kthehen rrugëve në qoftë se do jetë e nevojshme, gjithçka për të ndihmuar demokracinë e re të hedhë hapat e parë.

 

Është e besueshme për Shqipërinë një e ardhme si ajo rumune, pra a mund të flitet për një sistem ku gjithçka ndryshon për të mos ndryshuar asgjë?

Është shumë e vështirë të parashikohet, gjithsesi shpresoj që e nesërmja e jonë, duke qenë se ka filluar ndryshe, të mund të zhvillohet ndryshe. Gatishmëria e presidenti Alia për dialog është shpresëdhënëse.

 

Mendon se Kisha Katolike shqiptare mund të luajë një rol ndërlidhës në këtë moment delikat?

Sigurisht që po, Kisha Katolike ka dhënë një shembull madhështor në Shkodër ku fjalët e dom Simon Jubanit kanë kontribuar që të afrojnë njerëzit, të besojnë në një të ardhme më të mirë. Tashmë është e afërt dita kur Kisha Katolike do marrë në jetën shqiptare vendin që meriton, vend që ka pasur gjithmonë në të kaluarën.

Çfarë Krishtlindje kanë kaluar shqiptarët?

Një Krishtlindje historike, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Kishën Katolike në botë. Pas shumë vitesh kemi mundur të festojmë Krishtlindjen në mënyrë kristiane e mbi këtë Krishtlindje ka fryrë një erë lirie dhe drejtësie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›