E Martë, 3 Nëntor 2026

Manastirliu-të rinjve: Shqipëria 2030 në BE rrugë e shtruar me punë, votoni PS për ta parë realitet

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu i bëri apel sot të rinjve të njësive 1, 2 dhe 3 të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Në fjalën e saj gjatë takimit me këta të rinj për Shqipërinë 2030, pjesë e fushatës zgjedhore të 11 majit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama , Manastirliu tha se “të rinjtë kanë vendosur, i kanë thënë ‘po’ PS-së sepse të rinjtë e dinë mirë që e ardhmja e tyre varet nga një projekt ambicioz që vetëm me Edi Ramën dhe PS-në mund ta bëjnë realitet dhe ajo është Shqipëria në BE”.

Manastirliu theksoi se “Shqipëria në BE kërkon besimin e të gjithë qytetarëve po mbi të gjitha e të gjithë të rinjve, janë 19 mijë votues për herë të parë në Tiranë. Jam e bindur që shumica e tyre do të mbështesin këtë projekt ambicioz sepse mendojnë për të ardhmen e tyre”.

Shqipëria 2030 në BE, vijoi Manastirliu,  nuk është thjesht një slogan, por një vizion, një rrugë e shtruar me punë, me përpjekje për të bërë realitet atë ëndërr të kahershme të prindërve, gjyshërve tuaj për ta çuar Shqipërinë në majën që i takon të shkojë.

Duke iu drejtuar të rinjve që votojnë për herë të parë, Manastirliu tha se “ju keni përgjegjësinë e votës që do të vendosni në kuti. Por nga ana tjetër keni për të bërë edhe zgjedhjen tuaj të parë për të vendosur dhe vulosur njëherë mirë fatin e Shqipërisë drejt BE-së, të ardhmen tuaj”.

“Ndaj të gjithë së bashku këto 25 ditë duhet që të flisni me shokët tuaj dhe shoqet tuaja, atë që ju dini të bëni më mirë të bashkëbisedoni dhe t’i thoni pse duhet të votojnë PS-në, partinë e cila është forca progresiste në Shqipëri që çon përpara reformat, punët e mira. Ashtu sikurse Tirana është simboli i transformimit të qyteteve në të gjithë Shqipërinë ashtu do të vijojmë të transformojmë edhe më tej për të bërë Shqipërinë një Shqipëri evropiane dhe moderne”, tha Manastirliu.

Ajo vuri në dukje se “kur te mbërrijmë në destinacionin e Shqipërisë 2030 në BE do të kthejmë kokën e do të shihni pas 11 majin 2025 dhe do të thoni po unë kam qenë aty dhe kam votuar forcën e duhur, kam votuar PS-në për të çuar përpara pikërisht këtë projekt ambicioz për Shqipërinë tonë që meriton ta shikojmë aty e ka vendin”.

Më tej Manastirliu tha se “Tirana është transformuar sikurse është transformuar e gjithë Shqipëria dhe po ecim drejt Bashkimit Evropian dhe drejt Shqipërisë moderne dhe evropiane falë vizionit të Edi Ramës dhe PS-së”. /k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›