Plotësimi i moduleve të duhura për punën që kërkoni në Itali
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” vijon publikimin e informacioneve që kanë dalë nga qarkorja e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme italiane, në lidhje me dekretin e flukseve. Qarkorja mbi dekretin e flukseve 2010 tregon edhe formularët me të cilët do të paraqiten online kërkesat për një kuotë të flukseve 2010. Nga data 17 janar, në faqet internet të Ministrisë së Brendshme do të vihet në dispozicion programi për përpilimin e formularëve.
Modulet
Për kërkesat për punë shtëpiake duhet përdorur moduli A. Për kërkesat për punë të varur duhet përdorur moduli B. Për kërkesat në favor të punonjësve të formuar në vendlindje sipas programeve speciale të parashikuara nga neni 23 i dekretit legjislativ 286, i 25 korrikut 1986, duhet përdorur moduli BPS. Kështu që për të gjithë shqiptarët që thirren për punë të varur joshtëpiake, nga ora 08:00 e datës 321 janar duhet të niset kërkesa në modulin A, ndërsa për ata që thirren për punë pranë familjeve, kërkesa niset po në të njëjtën orë, por në modulin B. Për konvertimin (kërkesë që paraqitet duke filluar nga ora 08:00 e 3 shkurtit 2011) e lejeve të qëndrimit për studim ose stazh në leje-qëndrim për punë të varur plotësohet moduli VA. Nuk parashikohet mundësia e konvertimit të lejes së qëndrimit për studim apo stazh në punë të pavarur. Për konvertimin e lejes së qëndrimit për punë sezonale në leje-qëndrim për punë të varur plotësohet moduli VB. Kush ka leje qëndrimi për punë sezonale mund të kërkojë konvertimin vetëm pas qëndrimit të dytë për punë sezonale në Itali.
Leje qëndrimi
Ata që kanë leje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga një vend tjetër duhet të përdorin: Modulin LS për punë të varur; Modulin LS1 për punë shtëpiake; Modulin LS2 për punë të pavarur. Punëdhënësi, italian ose jokomunitar, banues i rregullt në Itali, mund të paraqesë kërkesën për autorizim (nulla osta) për punë të varur për një qytetar jokomunitar me banim jashtë vendit ose që ndodhet në Itali, por që nuk mund të punësohet drejtpërdrejt sepse nuk ka asnjë lloj leje qëndrimi, ose që ka një leje qëndrimi jo të vlefshme për punësim të drejtpërdrejtë. Punëdhënësi duhet të ketë mundësi të caktuara ekonomike, të cilat ndryshojnë sipas llojit të kërkesës (për punësimin e një bashkëpunëtori familjar apo të një punonjësi të varur – joshtëpiak, si për shembull një murator, mekanik etj.).
PUNËSIMI
Marrja e një punonjësi në shtëpi
Punëdhënësi duhet të dëshmojë se ka të ardhura vjetore të barabarta ose më të mëdha se të paktën dyfishi i pagës, plus kontributet përkatëse, që i takon punonjësit që dëshiron të marrë në punë. Për shembull, për të kërkuar punësimin e një bashkëpunëtori familjar për 25 orë në javë me pagë mujore që gjithsej shkon në 600 euro, kostoja e kontributeve që i duhen derdhur Inps-it çdo tre muaj, është 318,50 euro. Llogaritja bëhet si më poshtë: pagesa vjetore, përfshirë dhe rrogën e trembëdhjetë është 7800 euro. Kësaj shume i duhet shtuar kostoja e kontributeve për gjithë vitin (318,50 x 4 tremujorë) që është 1.274 euro. Kostoja e përgjithshme pra është 9.074 euro. Pra punëdhënësi që dëshiron të paraqesë kërkesën për punësim duhet të ketë një aftësi ekonomike sa dyfishi i kësaj kostoje, pra ajo duhet të jetë rreth 18 150 euro.
Hyrja për punë
Procedura e thirrjes së drejtpërdrejtë për punë të varur
Punëdhënësi duhet të paraqesë kërkesën pranë Sportelit Unik për Emigracionin në prefekturën ku banon, ose në rast ndërmarrjeje ose shoqërie, atje ku e ka selinë ose ku do të zhvillohet aktiviteti i punës. Kërkesa është telematike, por duhen pritur instruksionet e Ministrisë së Punës. Duhet të bëhet fjalë për dërgimin e një modulari që mbushet online, i cili përmban propozimin e kontratës së qëndrimit ku do të jepen të dhënat që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës që dëshirohet të krijohet (të ardhurat, pagesa, kontrata kolektive që do të aplikohet, sistemi i banimit e kështu me radhë). Pas marrjes së kërkesës, Sporteli Unik do t’ia dërgojë kërkesën kuesturës për verifikimin e dëbimeve ose dënimeve të mundshme të punonjësit. Në rast aprovimi, vetë zyra e përcjell kërkesën pranë Drejtorisë Provinciale të Punës për të verifikuar nëse ka ende kuota në dispozicion, të aftësisë ekonomike të punëdhënësit dhe të respektimit të kushteve minimale të punës. Më pas mund të kërkohen dokumente plotësuese. Nëse verifikimet përfundojnë pozitivisht, punëdhënësi thirret për nënshkrimin e kontratës së qëndrimit dhe për lëshimin e autorizimit (nulla-osta) për punë, i vlefshëm për 6 muaj nga data e lëshimit. Punëdhënësi duhet t’ia dërgojë këtë nulla-osta punonjësit të huaj. Ky i fundit, me këtë dokument origjinal dhe me pasaportën të vlefshme, duhet të shkojë në konsullatën italiane për të kërkuar vizën e hyrjes për punë në Itali. Vetëm pasi të ketë marrë vizën, shtetasi jokomunitar mund të vijë në Itali. Brenda 8 ditëve nga hyrja në territorin italian, ai duhet të paraqitet në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Më pas mund t’i bëjë kuesturës kërkesë për leje qëndrimi, duke përdorur kompletin postar të formularëve.
8 Janar 2011