ISE, miratohen 50 kuota për tri doktoraturat
Tarifa e shkollimit është 204 600 lekë dhe do të paguhet në këste, të përcaktuara nga Universiteti i Tiranës
Vetëm 50 kandidatë do të mund t’i ndjekin këtë vit studimet e Doktoraturës në Institutin e Studimeve Europiane, të Universitetit të Tiranës. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, për miratimin e kuotës së pranimit dhe të tarifës së shkollimit, në programet e ciklit të tretë të studimeve të Doktoratës, në Institutin e Studimeve Europiane, në vitin akademik 2010-2011, gjithsej do të pranohen 50 kandidatë, të ndarë sipas programeve të studimit. Kështu për Doktoratë në “Legjislacion dhe institucionet e BE-së” janë 15 kuota; Doktoratë në “Politika dhe qeverisja në Europë”, 15 kuota; Doktoratë në “Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së”, 20 kuota. Në kuotën e çdo programi studimi të doktoratës do të caktohen dy kuota për kandidatët nga trojet jashtë kufijve. Ndërsa tarifa e shkollimit për çdo program të studimeve të Doktoratës në Institutin e Studimeve Europiane të Universitetit të Tiranës është 204 600 (dyqind e katër mijë e gjashtëqind) lekë, e cila do të paguhet në këste, të përcaktuara nga Universiteti i Tiranës. Pak ditë më parë Universiteti i Tiranës publikoi kriteret që duhet të përmbushin kandidatët të cilët kërkojnë të ndjekin studimet e Doktoratës pranë ISE. Kushtet më kryesore janë: të zotërojë një diplomë “Master i Shkencave”, apo një diplomë tjetër studimi të barasvlefshme me të, diplomë të huaj analoge me të dhe të njohur nga MASH, sipas përcaktimeve të nenit 37, të ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”; të zotërojë diplomë universitare ose certifikatë për specializime apo kualifikime postmaster, ose një diplomë ose certifikatë të barasvlerësuar me to, në përputhje me nenin 38 të ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007. Preferon kandidatë të cilët zotërojnë një diplomë që përputhet me fushën që mbulon doktorata.