E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Teherani refuzon negociatat e reja me SHBA-në pas incidentit me anijen iraniane

TEHERAN, 20 prill /ATSH/ – Teherani ka deklaruar se nuk ka “plane” për të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh me SHBA-në, pasi tensionet janë rritur ndjeshëm pas sekuestrimit të një anijeje iraniane nga marina amerikane sipas BBC.

Incidenti ndodhi në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, ku SHBA-ja pretendon se anija po shkelte bllokadën detare, ndërsa Irani e cilëson veprimin si “pirateri” dhe shkelje të armëpushimit.

Sipas zyrtarëve iranianë, veprimet e fundit të Uashingtonit tregojnë mungesë serioziteti në diplomaci dhe e bëjnë të pamundur vazhdimin e negociatave në kushtet aktuale. Një nga pengesat kryesore mbetet bllokada detare e vendosur nga SHBA-ja, të cilën Teherani e konsideron si presion ekonomik dhe politik.

Nga ana tjetër, SHBA-ja kishte planifikuar një raund të ri bisedimesh në Pakistan, por pjesëmarrja e Iranit mbetet e pasigurt. Edhe pse disa zyrtarë iranianë kanë lënë të hapur mundësinë e rishqyrtimit, qëndrimi zyrtar për momentin është refuzues, duke theksuar se kushtet amerikane janë “të tepruara dhe jorealiste”.

Situata ka rritur shqetësimet ndërkombëtare, pasi përplasja po rrezikon një armëpushim të brishtë dhe po ndikon edhe në tregjet globale të energjisë, veçanërisht për shkak të rolit strategjik të Ngushticës së Hormuzit në transportin e naftës./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›