E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Rishikohet marrëveshja me BERZH për nënstacionin elektrik nëntokësor në Tiranë

TIRANË, 19 mars/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rishikimin e  marrëveshjes me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe shoqërinë OSHEEE Group, e garantuar me garanci sovrane nga Ministria e Financave, për nënstacionin nëntokësor elektrik në Tiranë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot për mediet pas mbledhjes së qeverisë, se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vazhdimin e sigurimit të furnizimit me energji të qytetit të Tiranës dhe për t’iu përgjigjur ritmit të zhvillimit të qytetit.

“Kjo marrëveshje parashikon ndërtimin e një nënstacioni model bashkëkohor nëntokësor në zonën e sheshit ‘Skënderbej’, mbrapa TKOB”, tha Karakaçi.

Ministri theksoi se ky do jetë ndër të rrallët nënstacione nëntokësore që gjenden edhe në BE, sepse kanë specifikat e tyre teknike.

“Ne kemi vendosur të jetë nëntokësor sepse jemi duke folur për qendrën e Tiranës. Ka tre transformatorë dhe projekti është në fazë goxha të avancuar. Kemi mbyllur procedurën konkurruese, është aplikuar për leje ndërtimi dhe me miratimin e këtij amendimi të marrëveshjes së financimit bëhet menjëherë e aplikueshme edhe faza e fillimit të ndërtimit”, shtoi Karakaçi.

/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›