E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektet e Bankës Botërore dhe abuzimet e PS-së për Bregdetin

Projekti i Bankës Botërore për zhvillimin e integruar të zonës bregdetare të Jonit dhe rikonstruksioni modern i rrugës Vlorë –Sarandë përbëjnë dy shinat mbi të cilat do të eci lokomotiva e ardhshme e turizmit shqiptar. Për banorët e asaj zone kjo është rilindja e vërtetë. Vetëm në kuadrin e materializimit të këtyre ideve apo investimeve ka vlerë fjala “Riviera Shqiptare”. Por, ashtu si në rastin e ndërtimit të rrugës “Durrës-Kukës”, TEC-it të Porto Romanos e mjaft veprave të tjera energjetike, cinikët majtist të të gjitha ngjyrave nuk vonuan të hedhin baltë mbi këto mrekulli, duke shpifur e akuzuar për korrupsion “familjen kryeministrore”. Kjo fushatë shpifjesh e denigrimesh të paskrupullta ramiste ka disa ditë që vazhdon me intensitet të lartë. Amoraliteti i manifestuar në këtë rast ka dhe një aspekt tjetër, përveç cenimit të interesave ekonomiko-shoqërore që shkakton mosrealizimi i këtyre investime të rëndësishme për bregdetin Jonian. Ai lidhet me cenimin e interesave tona gjeostrategjike në kuadrin e kurorëzimit të proceseve integruese të Shqipërisë në NATO dhe BE. Kundërvënie më të hapur ndaj interesave kombëtare të një vendi nuk ka. Të kërkosh të prishësh imazhin e qeverisjes me shpifje dhe trillime të poshtra, ndërkohë që kancelaritë perëndimore janë më të predispozuara se kurrë për ta përfshirë Shqipërinë në gjirin e familjes dhe kombeve të qytetëruara, do të thotë të jesh armik i betuar i këtij vendi. Një opozitë e pjekur dhe e interesuar për të mirën e përgjithshme, edhe në rast se do kishte realisht veprime korruptive, do të përpiqej që t’i shfrytëzonte sa më pak politikisht ato, duke gjetur momentin për t’i përdorur si armë elektorale. Por opozita shqiptare dhe mbështetësit e saj, të varur e të pavarur, siç e kanë dëshmuar gjatë gjithë viteve të tranzicionit, nuk janë të interesuar për asgjë tjetër përveçse për pushtetin e tyre, për të cilin janë gati, jo vetëm të shpifin e trillojnë por edhe të rrëmbejnë armët, sikurse bënë në ’97-ën. Në këtë mënyrë ata, më shumë se sa kundërshtarit politik ia bëjnë borxh popullit. Natyrisht jo të gjithë i kuptojnë prapësitë dhe djallëzitë e tyre të pashembullta, në mënyrë që t’ju tregohet publikisht vendi që meritojnë në histori. Ndoshta disave ashtu u intereson sepse paguhen për agjitacion. Dhe këtu fjala nuk është për qytetarët e thjeshtë, po për institucionet e ndryshme, duke përfshirë këtu dhe institucionet ndërkombëtare. Por duke u kthyer të rasti në fjalë, jo më vonë se dje Banka Botërore ua përplasi në fytyrë ramistëve më shokë akuzat e stisura për korrupsion në projektin për zhvillimin e integruar të bregdetit Jonian. Ajo konfirmoi se nuk bëhet fjalë dhe as nuk hetohet për asnjë lloj korrupsioni në këtë projekt, aq më pak për korrupsion të qeverisë shqiptare apo “familjes kryeministrore” siç kanë dëshirë të llomotitin poshtë e përpjetë këta intrigant të pa korrigjueshëm. Dhe nuk është hera e parë që po dalin blof, por kjo nuk u bënë aspak përshtypje. Vetëm politikanët majtist të këtij standardi mund t’i kundërvihen në mënyrë kaq të poshtër një prej projekteve më të rëndësishme për zhvillimin bashkëkohor të turizmit në bregdetin Jonian dhe në të gjithë Shqipërinë.
Siç dihet kjo pjesë e bregdetit doli nga diktatura e mbushur me bunkerë dhe me një infrastrukturë nga më të prapambeturat, krahasuar dhe me zona të tjera të vendit tonë. Kësisoj togfjalëshi “Riviera Shqiptare”, i përdorur nga udhëheqësit komunist, s’ishte gjë tjetër veçse një slogan i krijuar për të përkufizuar “brezaret e mbushura me agrume dhe ullinj” nga puna vullnetare. Vërtetë natyra i ka falur bukuri e mundësi të mëdha kësaj zone, megjithatë ato asnjëherë nuk marrin vlerë nën regjimet moniste. Por eksperienca shqiptare ka treguar se kjo zonë e begatë nuk tërhoqi as vëmendjen apo angazhimin serioz të trashëgimtarëve politik të monizmit në pluralizëm, pra të qeveritarëve majtistë. Kjo ishte arsyeja që për 8 vitet e qëndrimit të tyre në pushtet, bregdeti Jonian degradoi edhe më tej. Ajo rruga e ngushtë nacionale që lidh Vlorën me Sarandën, e ndërtuar qysh në kohën e luftës, dhe e asfaltuar herë pas here në vitet e socializmit mbeti e pandryshuar. I vetmi investim i tyre ka qenë rikonstruksioni i rrugës deri në Urën e Palasës. Ky investim u paraqit me pompozitet si projekt i rëndësishëm zhvillimi, por që në fakt synonte piketimin e interesave private në Plazhin e Palasës, të krerëve më të lartë të qeverisë dhe politikës socialiste të asaj kohe. Në katalogun e firmës "Edil Al", faqe 36, është reklamuar "Fshati Turistik i Jalës", fshat rezidencial me ndërtesa 2 dhe 3 katëshe, me një sipërfaqe prej 45 000 m², me sipërfaqe rezidenciale 4100 m² dhe 2200 m², hotel i cili duhet të përfundonte  në vitin ‘09. Pra ajo njollë e miratuar në vitin e fundit të qeverisjes majtiste, nuk është asgjë më shumë se ky fshat turistik i miqve ndërtueso-botues të Edi Rama, i cili tashmë ngelet në letër nga miratimi i Projektit të Bankës Botërore. Ky është shkaku i vërtetë i armiqësisë së ramistëve me Projektin e Bankës Botërore, pikërisht në Jalë dhe jo në një zonë tjetër të bregdetit. Është kjo arsyeja që gjithë shpura e tyre është tërbuar pas realizimit të projektit të BB-së për zhvillimin e integruar të bregdetit Jonian. Faktikisht ky projekt ka qenë aktiv qysh në atë kohë, por u pezullua për t’i hapur rrugë vjedhjes dhe grabitjes së trojeve në atë zonë, për të ndërtuar aty ku plotësoheshin interesat e tyre, jashtë çdo kriteri e studimi urban. Normalisht, çdo njeri sado dashakeqës që të jetë, nuk mund të shkojë deri atje sa të mendojë se një zonë turistike mund të  zhvillohet pa një  projekti integral, ku përcaktohet zhvillimi i zonës, infrastruktura, bujqësia dhe kultura në funksion te zhvillimit turistik, etj. Shembujt e ndërtimeve  turistike kaotike në pjesët e tjera të bregdetit shqiptar përbëjnë shembujt më të shëmtuar të këtij modeli. Ndërsa projekti në fjalë i Bankës Botërore, i realizuar tashmë së fundi në vitet e qeverisë “Berisha” përgatit një plan të përdorimit të tokës duke përcaktuar një vijë të kuqe në një largësi nga deti, ku nuk mund të ndërtohet. Gjithashtu paraqet edhe zonat ku mund të ndërhyhet me ngjyra dhe ato që duhet të ruhen si pasojë e vlerave mjedisore. Dhe kjo zonë pastaj u lihet në dispozicion njësive të qeverisjes vendore për të përcaktuar planet turistike dhe të zhvillimit të saj, duke hequr kompetencat e centralizuara nga qendra. Ndërsa projekti i social-komunistëve paraqit vetëm një zonë të caktuar ku mund të ndërtohet dhe pjesa tjetër është e pa studiuar. Mirëpo kjo situatë e krijuar pas miratimit të projekti të BB-së, ka prishur plane të mëdha apo pazaret mes politikës së majtë dhe klientëve politikë e ekonomikë të saj, që kanë investuar shuma të konsiderueshme, duke blerë apo grabitur troje, eficienca ekonomike e të cilave pritej të garantohej nga “mandati i tretë” radhazi qeverisës i të majtëve. Deshi fati, por edhe votuesit shqiptarë, që në 3 korrik ’05 bregdeti të shpëtonte përfundimisht nga kjo makutëri barbare, me ardhjen në pushtet të demokratëve. Qeveritarët demokratë arritën të shmangnin në kohë më të keqen, duke e kthyer projektin në qëllimin e vërtetë të tij, përcaktimin e prioriteteve dhe rregullave të përgjithshme të zhvillimit turistik të zonës, gjë që çoi pastrimin e hartës nga njollat e politikave dhe praktikave klienteliste të para ‘05-ës. Pra, aktualisht kemi një projekt të përfunduar pa njollat e korrupsionit dhe grabitjes dhe mbi të gjitha me rregulla që i kufizojnë në maksimum politikat abuzive të pushtetit vendor. Por edhe duke e lënë mënjanë këtë projekt madhor të Bankës Botërore, do të mjaftonte vetëm ndërtimi i rrugës nacionale Vlorë-Sarandë për t’i dhënë qeverisë “Berisha” atë që i takon në raport me vlerësimin e barabartë që ajo ka për të gjithë zonat e Shqipërisë. Rruga nuk është gjithçka, por ajo është e mjaftueshme, që banorët punëdashës dhe të zgjuar të Bregut të vlerësojnë raportet me politikat dhe qeverisjet. Faktet tregojnë se falë këtyre investimeve të qeverisë, vëmendja e biznesit ndaj bregdetit, është rritur ndjeshëm. Banorët e zonës janë të aftë ta ndiejnë, madje edhe ta prekin ndryshimin midis dy politikave apo dy qeverisjeve, aq më tepër tani  kur intrigantët majtist të të gjithë ngjyrave u damkosën nga vetë Banka Botërore me vulën e ulët të shpifjes për pushtet, në dëm të interesave tona kombëtare

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›