E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAK – ”Kataib Hezbollah” shpall pezullim pesëditor sulmesh ndaj ambasadës amerikane në Bagdad

BAGDAD, 19 mars /ATSH-DPA/ – Grupi i armatosur irakian ”Kataib Hezbollah” njoftoi sot  pezullimin për pesë ditë të sulmeve ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara  të Amerikës në Bagdad, duke e kushtëzuar këtë vendim me zhvillimet që lidhen me veprimet ushtarake izraelite.

Në një deklaratë, zyrtari i sigurisë i grupit, Abu Mujahid al-Assaf, tha se ndërprerja e përkohshme do të varet nga ndalimi i asaj që ai e cilësoi si “zhvendosje të civilëve dhe bombardime në periferitë jugore të Bejrutit”.

Grupi vendosi edhe kushte të tjera, mes tyre ndalimin e sulmeve ndaj zonave të banuara në Irak, si edhe kufizimin e lëvizjes së personelit amerikan të inteligjencës, për të cilin kërkoi të qëndrojë brenda kompleksit të ambasadës.

”Kataib Hezbollah” paralajmëroi se, nëse këto kushte nuk plotësohen pas përfundimit të periudhës pesëditore, sulmet do të rifillojnë me intensitet më të madh.

Al-Assaf u bëri gjithashtu thirrje autoriteteve irakiane të garantojnë mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe të objekteve ekonomike.

Në sfondin e tensioneve të shtuara rajonale, deklarata sinjalizon një pauzë të përkohshme, por jo një tërheqje nga kërcënimet e grupit ndaj pranisë amerikane në Irak./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›