E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i Arsimit asgjëson autonominë

Flet kryetari i konferencës së rektorëve, kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule Ndryshimet në arsimin e lartë? Nuk kemi konsultuar dhe s’kemi miratuar asgjësimin

Projektligji i arsimit të lartë nuk është konsultuar me grupet e interesit, në mënyrë të veçantë me përfaqësuesit e universiteteve publike. Disa nene janë antikushtetuese, të tjera cenojnë autonominë universitare. Por jo vetëm kaq. Një pjesë e ndryshimeve, si ajo e marrjes së lejes së rektorëve te ministri i Arsimit, për të dhënë një orë mësim në fakultet, ka indinjuar krerët e universiteteve, duke sqaruar qartë dhe prerë se ndryshime të tilla nuk mund të gjejnë aprovimin dhe miratimin e tyre, kur substanca është “asgjësimi” i institucioneve të arsimit të lartë, “pasuri e trashëguar kombëtare”. Sipas universiteteve, miratimi i këtyre pikave, nga ana dekanateve, departamenteve, profesorëve, do të ishte bombë dhe ata që do ta mbanin me vete, rezultojnë të mbajnë emërtesën “kamikaz”.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, rektori i UT-së, kryetari i konferencës së rektorëve, i cili është njëkohësisht edhe kreu i rrjetit të universiteteve shqipfolëse, por edhe drejtuesi i rektorëve të universiteteve të Ballkanit, ka sqaruar problemet e projektvendimit, si dhe problematikat që sjell miratimi i këtij drafti.

Drafti i ndryshimeve për ligjin e arsimit të lartë ka ngjallur polemika për ata që e kanë pasur në dorë. Pjesa tjetër thonë se nuk kanë dijeni. Cili është informacioni që keni ju lidhur me ndryshimet?

Sikurse është bërë me dije opinioni publik, këto ditë ka nisur diskutimi për një projekt të përgatitur nga MASH në lidhje me ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë. Kam deklaruar me përgjegjësi institucionale se ky projekt nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe këtu kam parasysh kryesisht universitetet publike, të cilat janë objekt i këtyre ndryshimeve.

E konsideroj të papranueshme, të pajustifikueshme, fyese dhe cinike që artikulohen deklarime, edhe nga ndonjë rektor, se ndryshimet i kemi diskutuar, miratuar dhe mezi presim që t’i zbardhim. Nuk do t’u bëj komente të gjata këtyre pozicionimeve, por duke zbritur në terrenin konkret, do t’i shpjegoj se përse nuk mund të jenë të konsultuara dhe aq më pak të mbështetura nga ana jonë ndryshimet e përgatitura nga ministria.

Do t’ju shpjegoj faktin se pse nëse do të miratohen këto ndryshime nuk mund të flitet më për cenim të autonomisë së universiteteve publike, por për asgjësim. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 57, pika 7, shprehet se autonomia e IAL dhe liria akademike e tyre është e garantuar me ligj. Pra, detyra e ligjit është ta garantojë autonominë dhe pikërisht neni 3 e kryen këtë detyrë, ku janë përcaktuar qartë aspektet në të cilat shprehet autonomia e universiteteve. Kjo do të thotë se rregullimet ligjore të shprehura në nenet pasuese duhet të mbështeten në nenet bazë. Ligji i ka të përcaktuar, janë katër elementë ku shprehet autonomia e universiteteve.

Konkretisht, 1- e drejta e universiteteve për të përcaktuar pranimet e studentëve në programet e studimit, 2- e drejta për hartimin dhe zhvillimin e pavarur të programeve të studimit dhe projekteve të kërkimit, 3- e drejta për vetëqeverisje për të organizuar strukturat e brendshme dhe veprimtarinë e tyre, 4- autonomia financiare. Me këtë të fundit nuk do të bëjmë shtjellime, pasi strukturat shtetërore dhe ne e kemi pranuar që nuk ka autonomi financiare. Po bëhen përpjekje, me iniciativë edhe të Kryeministrit, që të ketë rregullime, në mënyrë që universitetet në këtë aspekt të sigurojnë autonominë financiare. Në projektin e paraqitur në nenin 18, universiteteve, e drejta që u jep dispozita bazë për të përcaktuar kritere pranimi, u kthehet në të drejtë për të propozuar kritere pranimi. Kjo nuk ka nevojë për komente, e drejta për të vendosur me të drejtën për të propozuar janë substancialisht të ndryshme, kjo shtyllë asgjësohet. E drejta për të hartuar dhe zhvilluar në mënyrë të pavarur programet e studimit dhe projektet e kërkimit, në nenin 15 edhe kjo e drejtë cenohet. Përsëri në mënyrën e organizimit të këtij ligji, kjo e drejtë orientohet, përcaktohet, kufizohet me detyrim në akte që përcakton MASH. është e thjeshtë, edhe kjo shtyllë bazike rrëzohet me ndërhyrjet që bëhen në nenin 15 të projektligjit të përgatitur nga MASH. Së treti, e drejta për vetëqeverisje për të organizuar strukturën e brendshme, sërish asgjësohet. Në nenin 25, pika 2, ligji aktual ia ofron këtë të drejtë IAL, duke zbatuar këtë parim që gjenerohet, garantohet nga Kushtetuta. Ndërsa neni 23, pika 2, ia shfuqizon dhe ia jep ministrit, nëpërmjet përfaqësimit që ka në këshillin e administrimit. Kjo duke pasur fuqinë bllokuese, pjesëmarrjen dhe numrin e anëtarëve të propozuar prej tij më të madh se 1/3, kur në fakt vendimi merret me 2/3. Edhe këtë kompetencë e merr ministri.

Cilat janë disa pjesë të tjera të cilat paraqesin problem për autonominë universitare dhe përse universitetet janë “frikësuar” nga ky projektvendim?

Nga pikëpamja e autonomisë, elementët bazë të saj, ndryshimet, flasin vetë dhe kushdo që të vijë, edhe studenti i juridikut i vitit të parë, që sapo ka bërë një javë shkollë, e kupton se këto të drejta të shprehura në këto shtylla bazë janë asgjësuar. Ligji aktual, të gjithë rregullimin, funksionimin dhe administrimin e strukturave universitare e ka të bazuar mbi zgjedhjet e drejtpërdrejta të organeve drejtuese. Mbi këtë bazë të verifikuar tashmë si pjesë demokratike e funksionimit të universiteteve universitare, futet precedenti i emërimit të një autoriteti që është pjesë e strukturave universitare. Ky është cenim shumë i rëndë i autonomisë. Po të shikosh atë që është problemi madhor nga pikëpamja e pasojave që gjeneron ky ligj dhe që prek rëndom, cenon përfituesit që marrin nga universitetet, studentët. Neni i cikleve të studimit, rregullimet, bien ndesh me Kushtetutën. Gjithashtu, projekti në tërësinë e vet ka nene jo të kësaj peshe dhe shkalle rëndësie, nene që diskreditojnë logjikën e përfshirjes së tyre në këtë projekt.

Nenin 13 është absurd. Lidhet me sa duket me emra individësh, që do ta gjykoja anormale që ligjit t’i prishësh funksionimin e vet për emrat e individëve të caktuar që punojnë në universitetet tona. Neni thotë se u hiqet kancelarëve e drejta për të dhënë mësim. Këtë të drejtë legjislacioni në Shqipëri nuk ua ka hequr as gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, që mund të pretendohen se kanë konflikt interesi, pasi mund të kenë çështje të institucioneve për të gjykuar. është miratuar se mësimdhënia është një e drejtë për të gjithë. Kalohet deri atje sa u hiqet në mënyrë të pajustifikuar. Neni 9 u heq të drejtën personaliteteve që kanë dalë në pension, që mund të jenë anëtarë të këshillave të profesorëve. Nuk i gjej asnjë lloj justifikimi. Pensionistët, edhe nëse janë në jetë aktivë dhe të tillë ka shumë- pasi në universitetet private punon një pjesë e mirë dhe mbështesin funksionimin e tyre -nuk u lejohet të jenë anëtarë të këshillit të profesorëve.

Përse projektvendimi sipas jush është diskriminues?

Mentaliteti mbi të cilin është hartuar ky projekt shprehet edhe në një nen tjetër, 27. Parashikohet në mënyrë fyese dhe të paligjshme që rektorët, nëse do të japin mësim me kohë të pjesshme, duhet të marrin leje te ministri. Kjo është e mjaftueshme për të gjykuar frymën e ndryshimit. Një tentativë të tillë e ka bërë ish-ministri Luan Memushi, duke paraqitur një projektligji që të sillej me rektorët sikur ai ishte i zoti i tyre. Janë në arkiva reagimet që ka pasur në atë kohë. Kryeministri Berisha, asokohe kreu i opozitës, është ngritur nga vendi ku ndodhej, ka dalë në podium dhe e shpëtoi këtë nen, e asgjësoi, duke i thënë ish-ministrit: “Mos të të shkojë mendja të marrësh kompetencat e Presidentit. Universitetet janë nomenklaturë e presidencës, jo e ministrit”.

Ndërhyrja flet se sa e miratuar dhe e konsultuar mund të jetë nga ne. Gjithashtu shqetësues në ligj janë kompetencat që përpiqet të marrë ministri, që aktualisht i ka qeveria. Kjo cenon përsëri autonominë universitare. Ne jemi më të mbrojtur kur vendimet për ne i merr një organ kolegjial me në krye Kryeministrin, ndërsa këto kompetenca janë parashikuar për t’iu vendosur ministrit.

Ne nuk kemi ku të ankohemi më tej nëse vendimmarrja e ministrit mund të jetë autoritariste, dhe kjo e dëmton autonominë e universiteteve. Verifikohet qartazi, nëse ky projekt do të miratohet, universiteteve nuk u mbetet gjë, kështu që nuk e di se kush mund të gjykojë që universitetet publike shqiptare, drejtuesit, stafet, studentët, mund të jenë kaq të paaftë sa nuk e kuptojnë ose kanë dëshirë të miratojnë atë që çon drejt shkatërrimit të këtyre institucioneve. Universitetet janë pasuri e madhe kombëtare dhe ne që jemi drejtues në këtë mandat e kemi për detyrë ta mbrojmë dhe fuqizojmë në partneritet me qeverinë. Ajo që kemi prezantuar në institucionet funksionuese të universiteteve shqiptare, kemi shfaqur gatishmërinë për të kontribuar, që korniza juridike e arsimit të latë, legjislacioni të jetë në të njëjtin drejtim me atë europian. Kemi verifikuar se ligji aktual ka probleme të cenimit të autonomisë, por ndryshimet e asgjësojnë tërësisht. Në qershor të 2008-s kemi qenë në Bruksel, në një komunitet juristësh të legjislacionit të arsimit të lartë, dhe sinqerisht atje jam ndier keq për verifikimin që ata kanë evidentuar në nene të caktuara në ligjin tonë. Një prej tyre është dhënia e titujve nga një institucion jashtë universiteteve. Kur trajtuam dhe po sqaronim këtë nen, ata nisën të nënqeshnin. është i vetmi institucion stalinist që ka mbetur në legjislacionet europiane. Titujt i japin universitetet, s’i jep dot institucioni i vlerësimit të titullit akademik.

Në legjislacionin tonë gjithashtu verifikojmë se kemi edhe një institucion që quhet konferenca e rektorëve. Në masën më të madhe në legjislacionet europiane kjo nuk ekziston. Nëse ekziston, duhet të jetë e ndarë. Rektorët e universiteteve publike më vete dhe privatët më vete. Verifikojmë një përbërje të tillë ku publiket që kanë 90 për qind të studentëve kanë 25 për qind të anëtarëve të konferencës së rektorëve.

çfarë keni diskutuar ju lidhur me draftin në konferencën e fundit të rektorëve?

Në cilësinë e kryetarit të konferencës së rektorëve jam përpjekur që në mënyrë institucionale, pa dhunuar të drejtën e asnjë anëtari, të shpreh ato qëndrime dhe opinione që janë në të mirë të funksionimit të standardeve të arsimit. Dhe në konferencën e rektorëve konkluduam që në ligjin aktual, ndryshimet aktuale të realizohen vetëm për ciklet e studimit. Për ciklet me diskutimet që bëmë dhe ndonjë rast të ndonjë anëtari të porositur para mbledhje, logjika e argumenti janë siç i ka gjithë Europa. Ne nuk do shpikim një model shqiptar të cilin do ta ndryshojmë pas 6 muajsh. Modeli i cikleve të studimit, sidomos në ciklin e dytë, është modeli i minimumit të krediteve. E ka zgjidhur Europa dhe nis nga 60, në 120 kredite. Në këtë diapazon kreditesh për masterat e nivelit të ndryshëm profesional apo shkencor IAL janë ato që përcaktojnë. Modeli i prezantuar me mastera 90 kredite me 4 vjet e gjysmë, nuk ekziston asgjëkund. Kjo gjeneron probleme ekomomike për pagesat e individit. Nëse një master është në 60 kredite, s’ke pse imponon 90 kredite. Duhet që të dyja ciklet të kompletojnë atë që ka sistemi europian në bazë të Bolonjës. Kam bindje se do ta gjej mbështetje e strukturave vendimmarrëse. Në deklarimet që ka bërë Kryeministri, ai ka kërkuar se në ndryshime duhet të ketë fuqizim të autonomisë dhe dekoncentrim, duke u dhënë më shumë peshë departamenteve në funksion të tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›