E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nëse PS do drejtonte vendin nga viti 1992, Shqipëria do ishte në BE

TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se nëse PS do ta kishte pasur detyrën të drejtonte vendin në mënyrë të pandërprerë nga viti 1992 deri më sot, Shqipëria do të ishte në Bashkimin Europian.

Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me të rinjtë e njësive 1, 2 dhe 3 në Tiranë, ku foli për vizionin drejt Shqipërisë në BE në vitin 2030.

Rama theksoi se nëse PS do të drejtonte vendin, Shqipëria nuk do të kishte humbur në disa momente shansin historik duke rënë në humnerë.

Kryeministri theksoi se “PS është këtu për të ndërtuar, ndërsa të tjerët janë këtu për të shkatërruar”.

Duke i kthyer përgjigje të gjithë ata që pyesin pse duhet votuar PS, Rama ftoi të rinjtë të kërkojnë në internet mbi ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar qeverisjen e djathtë.

“Shumë nga shokët dhe shoqet tuaja nuk kanë parë çfarë na kanë parë sytë ne, nuk e dinë se nga është nisur ky qytet për të ardhur këtu ku është sot. Nuk e kanë jetuar historinë e viteve ’90, nuk e kanë parë Shqipërinë të përfundojë në humnerë, rrugët të mbushen me njerëz të armatosur. Nuk kanë shkuar ndonjëherë të flenë në zhurmën e kallashnikovëve. Nuk kanë parë se çfarë është të hapësh televizorin çdo mbrëmje dhe të shohësh sa vetë u vranë rrugëve, të shikosh prindërit e tu që i kanë humbur të gjitha”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka shumë argumente mbrapa përgjigjes përse duhet votuar PS, ndërsa kujtoi disa data si ngjarjet e 1997 apo vrasjen e 4 protestuesve në bulevard gjatë qeverisjes së PD-së.

“Kur të keni kohë shkruani në Google: PD 1997, PD 1998, PD 2008, PD 2011.  4 datat që mos të zgjaten shumë, 21 janar PD, 14 shtator 1998. Futuni në Youtube për qejf dhe shikoni se ndoshta nuk i dini të gjitha që të kuptoni se nuk ka fare diskutim pse duhet votuar PS”, shtoi Rama.

Rama theksoi se në të gjitha herët që PD ka qenë në krye të vendit, apo edhe bashkive, gjërat kanë shkuar më keq. “Kur PS ka marrë drejtimin, vendi ka qenë më mirë se sa ishte para se ta merrte”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›