E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfuqizimi i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 20 prill/ATSH/ Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e marrë në muajin shkurt ku pranohet kërkesa për shfuqizimin e vendimit të parlamentit “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kushtetuesja me vendimin e saj arriti në përfundimin se Kuvendi nuk respektoi procedurat kur në nisje të legjislaturës së re në shtator të vitit të shkuar, rikompozoi të gjithë arkitekturën e komisioneve të përhershme parlamentare, duke shtuar numrin nga 8 në 11.

Vendimi erdhi pas ankesës së deputetëve demokratë për shkelje procedurash nga parlamenti.

Sipas tyre, ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, ishin të njëanshme.

“Gjykata Kushtetuese çmon se votimi me procedurë të përshpejtuar për miratimin e dispozitave të Rregullores, të cilat kanë ndryshuar numrin dhe fushën e përgjegjësive të komisioneve të përhershme parlamentare, pa u dhënë deputetëve të pakicës parlamentare mundësinë për t’u njohur paraprakisht me përmbajtjen e projektvendimit, tejkalon diskrecionin e Parlamentit në organizimin e procedurave parlamentare dhe nuk arrin një ekuilibër të drejtë midis parimit të autonomisë parlamentare dhe atij të demokracisë përfaqësuese”, thuhet në vendim.

Në argumentimet e vendimit, Gjykata vlerëson se mënyra e thirrjes së Kuvendit në seancë plenare, si dhe procedura e përshpejtuar e miratimit të ndryshimeve të Rregullores kanë sjellë cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese në drejtim të lirisë së shprehjes së deputetëve të pakicës parlamentare. Për rrjedhojë, pretendimi i kërkuesit në këtë drejtim është i bazuar.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›