Lëndët me zgjedhje, gjimnazet gati formularët për klasat IX
Gjimnazet kanë gati formularët për nxënësit e klasave IX në të cilët ata do të paracaktojnë lëndët me zgjedhje që do të bëjnë në vitin e parë të shkollës së mesme, që përkon me klasën X. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se tani gjimnazet po përgatiten për të çuar pranë shkollave 9-vjeçare formularët për kërkesat e nxënësve. Për herë të parë, gjatë këtij viti shkollor nxënësit e klasave IX në të gjithë vendin përzgjodhën lëndët që donin të mësonin në gjimnaz. Për t’i paraprirë këtyre nxënësve kalimin në vitin e parë të shkollës së mesme, që përkon me klasën e 10-të, Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimeve (IKT), pranë Ministrisë së Arsimit, ka përcaktuar procedurën sesi do të bëhet përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje. Sipas IKT-së, nxënësit që dëshirojnë të shkojnë në gjimnaz do të kenë mundësi që, përveç lëndëve që janë të detyruara dhe të njëjta për të gjithë nxënësit, të mësojnë edhe disa lëndë të tjera, të cilat mund t’i zgjedhin në përputhje me interesat, dëshirat, pasionet dhe aftësitë e tyre. Lëndët me zgjedhje synojnë të zgjerojnë mundësitë e nxënësve për studime të mëtejshme në jetë dhe për në tregun e punës. Në klasën X, secilit prej nxënësve, nga shkolla, duhet t’i mundësohet të mësojë një lëndë të zgjedhur nga lista e lëndëve me zgjedhje. Mundësia e zgjedhjes së lëndëve me zgjedhje do të fillojë që në klasën X dhe do të vijojë, duke u shtuar, përgjatë tre viteve të gjimnazit (disa lëndë mund të zhvillohen vetëm në një vit shkollor). Deri më tani, specialistët e IKT-së kanë përcaktuar vetëm pesë lëndë me zgjedhje të detyruar, për vitin e parë të gjimnazit, që janë: Gjuhë e huaj e dytë (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht); Letërsi e avancuar; Matematikë e avancuar; Trashëgimia jonë kulturore; TIK i avancuar. Ndonëse janë pesë gjuhë të huaja si lëndë me zgjedhje të detyruar, nxënësit nuk kanë të drejtë që të zgjedhin më shumë se një gjuhë të huaj të dytë. Konkretisht, nëse zgjidhni një gjuhë të huaj si preferencë të parë, ju nuk mund të zgjidhni edhe një lëndë tjetër në radhën e preferencës së parë. Përzgjedhja e këtyre lëndëve do të bëhet nëpërmjet një formulari të posaçëm, që është quajtur Formulari 1, në të cilin nxënësit janë të detyruar të bëjnë zgjedhjet e tyre, duke i renditur ato nga zgjedhja e parë (më e preferuara) deri tek e pesta (më pak e preferuara). Për shembull, nëse si zgjedhja juaj e parë është “Matematika e avancuar”, atëherë në Formularin 1 ju do vendosni një shenjë (X ose V) në kutinë që ndodhet në kolonën e Matematikës, në radhën ku shkruhet “Zgjedhja e parë”. Më pas vazhdoni me zgjedhje e tjera. Secila lëndë dhe secili modul kanë kreditet e veta. Numri i krediteve të një lënde ose moduli gjendet duke pjesëtuar numrin e orëve mësimore që lënda/moduli ka në planin mësimor me numrin e javëve mësimore. Për klasat X dhe XI, numri i krediteve të një lënde ose moduli gjendet duke pjesëtuar numrin e orëve vjetore të lëndës ose modulit në planin mësimor për 36 (klasat X dhe XI kanë nga 36 javë mësimore secila).
Vlerësimi
Nxënësi nuk vlerësohet me notë përfundimtare për përforcimin, megjithatë vlerësohet me notë në detyrat e kontrollit ose për përgjigjet e tij në orë të veçanta. Vlerësimet janë: “Shumë mirë”, “Mirë” dhe “Dobët”. Në faqen e posaçme të regjistrit për përforcimin, këto vlerësime shënohen shkurt, përkatësisht me shkronjat “S”, “M” dhe “D”.
Kriteret për kreditet
Kriteri 1
Numri minimal i krediteve që duhet të sigurojë një nxënës në gjimnaz është 90. Numri maksimal i krediteve që një nxënës mund të marrë është 96. Nxënësi merr 96 kredite, po nëse zhvillon nga 2 orë shtesë në javë.
Kriteri 2
Nga 90 kreditet, 73 kredite i përkasin kurrikulës bërthamë dhe 17 kredite i përkasin kurrikulës me zgjedhje.
Kriteri 3
Numri i krediteve të kurrikulës me zgjedhje të detyruar është nga 10 deri në 12, kurse i kurrikulës me zgjedhje të lirë është nga 5 deri në 7.
Kriteri 4
Kur një gjimnaz zgjedh dhe mundëson të zhvillojë më shumë se 30 orë në javë, lëndët mbi orët shtesë (30) përzgjidhen nga kurrikula me zgjedhje të detyruar. Në këto orë shtesë, nxënësi mund të përzgjedhë vetëm lëndë me zgjedhje të detyruar. Kështu numri maksimal i krediteve në kurrikulën me zgjedhje të detyruar bëhet 18 kredite.
Kriteri 5
Nxënësi që në fund të vitit shkollor është kalues në lëndët bërthamë, por mbetet vetëm në lëndët/modulet me zgjedhje, kalon në klasën pasuese, por nuk fiton kreditet e lëndëve/moduleve me zgjedhje ku është mbetës. Nxënësi ka të drejtë t’i fitojë këto kredite në klasat pasardhëse në po ato lëndë/module ose në të tjera që i zgjedh në fillim të vitit shkollor.
Kriteri 6
Nxënësit që mbetet në klasë, nuk i njihen kreditet e fituara në atë klasë, me përjashtim të atyre të fituara për shërbimin komunitar dhe për ato module profesionale të cilat dëshmohen me certifikatë.