E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradhtia, që kishte tërhequr zvarrë botën e lirë

Mësime të trishtuara nga Lufta II Botërore

Pas Luftës II Botërore, nuk do të kishim si përfundim një Perandori të Kuqe, në qoftë se Ruzvelti nuk do të ishte i magjepsur pas Stalinit dhe, mirëbesues ndaj tiranit sovjetik siç ishte, nuk do të kishte bërë lëshim pas lëshimesh. Këto përfundime nuk dalin vetëm nga Kujtimet e Kardinalit Spellman. Sipas dokumenteve të arkivave të Londrës dhe të Uashingtonit, të bllokuara për më se dyzet vjet dhe tanimë të zhbllokuara, pranimi i sferave të influencës gjatë Luftës i dha Stalinit mundësi  që të caktohen paraprakisht (të bëheshin fakt i kryer në Konferencën e Paqes) ato vende që do të ishin nën ndikimin sovjetik. Disa historianë, që kanë studiuar këto dokumente, flasin për tradhti. Sekretari i Shtetit amerikan, Kordell Halli, u mënjanua nga Ruzvelti, - dhe nuk mori pjesë në Jaltë, - sepse ishte kundër lëshimeve që i bëheshin hap pas hapi Stalinit. Në këtë pështjellim ndikoi edhe shëndeti i rënduar i Ruzveltit. Pierre Accoce dhe Dr. Rentchnik, e kanë paraqitur këtë gjendje shëndetësore në dëm të një politike parimore, në librin “Ces malades qui nous gouvernent” (Këta të sëmurë, që na qeverisin). Këtu flitet edhe për Çërçillin, që shkoi pas vazhdës së Ruzveltit. Ajo që i vuri kapak kësaj politikë rrënimtare, në dobi të shtrirjes së komunizmit, ishin edhe spiunët e Kominternit, të instruktuar nga Litvinovi. Stalingradi shpëtoi nga njëri prej këtyre spiunëve.

Spiunët komunistë në dobi të Stalinit/Njëri ndër anëtarët më të rëndësishëm të delegacionit amerikan në Jaltë ishte Alger Hiss (Ellxhër Hisi), këshilltar i rangut të parë të Departamentit të Shtetit. Në Departamentin e Shtetit, këshilltari special Ellxhër Hisi ishte ngarkuar të bashkërendiste të gjithë politikën e jashtme amerikane, si edhe për të përgatitur dosjet e posaçme për konferencat e mëdha ndërkombëtare. Role kaq të larta, për një njeri të dyshimtë!
Tani le të vëzhgojmë se Hisi ishte një anëtar i rëndësishëm i Partisë Komuniste klandestine të Shteteve të Bashkuara. Por kjo mbeti e heshtur dhe tani dërgohet në Jaltë, si një anëtar i shquar i delegacionit amerikan, për të trajtuar problemet me... Stalinin!
Në Jaltë rusët i rezervuan një dhomë ngjitur me atë të Ruzveltit.  Ai kishte telefonin nr. 4, me që të parin e kishte Ruzvelti, të dytin Herri Hopkinsi dhe të tretin admirali Leahy, këshilltar special i Shtëpisë së Bardhë.
Numri i telefonit të Hisit kishte përparësi ndaj atij të shefit të Shtatmadhorisë, gjeneralit Marshall, ashtu edhe ndaj atij të sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara, Stetiniusit.
Ellxhër Hisi e bëri udhëtimin nga Uashingtoni në Jaltë, në shoqërinë e Ruzveltit, duke pasur në dorëzim edhe ruajtjen e të gjitha dosjeve për konferencën e Jaltës, të përgatitura nga shërbimet e specializuara të Uashingtonit.
Në Jaltë, ndërkohë që shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë, gjenerali Marshall, ashtu si Stetiniusi ose admirali Leahy e kishin të vështirë për ta takuar presidentin e sëmurë, Hisi ishte gjithmonë me atë në konferencë, pa pasur asnjë pengesë.
Siç dihet tanimë, pavarësisht nga kundërshtimi i Departamentit të Shtetit dhe të Kongresit, Ruzvelti i dha tri zëra Stalinit për B.R.S.S. në organizatën e re të Kombeve të Bashkuara, kurse Shtetet e Bashkuara nuk kishin veçse një!
Kritikët e Jaltës, e bënë Hisin përgjegjës për këtë lëshim  absurd të papërfytyrueshëm ndaj Stalinit, aq më tepër së detyra e Hisit kishte të bënte me problemet për krijimin e organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mjaft amerikanë ishin befasuar tek shihnin sesi mundej të përfitonte Stalini para Jaltës dhe në Jaltë dhe mundoheshin të gjenin një shpjegim për këtë lëshim amerikan që e quanin si gabim të Ruzveltit. Ish-presidenti Rikard Nikson, senatori Knowlend, senatori Hickenlorpe, Fergusoni, -  për të mos përmendur të tjerë, - e akuzuan publikisht Hisin si përgjegjës të kësaj çudie.
Ata pyesnin njëri-tjetrin se gjer ku arrinte ndërkallja komuniste në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit dhe në shumë shërbime amerikane...
Ishte një tradhti? Apo thjeshtësisht një politikë e aftë e rusëve, që kishin përfituar nga rënia intelektuale dhe fizike e një presidenti të sëmurë për vdekje. Brenda vendit, amerikanët thoshin apo mendonin: “Shtetet e Bashkuara u shitën në Jaltë”. “Europa lindore u shit në Jaltë”. “Polonia , po ashtu. Kush i kishte shitur dhe përse?
Ka rëndësi të thuhet se Ellxhër Hisi, anëtar i Partisë Komuniste, lozi një rol të madh në Jaltë. Kjo nuk provohet vetëm me afërsinë e dhomës së tij më atë të presidentit, në Jaltë; as për numrin e telefonit, por për pjesëmarrjen e Hisit në çdo bisedë, édhe në ato më të voglat.
Në procesverbalet e Jaltës tregohet sesi Hisi ndërhyn në diskutimet e nivelit më të lartë dhe në ç’mënyrë ai e këshillonte Ruzveltin publikisht. Për shembull, gjatë konferencës plenare të tre të mëdhenjve, kur Ruzvelti ishte  në përçapje për të shitur Poloninë dhe filloi të fliste për kufijtë e rinj, Hisi ishte ai që i sugjeroi që të mos përdorte procedurën e  “Traktatit” por, përkundrazi, të përshtatej fjala “Marrëveshje”, jo ndërmjet të tre Kombeve, por ndërmjet të tre Shefave të Shtetit. Me qëllim që ta shpërblenin për shërbimet e tij, Hisin e zgjodhën president të organizatës së parë të Kombeve të Bashkuara, pavarësisht nga akuzat e të qenit komunist, që e ndiqnin qysh në vitin 1939. Hisi kishte të gjithë besimin jo vetëm të Ruzveltit, por edhe të Din Eçisonit, i cili e mbronte gjithandej.
Gjatë anketimit të Komisionit për aktivitete antiamerikane, të kryesuar nga Niksoni, Hisi nuk pranoi se kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste. Komisioni e çoi para gjyqit dhe, pas një anketimi të imtë, ai pësoi një proces të rregull dhe të paanshëm. Ai u akuzua për betim të rremë para jurisë dhe u dënua. Ai u mundua më kot që të rishikohej procesi i tij.
Pa dyshim, Hisi lozi një rol të madh në Jaltë dhe, gjatë luftës, kishte ndikuar në të gjitha vendimet e Ruzveltit. Ai mundej, falë pozicionit që kishte zënë, që të përgatiste raportet dhe dosjet sipas mënyrës së tij dhe t’ia kthente drejtimin politikës së Ruzveltit, për më tepër  mjaft lehtësisht, meqë ky ishte i magjepsur nga Stalini dhe tepër i dhënë që t’i lëshonte pé në të gjitha pikat. Sidoqoftë ishte edhe më e pëlqyeshme për tiranin rus, që të kishte njeriun e tij në vendin e duhur, që i shërbente si syri dhe veshi në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Stalini kishte njeriun e tij në Shtëpinë e Bardhë, përveç Hisit, një tjetër njeri: Majkëll Uajtni Straight-in, që redaktonte të gjitha fjalimet politike të presidentit Ruzvelt.
Strejti kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste Amerikane dhe një spiun rus, që në fillim të vitit 1937. Ai i përkiste grupit të Entoni Blantit (Blunt), të cilin e rekrutoi në po atë vit në Trinity College, në Kembrixh. Atje kishte rekrutuar edhe Léo Long-un, Gui Borgess-in, Mac Lean-in dhe Filbin...
Të gjithë këta njerëz u ndërkallën në shërbimet e fshehta në rangjet e epërme. Strejti bënte spiunimet brenda Shtëpisë së Bardhë. Ja sesi Cari i Kuq mori ç’deshi nga presidenti amerikan.
Do të bëhej e qartë më vonë kjo rrjetë merimangash  që u shtri nga Departamenti i Shtetit në Uashington, nga ministria e Punëve të jashtme britanike, gjer në shërbimet e fshehta M15 dhe M16 në Londër. Kjo pëlhurë merimangash endej në Moskë.
Përveç me Ruzveltin, tradhtia ishte shtruar në një tryezë me mbretin e Anglisë.
Një pjesë e madhe e elitës universitare britanike, studentë të Oksfordit dhe të Kembrixhit, përbënin bazën e kolonës së pestë të Kremlinit. Dhe këta njerëz ishin, njëherësh shtylla kurrizore e Perandorisë!
Infiltrimet ishin bërë përmes Litvinovit, që kishte pasë “emigruar” në Angli para Revolucionit dhe që ishte martuar me një angleze, Mrs. Lowe. Ai u bë sekretari i Shtetit i Punëve të jashtme të B.R.S.S. Do të duhej të vaksinohej virusi marksist në radhët e dukëve, të baronëve dhe të lordëve qysh në moshën e tyre më të re, në bankat e Universitetit.  Duheshin tërhequr më inteligjentët apo ata me prirje homoseksuale. Me këtë prirje, Litvinovi u lidh me shërbimet e një rekrutuesi të rrahur me vaj e me uthull, Entoni Blantin, djalin e një protestanti, intelektual i spikatur dhe homoseksual i njohur. Ky personazh me pseudonimin  “Apostull” rekrutoi të famshmit Gui Burgess, Donald Maclean, James Klugmen, Allen Nunn May, Harold Philby-n  dhe, pa dyshim,  shumë të tjerë, ende të paidentifikuar.
Në Kembrixh, Entoni Blanti isht i njohur si anëtar i Partisë Komuniste Britanike dhe parakalonte në rrugët e Kembrixhit me “Apostujt” e tjerë, opinioni politik për të cilët, ashtu si edhe shtrembërimet (deviacionet) seksuale, ishin të njohura publikisht.
Gui Burgess-i ishte biri i një oficeri të marinës të rangjeve të larta, koleg dhe mik i Viktor Rotçildit, në shtëpinë e të cilit pritej si një anëtar i familjes. Vetë zonja Rotçild i jepte çdo muaj shuma të mëdha paresh për qejfin e tij. Viktor Rotçildi, tani me emrin Lordi Rotçild, ishte njëri nga bankierët më të fuqishëm të Anglisë dhe të botës.
Portat e kështjellave të kësaj familjeje të fuqishme, si edhe ato të banesave të aristokracisë, ishin të hapura për Gui Burgess-in. Një “apostull” tjetër, Meklini, qé emëruar, në vitin 1938, ambasador britanik në Paris dhe në vitin 1944, u emërua sekretar i parë i Ambasadës britanike në Uashington, vend në të cilin kishte mundësinë të shfletonte të gjitha dokumentet e fshehta anglo-amerikane, duke përfshirë edhe sekretet atomike.Në maj 1951, Meklini kaloi në Lindje, bashkë me Gui Burgess-in. Edhe spiuni tjetër, Kim Filbi, në vitin 1933 u vendos në Vjenë, ku u martua me Licin, komuniste militante si ai vetë. Filbi ishte emëruar nga Daily Telegraph-i si i dërguari special për të “mbuluar” luftën e Spanjës. Në këtë rast ai qé paraqitur, - kuptohet, - si një element politikisht i së djathtës. Pastaj Kimi u rekrutua nga M16-a, shërbimi i kundërspiunazhit britanik – ku ai bëri udhë gjersa “ta  mbulonte” shërbimin (e fshehtë) tërësisht.. Kur u themelua seksioni special D9, pas luftës, me synimin që të luftonte shërbimet e propagandës së Moskës, ujku u ngarkua që të ruante bagëtinë: Kimi bëhet shef i Seksionit sovjetik të M16-s britanike në vitin 1945. Shqiptarët e njohin mirë Filbin, që informonte sovjetikët për vendin dhe orën kur diversantët do të hidheshin nga ajri. Për këtë personazh të përdhosur, “55-a” ka publikuar tri-katër shkrime. Filbi degjeneroi në B.S., ku u arratis, dhe përfundoi si pijanec kronik që i hiqte këmbët zvarrë nëpër rrugicat ruse, i zhgënjyer se sovjetikët nuk ia njohën sa duhet “meritat” dhe nuk i dhanë ofiqet që mëtonte.
Erdhi një kohë që ajo grua e jashtëzakonshme, ajo kryetare shteti providenciale, zonja Theçer, kryeministre e Britanisë, i mori në duart e saj shërbimet sekrete britanike dhe i vendosi në përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë, me qëllimin që t’i jepte fund tradhtisë, që kishte tërhequr zvarrë botën e lirë. Mjaft nga këta spiunë u  demaskuan dhe i mbuloi poshtërimi në vitin 1979, nga zonja Theçer. Por ishte tepër vonë, tanimë.
(Vijon në numrin e ardhshëm)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›