E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta masive kundër Bashkimit Arabik në Bahrejn

Disa dhjetëra mijëra bahreinas të besimit shiit protestuan në kryeqytetin Manama kundër planit për të krijuar një bashkim të vendeve arabike, sipas modelit të Bashkimit Evropian.

Në Manama, turma e njerëzve u shtri deri në pesë kilometra, duke bllokuar autostradën kryesore qe lidh jugun me veriun e vendit.

Më parë gjatë javës, mbreti i Arabisë Saudite propozoi që një organizatë bashkëpunimi aktuale midis gjashtë vendeve të rajonit të shndërrohet në një union të mirëfilltë.

Shtetet që aktualisht janë pjesë e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik, janë Arabia Saudite, Kuvajti, Omani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni.

Kundër kësaj nisme ka pasur protesta edhe në Dubai dhe në Iran, ku ambasadorit të Bahrejnit iu kërkua që të largohej nga vendi.

Në një deklaratë të Teheranit, ideja akuzohej si “eksperimenti më i fundit amerikan në rajon, që synon të aneksojë Bahrejnin, duke e shndërruar në pjesë të shtetit saudit”.

Bahrejni, një vend me shumicë shiite, drejtohet nga një monark dhe qeveri e përbërë nga sunitët, që ka provokuar protesta të shumta anti-qeveritare në javët e fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›