PS: Shqipëria është në terr statistikor
Prej kohësh Partia Socialiste akuzon se vendit i mungojnë statistikat e besueshme. Por sikur të mos mjaftonte kjo, vendi ka kohë që është edhe në terr statistikor. Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, denoncoi këtë fakt. Ai tha se në Shqipëri ka 205 ditë që nuk ka një program zyrtar statistikash, të miratuar nga Kuvendi dhe të jetë bërë i njohur për publikun.
Në Shqipëri institucioni kryesor përgjegjës për statistikat zyrtare, është instituti statistikave (INSTAT), i cili operon me një ligj të caktuar. Ja çfarë thotë ligji i caktuar për statistikat: Ka një program 5 vjeçar që miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe që botohet në fletoren zyrtare. Midis të tjerash në këtë program të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë përcaktohet edhe frekuenca me të cilën treguesit i bëhen të disponueshëm publikut. Ka një program 5 vjeçar të përfunduar në 31 dhjetor 2011. Pra, sot që ne flasim ka 205 ditë që në Shqipëri nuk ka një program zyrtar statistikash i cili të jetë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, të jetë i njohur për publikun dhe ndërkohë të jetë detyrim për tu zbatuar nga institucionet statistikore të vendit, në radhë të parë nga Instituti i Statistikave, tha Beqja.
Ai shtoi se edhe herën e kaluar, në kundërshtim me ligjin, kur është botuar në fletoren zyrtare nuk është botuar programi, por vetëm vendimi i Kuvendit që ka miratuar programin dhe jo programin vet.
Sipas zyrtarit të PS, ka 32 ditë që INSTAT-i ka tejkaluar afatin e vendosur po nga ai vetë për ti treguar shqiptarëve se kush është gjendja e ndërmarrjeve ekonomike jo bujqësore deri në vitin 2011. Po ashtu vonuar me 27 ditë treguesi për tregtinë me pakicë për tremujorin e parë të vitin 2012.
Vazhdon e njëjta gjë me statistikat afatshkurtra të tremujorit të dytë. Ka 24 ditë vonese nga afati i vetë INSTAT-it. Është i disati tregues i cili jo vetëm vonohet por nuk jepet një shpjegim apo një justifikim se pse është vonuar dhe kur do të ketë publiku, politikanët, kërkuesit, studiuesit, media të dhënat për tu publikuar, tha Beqja.
Por nuk është vetëm INSTAT-i që është pjesë e vonesës në publikimin e statistikave. Ja çfarë ndodh nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Jemi në fund të muajit korrik dhe kemi të dhëna deri për muajin prill. Pra ka 84 ditë që nuk ka të dhëna për importet dhe për eksportet në Shqipëri. Për ndryshimet e lëvizjeve të mallrave të akcizës apo për strukturën e importeve dhe të eksporteve. Edhe Banka e Shqipërisë është bashkuar me këtë vonesë dhe fshehje në gjykimin tonë si opozitë, të qëllimshme të statistikave të vendit. Para një jave guvernatori i Bankës së Shqipërisë në përfundimin e një projekti binjakëzimi me Bankën e Francës dhe Bankën e Italisë, një projekt 18 mujor, u shpreh që do të kemi statistika moderne. Statistikat në radhë të parë duhet të jenë të sakta në kohë. Një statistikë e vonuar është njësoj sikur mos ketë statistikë fare. Pra dhe Banka e Shqipërisë ka informacion deri çfarë ka ndodhur para 84 ditëve në Shqipëri. Vazhdojmë me Ministrinë e Financave. Raporti fiskal mujor. Kemi të dhëna për fundin e prillit. Kemi të dhëna në statistikat fiskale për fundin e majit. Pra edhe Ministria e Financave prej 84 ditësh apo 54 ditësh për njërin apo tjetrin tregues është e vonuar, ndërkohë që qeveria mburret se çdo ditë pasqyron shpenzimet që bën thesari.