IRLANDË – Qeveria i mbijeton votëbesimit mes protestave për karburantet

DUBLIN, 14 prill /ATSH/- Qeveria irlandeze i mbijetoi sot një votëbesimi, pas kritikave për mënyrën se si menaxhoi një javë protestash të forta për karburantet, të cilat bllokuan furnizimin me naftë, zbrazën pikat e karburantit dhe shkaktuan trafik të rënduar, sipas AP.
Kryeministri irlandez, Micheál Martin mbrojti qeverinë e tij të koalicionit, duke theksuar se ajo kishte ndërhyrë – për t’i dhënë fund bllokadës shkatërruese që rrezikonte të shkaktonte dëme shumë më të mëdha.
Votimi përfundoi me 92 vota pro dhe 78 kundër, duke ruajtur në detyrë qeverinë dhe vetë kryeministrin Martin.
Në rast dështimi, kabineti do të detyrohej të jepte dorëheqjen dhe parlamenti do të zgjidhte një kryeministër të ri ose do të shpallte zgjedhje të parakohshme.
Protestat nisën më 7 prill, me kolona automjetesh që lëviznin ngadalë dhe bllokonin rrugët.
Ato u përshkallëzuan përmes rrjeteve sociale, ndërsa shoferë kamionësh, fermerë, si dhe operatorë taksish dhe autobusësh bllokuan infrastrukturën kyçe dhe rrugët kryesore në kryeqytetin e Dublinit.
Demonstruesit kërkonin vendosjen e kufijve për çmimet ose ulje taksash për të përballuar rritjen e kostove të karburantit, që sipas tyre rrezikon të falimentojë shumë biznese.
Pas votimit, protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit, “Dáil Éireann”, duke brohoritur kundër qeverisë.
Opozita e akuzoi Martin për reagim të vonuar dhe e cilësoi paketën e ndihmës si të pamjaftueshme, duke theksuar se qeveria nuk po adreson krizën më të gjerë të kostos së jetesës.
Liderja e “Sinn Féin”, partia më e madhe në Asamblenë e Irlandës së Veriut, Mary Lou McDonald deklaroi se votëbesimi ishte një veprim arrogant ndaj qytetarëve që po përballen me vështirësi ekonomike.
Protestat në Irlandë pasqyrojnë shqetësimin global për rritjen e kostove të jetesës pas pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të luftës në Ukraina.
Situata është përkeqësuar më tej nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë.
Martin mbështeti uljet e taksave të ofruara nga qeveria, duke i cilësuar si ndër më të mëdhatë në Evropë, ndërsa theksoi se ndërprerjet në furnizim ishin të papranueshme për një ekonomi që eksporton rreth 90% të prodhimit të saj.
Autoritetet ndërhynë për të zhbllokuar pikat kyçe të furnizimit, përfshirë rafinerinë në Whitegate, dhe disa depo karburanti, pasi më shumë se një e treta e pikave të karburantit mbetën pa furnizim.
Përplasjet mes policisë dhe protestuesve gjatë fundjavës përfshinë edhe përdorimin e lëndëve lotsjellëse.
Paralelisht, parlamenti pritet të miratojë një paketë mbështetëse prej 505 milionë eurosh, që përfshin pagesa direkte për transportuesit dhe subvencione për sektorët e bujqësisë dhe peshkimit, në përpjekje për të lehtësuar presionin ekonomik mbi qytetarët dhe bizneset. //a.i/