E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e Kosovës votojnë për presidentin e Serbisë

(E plotësuar) Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, në Kosovë po organizohet nga ana e OSBE-së, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd.

Misioni i OSBE-së ka njoftuar se të gjitha vendvotimet, gjithsej 90, të mundësuara nga ky mision, janë hapur sot në Kosovë në ora 07:15.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, citon komunikata e lëshuar nga Zyra për Informim, shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer. Për t’u njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar një qendër votimi në Graçanicë.

Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve po përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar po u kushtohet sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Deri më tani, nga aspekti i sigurisë, ai ka konfirmuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe se sipas tij, nuk ka indikacione që mund të ketë ndonjë tensionim apo përshkallëzim të situatës.

“Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve, në gjithsej 13 lokacione të votimeve. Policia e Kosovës do të jetë prezente për të ofruar sigurinë, e veçanërisht shtimin e prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri”, ka bërë të ditur Hoti.

Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-në territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Gjetja e formulës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë përmes misionit të OSBE-së ishte mirëpritur nga qeveria e Kosovës dhe ishte përshëndetur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa është kundërshtuar nga opozita në Prishtinë e cila ka vlerësuar se në këtë formë, autoritetet e Prishtinës po legjitimojnë strukturat e Serbisë brenda territorit të Kosovës. (rel)

OSBE hapë vendvotimet për serbët në Kosovë

Të gjitha 90 vendvotimet të mundësuara nga OSBE, për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, u hapën sot në Kosovë në ora 07.15, njofton përmes një deklarate për media, misioni i OSBE-së në Kosovë.

“Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer.

OSBE iu mundëson personave që jetojnë në Kosovë me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë.

Marrëveshja është arritur edhe për zgjedhjet parlamentare, të cilat po ashtu u organizuan më 6 maj, bashkë me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet e 6 majit, janë zhvilluar në mënyrë të qetë në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›