E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Raportimi i përgjegjshëm u vetëvrasjeve, shpëton jetë

Parandalimi i vetëvrasjeve është një çështje që kërkon dhe bashkëpunimin e medias, pasi studime të kryera në vende të ndryshme të botës, kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet, ndaj raportimi i përgjegjshëm shpëton jetë. ISHP apelon për bashkëpunimin e medias me autoritetet e shëndetit në prezantimin e fakteve që lidhen me vetëvrasjen. "Media mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv për të parandaluar vetëvrasjet, duke publikuar dhe informacionin e nevojshëm, si për ofruesit e shërbimeve të shëndetit mendor, duke publikuar shenjat paralajmëruese të sjelljes vetëvrasëse, etj", pohojnë burimet nga ISHP, duke rekomanduar se "nuk duhet të publikohen foto dhe detaje specifike mbi metodën e përdorur". Raportimi sensacional shet, por raportimi sensitiv (i ndjeshëm) shpëton jetë, ndaj dhe strukturat shëndetësore konsiderojnë të domosdoshëm vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet shëndetësisë dhe medias për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të promovuar një mirëqenie të plotë të shoqërisë. "Të dhëna nga e gjithë bota sugjerojnë se raportimi i kujdesshëm i historive të vetëvrasjes mund të shpëtojë jetë. Ndërsa, raportimi me qëllim sensacionin mund të rezultojë në imitimin e kësaj sjelljeje", thonë burimet nga ISHP.

Nisur nga kjo, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar kriteret që duhen patur në konsideratë kur raportohet mbi vetëvrasjet. "Çështjet, që duhet të adresohen kur raportojmë një vetëvrasje dhe statistikat duhet të interpretohen në mënyrë të kujdesshme dhe korrekte", rekomandojnë specialistët. Ndër rekomandimet e tyre është dhe kujdesi që duhet bërë me komentet e improvizuara, pavarësisht nga presioni i kohës. Një nga lidhjet më të hershme ndërmjet medias dhe vetëvrasjes është vënë re ë romanin e Gëtes "Vuajtjet e djaloshit Verter", i botuar në vitin 1774. Pas botimit të librit, të dhënat tregojnë se u raportuan shumë raste të rinjsh që përdorën të njëjtën metodë vetëvrasjeje. Kjo shkaktoi ndalimin e këtij libri në vende të ndryshme. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve të fundit ka një rritje të vetëvrasjeve. "Jemi në momentin për të filluar dhe marrë masa në këtë drejtim, si puna më e mirë në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, ndjekja më e mirë e atyre që kanë tentuar njëherë vetëvrasjen, puna në shkolla me të rinjtë në krizë (duke kërkuar dhe bashkëpunimin me arsimtarët, etj), aksesi më i ulët ndaj pesticideve apo mjeteve të tjera që mund të nxisin vetëvrasjen. Por, këtu duhet bashkëpunim jashtë sistemit shëndetësor", pohojnë të njëjtat burime. 

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, mësohet se numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit, ndërkohë që ai me helm vazhdon të jetë problematik. Sipas këtyre të dhënave, gjatë periudhës 2000- gusht 2008, numri i vetëvrasjeve arriti në mbi në 1500, ndërsa gjatë viteve 1976-1982, rastet nuk kalonin shifrën 100. Nga të dhënat zyrtare rezulton se gjatë viteve 2005-2008 numri më i madh i vetëvrasjeve është kryer me helm, 276 të tilla, me varje 273 raste, me armë zjarri 119, mbytje në ujë 31 raste, hedhje nga lartësitë 75 raste dhe me mënyra të tjera rezultojnë 19 raste. Ndërkohë, sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme, numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka ardhur në rënie. 

Sipas statistikave, përsa i përket grupmoshave, duhet marrë në konsideratë numri i të rinjve, 15-26 vjeç. Gjatë viteve 2005-2008 janë shënuar 172 raste nga kjo grupmoshë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›