ISSH: Efektet në kontribute të pagës minimale
Rritja e pagave në shtet, si vendim në kuadër të premtimit elektoral, detyron Ministrinë e Financave, bashkë me institucionet përkatëse të ndërmarrin hapin tjetër ekuilibrues. Bëhet fjalë për pagën minimale dhe maksimale që merret në konsideratë për efekt të kontributeve shoqërore. Sikurse dihet, pas rritjes së pagave, qeveria ngriti tavanin e pagës minimale dhe maksimale, duke shtrënguar masën e detyrimit për kontribute. Për këtë vendim, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë punuar gjatë, që në fillim të vitit, duke dalë në konkluzionin se preken rreth 70 mijë punonjës në shtet dhe në privat.
Lidhjet ndërmjet pagës minimale, për efekt të pagesës të kontributeve, me pensionin minimal në qytet janë të përcaktuar në formë formule. Sipas ISSH-së, paga minimale e përcaktuar, e kthyer në neto (duke i zbritur tatimin + kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që mbahet nga paga e personit) e shumëzuar me 75 për qind, (e cila në ligjin e Sigurimeve Shoqërore është përcaktuar si normë zëvendësimi bazë) jep pensionin bazë për përllogaritjen e përfitimeve të ardhshme. Pikërisht, kundrejt kësaj llogaritjeje, që duke filluar nga data 1.7.2010 e në vazhdim paga minimale për efekt të pagesës së kontributeve nga 16 120 lekë në muaj që ishte, bëhet 16 820 lekë, ndërkohë paga maksimale që është tavan për pagesën e kontributeve, nga 80 600 lekë bëhet 84 100 lekë në muaj. Ky vendim erdhi pasi sipas ligjit, paga maksimale për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duhet të jetë e barabartë me pesëfishin e pagës minimale. “Në rast se nuk do të bëhej ky rregullim, do të sillte si pasojë, që punonjësve që do rezultonin me pagën para ndryshimit, pensioni i llogaritur për këtë kategori do të ishte nën pensionin minimal”, sqarojnë specialistë të ISSH.
Sipas institutit, rritja e masës së kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi prej 20 për qind, bëhet pasi ka një strategji të ISSH-së, për barazimin e masës së kontributeve me të vetëpunësuarit në qytet. Aktualisht, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë mesatarisht 22 për qind e pagesës të të vetëpunësuarve në qytet. Edhe me këtë shtesë, ata do të paguajnë rreth 25 për qind të pagesës të të vetëpunësuarve në qytet. Po kështu, pagesat për disa kategori punonjësish, si ambulantët dhe punëtorët e familjeve rritja është në proporcion me të vetëpunësuarit në bujqësi, bazë që është marrë dhe për caktimin e masës së pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore.
Në këtë vendim është përcaktuar që për të vetëpunësuarit në bujqësi, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dy detyrime kontributive të detyrueshme, të derdhen bashkërisht, në strukturat e sigurimeve shoqërore sipas afateve ligjore.
Megjithëse detyrimet e prapambetura për subjektet, që kontributin e sigurimeve shoqërore e paguajnë në organet tatimore, janë tepër minimale, në kushtet kur administrata e sigurimeve shoqërore nuk ka më tagrin për t’i mbledhur ato apo për t’i detyruar ligjërisht subjektet që të likuidojnë detyrimet e tyre të prapambetura është parë i nevojshëm transferimi i këtyre detyrimeve pranë administratës tatimore.
Efekti ekonomik, në zbatimin e këtij vendimi është tepër minimal, as 1 për qind, e totalit të rritjes së pensioneve për këtë 6-mujor, pasi përfshin një numër të kufizuar punonjësish, që janë të vetëpunësuarit rreth 60000, që kontributi i sigurimeve shoqërore rritet vetëm për 160 lekë në muaj, dhe për punonjësit me paga mbi 80.600 në muaj (që përbëjnë rreth 9,000 punonjësish, ku rritja në vlerë absolutë është për punëdhënësin rreth 525 lekë dhe për të punësuarit 332 lekë.
#